Disa lagje të Prizrenit ngelin pa ujë deri në 9 orë

Prizreni

Disa lagje të Prizrenit ngelin pa ujë deri në 9 orë

Më: 21 gusht 2024 Në ora: 20:51
Ilustrim

Disa lagje dhe fshatra të komunës së Prizrenit janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm. Një ndër shkaqet kryesore mbetet rënia e nivelit të ujit në burime, keqpërdorimet dhe ndërhyrjet e paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit.

Është përkeqësuar furnizimi me ujë i banorëve të komunës së Prizrenit, pas shumë ditëve me temperatura të larta. Në lagjen më të madhe të kësaj komune atë të “Bajram Curri” reduktimet e ujit të pijshëm shkojnë deri në nëntë orë.

“Në familjen time dhe në përgjithësi në lagje, nuk kemi ujë prej orës 10 deri në orën 7 të mëngjesit. Shqetësimet janë shumë të mëdha nga familja, banorët e lagjes dhe kurbetçinjtë të cilët janë me pushime, sepse ata po vijnë për pushime dhe ujë nuk ka, janë dasmat, janë problemet e tjera,mundet edhe ndonjë zjarr apo diçka të tillë e ujë nuk ka”,  tha Dashmir Susuri – banor i lagjes “Bajram Curri”.

Rregullisht me ujë të pijshëm nuk po furnizohet edhe kopshti me mbi 150 fëmijë i kësaj lagje, ndonëse akoma nuk po punon me orar të plotë. Shqetësimi i tyre është nëse kjo gjendje do të jetë edhe në muajin shtator.

“Për momentin jemi me orar të shkurtuar dhe nuk po e vërejmë shumë mungesën e ujit, mirëpo prej shtatorit e kemi planin të fillojmë me orar të plotë, atëherë ka mundësi të kemi vështirësi, sepse kemi pjesën e kuzhinës dhe pjesën e lavanderisë dhe kemi nevojë më tepër për furnizim me ujë”, thotë Driton Susuri,  Drejtor i kopshtit në lagjen “Bajram Curri”.

Sipas përfaqësuesit të lagjes Pelivan Pulaj, gjendja është e keqe, pasi në këtë lagje janë edhe tri shkolla të mesme.

” Për momentin është shumë keq, pasi këtu i kemi edhe tri shkolla dhe një çerdhe, nëse vazhdon e na zë shtatori, besoj se do të jetë edhe më keq për lagjen, është mbi 230 shtëpi edhe objekte. Hidroregjioni” na ka premtuar se nuk do të ketë reduktime, por prapë po vazhdojnë””, tha Pulaj.

Në një përgjigje elektronike kryeshefi ekzekutiv i “Hidroregjionit Jugor” Fadil Berisha sqaron se, rritja enorme e konsumit, rënia e nivelit të ujit në burime, ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, defektet në rrjet, ndërhyrjet e paautorizuara dhe dëmtimet e ujëmbledhësve, janë arsyet kryesore të gjendjes në terren.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat