Komuna e Prizrenit po e realizon projektin më të madh nga paslufta, në qendrën historike të Prizrenit.
Se çfarë parasheh ky projekt, tregon nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi.
“Ky projekt parasheh komplet rivitalizimin e sheshit të Shatërvanit përfshirë edhe hyrjet dhe daljet në shatërvan dhe lagjen e nënkalasë. Rregullohet e tërë infrastruktura nëntokësore dhe mbitokësore, përfshirë këtu ujërat e zeza, kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, rrjetin elektrik dhe pastaj kthimin e kalldrëmit në vendin e vet”, tregon Gashi.
Kalldrëmi i qytetit mungon dhe koha kur nis të shtohet numri i turistëve të huaj që ndikon shumë në ekonominë e qytetit, po vjen.
Për ekspertin e fushës së turizmit Bekim Bytyqi, stërgjatja e projektit në qendrën historike të Prizrenit ndikon negativisht në turizmin e qytetit.
“Projekti besoj që është i mëhershëm po sidoqoftë ka filluar në fillim të marsit dhe punimet në pjesën e shatërvanit ne pjesën qendrore të qytetit ndikojnë negativisht në vizitorët në atë pjesë. Jo në tërë Prizrenin sepse shatërvani është vetëm një pjesë e qytetit. sidoqoftë ka një ndikim negative në zhvillimin e bizneseve lokale që janë aty dhe normal që vizitorët dhe turistët shmangen dhe nuk qëndrojnë shumë aty dhe mendoj që Komuna do të duhet të jep përgjigjet se çka janë zhvillimet dhe si shkon plani dinamik i zhvillimeve të punimeve pasi jemi edhe në prag apo në fillim të sezonës verore”, thotë Bytyqi.
Por Komuna e Prizrenit bënë të ditur se pjesa e kalldrëmit do të rikthehet para verës dhe tregon shkaktarët e vonesave të implementimit të shpejtë të këtij projekti.
“Sfidë tjetër me të cilën po ballafaqohemi është çështja e komunikimit dhe koordinimit me KEDS-in për faktin se e ka obligim gjithë ndriçimin publik dhe rrjetin elektrik me vendos nëntokë”, thotw ai.
Bizneset në qendrën historike të Prizrenit e pranojnë se janë dëmtuar nga punimet në sheshin e vjetër të qytetit, ndonëse nuk e thonë këtë para kamerës.
Lulzim Emra megjithatë thotë se është i lumtur me punimet.
“Sa i përket dëmit, pak kemi pasur por është duke u rregulluar mirë. Unë jam vet dugojxhi këtu dhe nuk kam ndonjë ankesë sepse po shkon ka e mira e jo ka e keqja”, thotw ai.
Turizmi është njëra nga fushat që po shënon rritje të vazhdueshme në Kosovë dhe Prizreni është një nga pikat turistike më atraktive dhe më të pëlqyera nga turistët e huaj.
Vetëm gjatë dy javëve të festivalit Dokufest në Prizren zbarkojnë rreth 20 mijë turistë të huaj që i sjellin ekonomisë së qytetit rreth 4 milionë euro.
Në muajin Shtator 2023, krahasuar me muajin Shtator 2022, numri i vizitorëve të huaj në Kosovë ka pasur një rritje prej 33.9% ndërsa numri i net qëndrimeve të tyre është rritur për 61.0%.