Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ka bërë të ditur se transporti për nxënësit do të jetë falas edhe në këtë vit shkollor.
“Edhe këtë vit është siguruar transporti pa pagesë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të shkollës së mesme”, ka njoftuar ai, teksa ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas tij, mbulimi i transportit për nxënësit është i dobishëm në disa aspekte.
“Kjo masë, përveç që do të jetë një lehtësim i barrës financiare për prindërit, do të ndikojë në parandalimin e deformimeve të boshtit kurrizor nga pesha e çantës, do të eliminojë rrezikun e lëndimeve në komunikacion, si dhe do të jetë një mundësi e mirë për nxënësit që ta vazhdojnë shkollimin në Dragash, pa pasur nevojë që të udhëtojnë nëpër qytetet tjera”, ka theksuar Xheladini.
Kryetari i Komunës së Dragashit ka pohuar se kjo masë është siguruar edhe për nxënësit e drejtimit të mjekësisë në ShML “Ruzhdi Berisha”, të cilët udhëtojnë për në Prizren për të realizuar praktikën profesionale.