Tentoi të importonte marihuanë përmes autobusit nga Shqipëria në Kosovë, ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prizren

Prizreni

Tentoi të importonte marihuanë përmes autobusit nga Shqipëria në Kosovë, ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prizren

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 11:01
Prokuroria Themelore në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.I., i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri G.I., me datë 01.12.2023 rreth orës 23:10 në Pikë Kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, importon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.

“Në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet autobusit pronë e një prej kompanive turistike, e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo në hyrje të kufirit, i njëjti autobus së bashku me pasagjerët selektohet për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit, dhe gjatë kontrollimit të përbashkët në mes të zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë, haset një çantë krahu në vendin ku vendosen valixhet e krahut në pjesën e bagazhit sipër në autobus, dhe sekuestrohet një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotikë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, kjo substancë narkotike rezulton të jetë e llojit kanabis (marihuana), nga matjet neto me peshë të përgjithshme prej 655.97 gram.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, bëhet e ditur tutje.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat