Komuna e Prizrenit kërkon lirimin e hapësirave publike në qendër të qytetit

Prizreni

Komuna e Prizrenit kërkon lirimin e hapësirave publike në qendër të qytetit

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 12:59
Prizren

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit përmes një njoftimi publik ka kërkuar nga bizneset dhe banorët që ti lirojnë hapësirat publike me qëllim të realizimit të punimeve për instalimet elektrike nëntokësore.

Kjo drejtori ka pohuar se këto punime zhvillohen në kuadër të projektit “Rehabilitimi dhe revitalizimi i hapësirave publike në zonën e parë të mbrojtur në pjesën e vjetër të qytetit, restaurimi i shesheve dhe objekteve”.

“Njoftohen bizneset dhe banorët përgjatë rrugës “Vatrat Shqiptare”, duke filluar nga Xhamia e “Sinan Pashës” në drejtim të zyrave të KRU Hidroregjioni Jugor SH.A., se nga data 11 shtator 2024 (e mërkurë) duhet të lirohen hapësirat publike – duhet të largohen tavolinat dhe gjërat tjera sepse do të fillojnë punimet për instalimet elektrike nëntokësore”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga drejtori Çelë Lamaj.

Aty theksohet se në rast se nuk largohen tavolinat dhe gjërat tjera, atëherë do të merren masa nga institucionet përkatëse të Komunës së Prizrenit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat