Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

Prishtina

Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

Më: 9 mars 2025 Në ora: 10:20
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, ka thënë për EO se kanë caktuar lokacionin për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit në kryeqytet, teksa për këtë vend është marrë edhe pëlqimi edhe nga vetë familja Jashari.

Rama ka thënë se monumenti i Adem Jasharit do të vendoset mbi nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa konkursi do të jetë ndërkombëtar.

“Tash kemi një lajm të mrekullueshëm që vetëm se jemi marrë vend me familjen Jashari për pozicionimin e shtatores së Adem Jasharit. E dini se e kemi projektin e madh të nënkalimit në rrugën ‘Agim Ramadani’ derisa pjesa e sipërme do ta bëjmë sheshin ‘Nënë Terezë’ me pjesën e vjetër të Kryeqytetit, pra e gjithë ajo do të jetë për këmbësorë dhe për të gjithë vizitorë. Është një pozicionim i mrekullueshëm, pra mund të ndërlidhet me gjithë qytetin dhe kjo do të jetë pika e pozicionimit të shtatores së Adem Jasharit”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se në bashkëpunim me familjen Jashari, kanë rihapur konkursin për shtatoren e heroit kombëtar, Adem Jashari, i cili do të jetë ndërkombëtar.

“Do të jetë madhështore, do të jetë një konkurs ndërkombëtarë tash, siç e dini që ne e kemi pasur një konkurs ndërkombëtar paraprak, mirëpo në diskutim me familjen kemi vendosur që ta rishpallim (konkursin) me një lokacion që tashmë veçse jemi pajtuar me familjen Jashari”, u shpreh Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat