Nxënësit e Eko klubeve të Prizrenit dhe kryetari Totaj diskutojnë për sfidat dhe projektet mjedisore

Prizreni

Nxënësit e Eko klubeve të Prizrenit dhe kryetari Totaj diskutojnë për sfidat dhe projektet mjedisore

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 12:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Nxënësit e Eko klubeve të shkollave të mesme të larta të Prizrenit në kuadër të ciklit të debateve të gjelbra të organizuara nga OJQ EC Ma Ndryshe kanë diskutuar me kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj për sfidat mjedisore dhe projektet e realizuara për adresimin e tyre.

Nxënësit nga Eko klubet e gjimnazit “Gjon Buzuku”, gjimnazit “Remzi Ademaj”, shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni”, shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” dhe shkollës “Ymer Prizreni” kanë shpalosur aktivitetet e realizuara nga ta si dhe projektet e jetësuara mjedisore në këto institucione arsimore.

Pas dëgjimit të këtyre prezantimeve, kryetari Totaj ka njoftuar të pranishmit lidhur me projektet mjedisore të Komunës me anë të cilave synohet krijimi i Prizrenit të Gjelbër.

“Sfidat mjedisore janë të mëdha. Mirëpo ka dy opsione se si ti adresojmë ato, prej lartë-poshtë dhe prej poshtë-lartë. Detyra jonë është të veprojmë prej poshtë-lartë, d.m.th me nis prej nivelit personal, ku secili prej nesh, me mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit japim një shembull të mirë se si duhet kujdesur për mjedisin”, ka thënë Totaj.

Në cilësinë e vendimmarrësit ai ka theksuar se në këtë aspekt duhet pasur parasysh edhe baraspeshën mes mbrojtjes së mjedisit dhe nevojës për investime dhe zhvillim, ngase nevojitet krijimi i kushteve për mirëqenien e njerëzve.

Në të njëjtën kohë ka pohuar se Komuna me mundësitë e kufizuara financiare ka realizuar investime në projekte mjedisore, përfshirë rregullimin e parqeve dhe krijimin e hapësirave të gjelbra, pastaj instalimin e ndriçimit publik me energji solare, bashkëpunimin me KRM “Eco Regjionin” për mbledhjen e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, modernizimin e trafikut urban, etj.

Çdo veprim që e bëjmë në korrelacion me natyrën kudo që jemi duke jetuar e jep një mesazh në drejtim të tentimit për ta mbrojtur mjedisin. Tek e fundit është një tregues i nivelit të kulturës dhe nivelit të vetëdijesimit që kemi rreth domosdoshmërisë së veprimeve tona në drejtim të mbrojtjes së mjedisit edhe lënies së një trashëgimie të duhur për gjeneratat e reja”, është shprehur Totaj.

Në anën tjetër Kaltrinë Kolukaj nga EC Ma Ndryshe ka shpjeguar se qëllimi i organizimit të “Green Talks” mes nxënësve të shkollave të mesme të larta dhe kryetarit të komunës është inkurajimi i dialogut dhe përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje për çështjet mjedisore që prekin komunitetin e tyre.

Në këtë formë kontribuohet për rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me problemet lokale dhe globale të mjedisit, duke nxitur zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e cilësisë së jetesës”, ka thënë ajo.

Kolukaj ka shtuar se këto debate u japin mundësi të rinjve të ndajnë idetë dhe propozimet e tyre me autoritetet lokale, duke forcuar bashkëpunimin për të ndikuar në politikat mjedisore të komunës.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit Eko Shkolla që financohet prej Caritasit Zviceran në Kosovë dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat