Nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit për hartimin e platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit

Prizreni

Nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit për hartimin e platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 15:39
Ilustrim

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha dhe drejtori ekzekutiv i OJQ EC Ma Ndryshe, Valon Xhabali, të martën, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për realizimin e aktiviteteve në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit vjen si  rrjedhojë e bashkëpunimeve paraprake në mes të dy palëve për të siguruar trajtimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Prizrenit. Me këtë marrëveshje palët kanë rënë dakord që të zgjerojnë aktivitetet e tyre për të adresuar dhe përmbushur objektivat e përbashkëta e reciproke, konkretisht me hartimin e Platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit si dhe bashkërendimin e aktiviteteve për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane për këtë vit.

Hartimi i  Platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit do të pasqyrojë gjendjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur, ku do të përfshihen edhe informatat zyrtare për asetet dhe vlerat e ndryshme që posedon kjo qendër historike. Të dhënat e kësaj platforme do të ndërtohen mbi të dhënat e grumbulluara nga viti 2017 dhe të prezantuara në Planin e Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit, që është miratuar në vitin 2020.

Për më tepër, ky bashkëpunim do të përfshijë edhe bashkërendimin e aktiviteteve për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane për vitin 2021, të cilat do të zhvillohen gjatë muajit shtator të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat