Transportuesit e Komunës së Podujevës kanë qëndruar tërë natës para Komunës së Prishtinës në shenjë proteste pas vendimit për t’i ndaluar ata hyrjen në kryeqytet pa asnjë njoftim paraprak, raporton Ekonomia Online.
E qëndrimi i tyre aty nuk ishte pa pasoja, pasi zyrtarët policorë u kanë shqiptuar gjoba.
Mentor Mustafa nga “Shoqata e Transportit Podujevë – Prishtinë”, ka thënë se kanë dalë sërish sot para objektit të Komunës së Prishtinës, për të kërkuar sqarime dhe një zgjidhje për situatën e krijuar.
“Na u ka bërë një shkelje ligjore neve dhe sipas dokumenteve të Ministrisë së Infrastrukturës, i kemi oraret secila kompani, na tregon edhe itinerarin që do të kalojmë kah ‘Xhamia e Llapit’ dhe komuna ka dalë me një vendim pa vetëdijen dhe pëlqimin tonë për mosqarkullim. Këta nuk duan me marr as parasysh përse kemi dalë. Për që kanë mbet mbi 100 mijë udhëtarë në ditë të cilët i bartim Podujevë-Prishtinë, e që kanë mbetur në rrugë studentë, nxënës e punëtorë, nuk po merr askush përgjegjësinë”, ka thënë Mustafa.
E si shkak i qëndrimit para objektit komunal, pronarët e këtyre autobusëve nuk u kanë shpëtuar as gjobave të policisë. Sipas tyre, një gjobë mund të kushtojë nga 100 deri 300 euro.
“Po kemi marrë dje gjoba vazhdimisht, nuk na kanë lënë të parkohemi te ‘Xhamia e Llapit’ siç e kemi me letra stacionin, u është dukur pak edhe këtu na kishin lënë gjobat sot në mëngjes, kështu që jemi shumë të inatosur në ta sepse po na bëhet kjo gjë, sepse nuk e meriton qytetari i Podujevës kjo (padrejtësi) sepse marrë parasysh që jemi komuna e parë pas Prishtinës me fluksin më të madh të pasagjerëve e duke e ditur se 90 për qind e llapjanëve punojnë e studiojnë në Prishtinë, kjo është tmerr, nuk e di a ka shtet a çka po ndodh”.
Ai ka thënë se kjo protestë do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.