Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, vizitoi sot lagjen “11 Marsi”, me ç’rast i falënderoi banorët për pritjen e ngrohtë.
Quni, tha se banorët e kësaj lagjeje e kanë listën e gjatë të mungesave që qeveria lokale as që ka qarë kokën të merret me to.
– Mungesa e ujit të pijes, reduktimet e shpeshta dhe shtypja e ulët.
– Infrastruktura rrugore e pa mirëmbajtur, puseta të hapura, punime të stërzgjatura e kaos gjithandej.
– Orëmatësit e energjisë elektrike ka kohë që janë lënë me kapak të hapur. Ato të vendosura përgjatë rrugës paraqesin rrezik të lartë për jetën e secilit, e sidomos të fëmijëve që frekuentojnë këtë rrugë.
– Investimi i bërë në vlerë mbi 200 mijë euro në ndërtimin e një Qendre Rekreative Sportive, është shkatërruar ende pa e futur në funksion.
Ky ambient ka krijuar papastërti dhe strehë për grupe vandale e përdorues të narkotikëve.
“Është i madh zhgënjimi dhe dëshpërimi i qytetarëve të kësaj zone me injorimin që u ka bërë ky pushtet në ikje”, tha Quni.
Më tej, ai tha se, së bashku do ti ndëshkojmë me votë e do ta bëjmë ndryshimin pozitiv për të mirën e përgjithshme.
“Ne e kemi projektin e detajuar që do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë për të gjithë banorët e Prizrenit”, theksoi Quni.
Ndërsa, problemet tjera infrastrukturore, ai u zotua se do ti rregulloj që në vitin e parë të qeverisjes.