Nisi përkujtimi i Betejës së Vrrinit, në Lez të Prizrenit

Prizreni

Nisi përkujtimi i Betejës së Vrrinit, në Lez të Prizrenit

Më: 1 shtator 2024 Në ora: 21:27
Foto ilustrim

Më 1 deri më 5 shtator të vitit 1998, në fshatrat e Vrrinit të Prizrenit u zhvillua luftë e ashpër dhe e pabarabartë në mes të njësiteve të sapoformuara të UÇK-së dhe forcave serbe. Atë fillimshtatori, në mbrojte të vendit të tyre ranë 13 dëshmorë.

Asgjë më nuk ka mbetur nga fshati Lez i komunës së Prizrenit, ku në vitin 1998 në këtë fshat dhe të tjerët përreth në Vrrin, ishin vendosur bazat kryesore të shtabeve të UÇK-së. Me 1,2,3,4, dhe 5 shtator u zhvilluan beteja të ashpra në mes të UÇK-së dhe forcave serbe që ia mësynë kësaj pjese në jug të Kosovës.

Banorët i kujtojnë ato ditë të vështira që kaloi vendi atë fillim shtatori.

"Komandant Drini erdhi dhe më qoi prej gjumi, më tha qoi dy minahedhës dhe 40 predha qetu në këtë fshat, ndërsa mua mi qo në kerr dy minahedhës dhe 40 predha të tjerë, sepse unë do të shkoj me Selim Krasniqin në Vlashnje, Kobi e Marademë, në orën 11 tha kthehem, këta kanë arrit me ardh deri Këtu, me armatimin dhe nuk kanë mundur me depërtua tutje. Këtu janë martirë nja shtatë a tetë të tjerët janë krejt dëshmorë", tha Nazim Shabani, banor i kësaj ane.

"Këtu ka qenë luftë shumë e ashpër, i kanë bombardua dhe djegë serbët, banorët s'kanë pas ku me shkua tutje edhe kanë ikë për Prizren poshtë. Edhe në fshatin tim njëjtë", tha Kapedan Thaqi- banor i Kushninit.

Në nderim të të rënëve të asaj rezistence folën ata që ishin bashkë në këtë rrugëtim.

"Këtu është zhvillu një betejë në afërsi prej 10 deri 15 metër jo vetëm me forcat serbe, por edhe paramilitarët rusë dhe vende tjera sllave që kishin ardhur për ti ndihmuar. Prandaj ne duke nderuar betejën e shtatorit në Vrri, nderojmë dhe respektojmë themelet e shtetit të Kosovës, këto themele të cilat duhet ti ruajmë me fanatizëm", tha Zafir Berisha, bashkëluftëtar.

Xhevat, Bekim e Salajdin Berisha, tashmë dëshmorë të kombit në atë kohë ishin sportistë të mundjes së lirë e në nderim të tyre, në çdo 1 shtator mbahet edhe turniri i Pehlivanëve.

"Në kuadër të aktiviteteve është paraparë edhe ky aktivitet pasi që , Xhevat Salejdin e Bekim Berisha heronj të Kosovës, këta të gjithë ishin mundës, pehlivanë, e pikërisht për këtë arsye se ishin edhe heronj në radhët e UÇK-së mbahet edhe ky sport tradicional që quhet Pehlivanë", tha Isa Berisha, organizator.

Që nga ajo kohë, kur forcat serbe vranë e masakruan edhe banorë të pafajshëm, fshatrat u dogjën, ndërsa Lezi, Kushnini e Struzha u braktisën nga banorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat