​KPK cakton Petrit Kryeziun ushtrues detyre të kryeprokurorit në Prizren

Prizreni

​KPK cakton Petrit Kryeziun ushtrues detyre të kryeprokurorit në Prizren

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 11:47
Petrit Kryeziu

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar ushtrues të detyrës së kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziun. Në mbledhjen e sotme është miratuar kërkesa për dorëheqje nga kjo pozitë e prokurorit Admir Shala, i cili ka bërë kërkesë që të kthehet në punë në Prokurorinë Speciale.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj tha se kërkesa për dorëheqje është ofruar në fillim të muajit gusht.

Hajdaraj: Dorëheqja e parevokueshme e kryeprokurorit Admir Shala

“Dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, si pikë të rendit të ditës e kemi vendosur dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala. Ju veç e keni pranuar materialin dhe rendin e ditës, dorëheqjen e kryeprokurorit me kërkesë është dorëheqja e parevokueshme e kryeprokurorit Admir Shala dhe kërkesa që të kthehet në Prokurorinë Speciale”, tha Hajdaraj.

Kjo kërkesë është aprovuar me të gjitha votat për në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Besim Kelmendi ka propozuar që Petrit Kryeziu të jetë ushtrues detyre i kryeprokurorit në Prizren.

Kelmendi: Prokurori Petrit Kryeziu është më i vlerësuari

“Unë kam marrë një listë të prokurorëve sa i përket vlerësimit të performancës dhe aty kam parë që të gjithë prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren, prokurori Petrit Kryeziu është më i vlerësuari dhe me pikë është mbi ata që e kanë notën shumë mirë. Kam parë që nuk ka asnjë notë disiplinore dhe mendoj që është prokuror me perspektivë, prokuror që mund të jap kontributin e vet së paku si ushtrues detyre, përderisa ne si këshill të vendosim që të emërojmë një kryeprokuror”, shtoi ai.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vazhduar mbledhjen me pika të tjera të rendit të ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat