Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga kandidatët për Kuvendin e Prizrenit në zgjedhjet e 17 tetorit, të enjten kanë vizituar dhe kanë ecur nëpër sheshin e Lidhjes deri në Marash.
Totaj ka thënë se kanë vërejtur se hapësirat e gjelbra dhe gjelbërimi i qytetit “është larg pritshmërisë”.
Për këtë çështje, Totaj ka thënë se PDK në programin e saj qeverisës ka planifikuar krijimin e sa më shumë hapësirave të gjelbra, mirëmbajtjen e tyre dhe mbjelljen e shumë fidanëve.
“Gjelbërimi i ambienteve publike janë mushkëritë e qytetit, andaj për këtë arsye përkujdesja ndaj këtij fenomeni meriton më shumë”.
Totaj dhe kandidatët për Kuvendin e Prizrenit mbollën disa fidanë në Marash, ku përmes këtij veprimi thotë se synon të dëshmojë se PDK është e përkushtuar për ambientet e hapura publike dhe për shëndetin e qytetarëve.
“Marashi,si vend më atraktiv për kalimin e kohës së lirë, në vend që të jetë ruajtur dhe të ishin vazhduar investimet, është bërë një vend jo i mirë për sy, sepse është degraduar. Ne, këtë vend të bukur të qytetit do ta shndërrojmë në një park modern me standarde europiane. Andaj, mbjellja e sotme e fidanëve nënkupton korrjen e suksesshme më 17 tetor, me fitoren e PDK-së, që do të jetë fitore për qytetarët e Prizrenit”.