Komuna e Prizrenit ka paralajmëruar qyetetarët se së shpejti në qytet do të vendosen kamerat e sigurisë.
Përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka përfunduar me sukses procesi i tenderimit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.
“Pjesë e këtij projekti është jo vetëm instalimi i kamerave në vendet kyçe, por edhe plani i detajuar për mirëmbajtjen e tyre, për ta garantuar kështu funksionalitetin e vazhdueshëm dhe efektivitetin e kamerave,” thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Tutje, në postim thuhet se ky sistem modern do të ofrojë mbikëqyrje të vazhdueshme nëpër pika strategjike të qytetit dhe do të krijojë ambient më të sigurt për të gjithë.
“Komuna e Prizrenit do të nënshkruaj Memorandum Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës e cila do ta bëj vëzhgimin e kamerave të montuara në qytet,” shkruan ndër të tjerash në postim.