Drejtoria Rajonale e policisë së Prishtinës ka njoftua me kujdes të shtuar se ka trajtuar situatën e ditëve të fundit që ndërlidhet me një sërë incidentesh zjarri në zona të ndryshme sikurse, zonat pyjore, zonat rurale, periferitë e banimit dhe brenda qyteteve.
Në njoftim thuhet se në të gjitha këto incidente policia ka reaguar shpejt duke dalë në vendet e zjarrit për të ndihmuar evakuimin, kontrollin e trafikut si dhe sigurinë përreth. Ka kryer vizita në zonat e prekura për të ofruar informacion dhe mbështetje për banorët.
“Kemi punuar ngushtë dhe jemi koordinuar me agjencinë për menaxhimin e emergjencave, shërbimet zjarrfikëse, shërbimet e urgjencës mjekësore, drejtoritë komunale të emergjencave dhe agjencitë e tjera përkatëse, në ndarjen e informacioneve dhe burimeve në kohë reale dhe veprimeve të vazhdueshme për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të minimizuar dëmet”, thuhet në njoftim.
Policia konfimrmon se disa nga këto incidente mund ti atribuohen kushteve klimatike, disa për shkaqe aksidentale porse janë ndjekur të gjitha pistat për të hetuar dhe përcaktuar nëse ndonjë zjarr është vënë qëllimisht.
Tutje, Policia njofton se disa persona janë identifikuar nga policia dhe rastet ku ata janë implikuar po trajtohen me kujdes.
“Suksesi i përpjekjeve tona parandaluese mbështetet shumë në përfshirjen e komunitetit. Andaj i bëjmë thirrje komunitetit që të qëndroj vigjilent ndaj rrethanave aktuale që ndërlidhen me zjarret, tu përmbahet udhëzimeve të sigurisë nga zjarri të shpërndara nga policia dhe mekanizmat e tjerë, të raportoj menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë si dhe në të njëjtën kohë të shmangin veprimet ose aktivitetet të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
Policia është me ju, qëndroni vigjilent, qëndroni të sigurt – së bashku, ne mbrojmë komunitetin tonë”, përfundon njoftimi i Policisë.