Anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Selman Sokoli ka kërkuar nga organet komunale që të jenë më të vëmendshëm gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë që të mos cenohem kushtet e jetesës për qytetarët.
Ai ka shprehur qëndrimin se gjatë qeverisjes së kryetarit aktual, Shaqir Totaj, paligjshmëria është bërë rregull, e zbatimi i ligjit është bërë përjashtim.
“Kjo qeveri e klaneve dhe moskokëçarëse karshi interesave të qytetarëve prej se ka filluar mandatin është karakterizuar me shkelje dhe veprime që kanë dëmtuar interesin e përgjithshëm publik”, ka thënë Sokoli, gjatë një konference për media.
Sipas tij, prej prishjes së shtegut të biçikletave, punimeve pa projekte, prishja e parkut te lagja “Bazhdarhane” e deri te dëmtimi i burimit “Sozi” në Nashec, janë veprime të pamenduara dhe arrogante që dëmtojnë kualitetin e jetës për qytetarët e kësaj komune,
Ai ka theksuar se problemet në “Sozi” kanë lindur pas punimeve që po zhvillon aty komuna e Prizrenit.
“Siç duket sikurse në çdo pjesë të qytetit, edhe këtu ka punime pa plan e projekt, shkel e shko, e pa mbikëqyrje profesionale dhe këto janë pasojat e kësaj qasje të Shaqir Totajt”, ka deklaruar Sokoli.
Kuvendari opozitar ka vlerësuar se 14 fshatra të Hasit respektivisht mijëra banorë vuajnë pasojat e veprimeve të papërgjegjshme “të një kryetari të papërgjegjshëm dhe moskokëçarës karshi interesave dhe nevojave të qytetarëve për të pasur shërbimet bazike që janë qenësore për një jetë të dinjitetshme në vendet ku jetojnë”.
Sokoli ka bërë thirrje që drejtuesit e Komunës të reflektojnë dhe të jenë më të vëmendshëm ngase pasojat po i bartin qytetarët.
“Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, Totaj kishte premtuar furnizim të rregullt me ujë, 24 orë me ujë të pijes, por çka po bënë në pushtet, është krejt e kundërta e asaj që ka premtuar. Ai nga papërgjegjësia e tij po dëmton edhe ato burime ekzistuese përmes të cilave furnizohen me ujë të pijshëm qytetarët e komunës sonë”, ka thënë ai.
Një ditë më parë kryetari i Komunës, Shaqir Totaj pat deklaruar se defekti në “Sozi” të Nashecit nuk ka ndodhur nga punimet e kontraktuara nga Komuna.
“Duhet të informojmë publikun se problemi i cili ka ndodhur në Nashec nuk ka qenë i shkaktuar nga punët të cilët kryhen nga operatori ekonomik i kontraktuar nga komuna e Prizrenit”, ka thënë Totaj.
Ai ka pohuar se problemi është identifikuar dhe është njoftuar “Hidroregjioni Jugor”, por se nuk janë marrë masa adekuate deri më tani. “Jam i sigurt se “Hidroregjioni Jugor” do ta bëj sanimin e gjendjes”, ka deklaruar Totaj.
Ai pat theksuar se Komuna e Prizrenit po merret me çështjen e përmirësimit të kapaciteteve të furnizimit me ujë të pijes