Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e shohin fitoren në Prizren veç si fitore në një komunë.
“Ne e shohim fitoren në Prizren, si fitore të zhvillimit mbi degradimin, fitore të progresit mbi stagnimin, fitore të transparencës mbi keqpërdorimin. E shohim fitoren e Shaqir Totajt si fitore e shpresës për qytetarët e Prizrenit dhe fitoren e PDK-së si rikthim të fuqishëm, që nisë në Prizren e shtrohet në mbarë Kosovën. Prizreni qe katër vite është udhëhequr keq, me afera korruptive e degradim të skajshëm”.
Krasniqi, që sot gjatë ditës bashkë me kandidatin e tyre për Prizren kanë mbajtur një tubim me qytetarë, ku tha se modeli i keqqeverisjes në Prizren tash e disa muaj është shpërfaqur edhe në nivel qendror.
“Po e shohin të gjithë qytetarët çfarë menaxhimi i dobët po ndodhë me pandeminë Covid-19. Në nivelin qendror, si opozitë, po përpiqemi të inkurajojmë të gjithë që ta ndalojmë rrezikun, ndërsa në Prizren, në zgjedhjet e tetorit, duhet ta ndalojmë keqqeverisjen dhe këtë model degradues. PDK në Prizren ka kandidatin më të përgatitur për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e perspektivës për të gjithë qytetarët, pa dallim. PDK, po ashtu, ka kandidatët më të mirë për Kuvendin Komunal që përfaqësojnë çdo pjesë të territorit të kryeqytetit historik të Kosovës”.