Pala ankohet se s’ka marrë shërbim në Repartin e Oftalmologjisë, Spitali i Prizrenit arsyetohet me numrin e kufizuar të mjekëve

Prizreni

Pala ankohet se s’ka marrë shërbim në Repartin e Oftalmologjisë, Spitali i Prizrenit arsyetohet me numrin e kufizuar të mjekëve

Më: 4 shtator 2024 Në ora: 09:33
Foto ilustrim

Numri i kufizuar i mjekëve specialistë në Repartin e Oftalmologjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, bashkë me sezonin e pushimeve, ka sjellë deri te situata që një palë të mbetet pa marrë shërbime mjekësore në këtë repart, në datat 15 dhe 16 gusht të këtij viti.

Një qytetar i Prizrenit, në mes të muajit gusht, është ankuar në redaksinë e Telegrafit, se në Repartin e Oftalmologjisë nuk ka marrë shërbime mjekësore dhe arsyetimi i dhënë nga personeli i Spitalit të Prizrenit ka qenë se nuk ka mjek përkatësisht oftalmolog.

Ai ka theksuar se në datat e sipërpërmendura ka marrë përgjigje të njëjta, dhe se është kthyer nga Spitali pa e kryer kontrollin mjekësor të syve.

Qytetari ka shpjeguar se si në bazë të udhëzimit të mjekut të shëndetësisë primare është paraqitur në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit më datë 15 gusht, në ora 13:30, për të bërë kontrollin e syve në repartin përkatës.

Mirëpo motra medicinale e këtij reparti me udhëzoi që të shkojë te ndonjë mjek privat me arsyetimin se nuk kemi mjek. Me insistimin tim që të mund të kontrollohem në repartin përkatës, ku do të duhej të ishte mjeku kujdestar, më është përgjigjur se s’ka mjek kujdestar”, ka shkruar ai.

Të nesërmen në mëngjes, më datë 16 gusht, në ora 8:10, pala sërish ka shkuar në Spital për tu kontrolluar. Dhe sërish ka marrë përgjigjen e njëjtë se “nuk ka mjek”.

Me të marrë përgjigjen absurde të motrës medicinale në sektorin ambulantiv të Spitalit të Prizrenit iu drejtova Administratës së Spitalit, ku fatkeqësisht e morra të njëjtën përgjigje, se nuk ka mjek të syve e as kujdestar”, është shprehur ai.

Sipas këtij qytetari gjëja më shqetësuese për të ka qenë shprehja e personelit të administratës se “ishalla nuk kemi ndonjë rast urgjent se për Zotin nuk kemi mjek për sy e s’dimë çka bëjmë”.

Lidhur me këtë çështje, media ka kërkuar sqarime nga Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit, dhe pas dy javësh ka marrë përgjigje, ku nga zyrtarët është konfirmuar rasti, por i njëjti është cilësuar si i izoluar, për shkak të rrethanave objektive. Sipas tyre janë marrë masat që një situatë e tillë të mos përsëritet më.

Zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Shefajet Berisha ka theksuar se në këtë repart janë të angazhuar katër mjekë.

“Në repartin e Oftalmologjisë sipas të dhënave zyrtare që kam marrë nga shefi dhe kryeinfermierja aktualisht janë katër mjekë specialistë oftalmolog, ku njëri prej tyre kryen edhe detyrën e zëvendësdrejtorit të Spitalit”, ka thënë ai.

Berisha ka pohuar se në datat e sipërpërmendura dy mjekë kanë qenë në pushim vjetor.

“Për rastin, për të cilin ju jeni interesuar, sipas informatave zyrtare nga Reparti, dy mjekë kanë qenë në pushim vjetor të paralajmëruar qysh nga viti i kaluar. Njëra mjeke ka qenë kujdestare dhe në ditën për të cilën flitet ka pas ditë të lirë. Ndërsa mjekja e cila ka qenë e caktuar për të punuar me pacientë, ka qenë në punë, por në ndërkohë asaj i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe ka marrë trajtim mjekësor dhe pastaj mjekët i kanë rekomanduar pushim dhe e njëjta ka hapur pushimin mjekësor”, ka deklaruar Berisha për telegrafin.

Ai ka theksuar se janë marrë masat që raste të tilla mos të përsëriten dhe se së shpejti pritet që në Repartin në fjalë  të angazhohet edhe një mjek.

Shpresojmë se një rast i tillë tani e tutje nuk do të përsëritet për arsye se tani mjekët janë në vendin e punës, dhe presim që së shpejti të na vjen edhe një mjek tjetër dhe të bëhet një ekip prej pesë mjekëve, të cilët në njëfarë mase do të mundohen ta mbulojnë shërbimin 24 orësh në Repartin e Oftalmologjisë”, ka përfunduar Berisha. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat