Shoqëria Kulturore Artistike “Bresana” nga Opoja gjatë fundjavës së shkuar ka fituar çmimin e madh në edicionin e IX-të të festivalit burimor “Duflla” të mbajtur në fshatin Raçe të Komunës Saraj-Shkup në Maqedoni të Veriut.
Në këtë festival kanë marrë pjesë ansamble dhe grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare, ku sipas njoftimit të organizatorëve, janë prezantuar ritualet, doket, zakonet, këngët e vallet burimore të zonave të ndryshme, teksa ka pasur diskutimet edhe për folklorin e trashëgiminë shpirtërore.
“Në skenën e festivalit ‘Duflla’ performuan grupe të ndryshme, ku vlen të theksohet përfundimi i bukur që i dhuroi festivalit Shoqëria Kulturore Artistike ‘Bresana’”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Aty sqarohet se juria profesionale e përbërë nga Dilaver Kryeziu, Shaqir Hasi dhe Istref Dobi kanë vlerësuar pjesëmarrësit, duke ndarë çmimin e madh të festivalit për SHKA “Bresana” nga Opoja, pastaj çmimin e parë për AAKV “Kastriotët” nga Ferizaj, çmimin e dytë për “Shqiponjat” nga Saraj dhe çmimin e tretë për “Anamorava” nga Vitia.
ShKA “Bresana” ka bërë të ditur se në këtë festival është paraqitur me programin që përbëhet nga ritet e dasmës, këngët e vajzave, me ardhjen e nuses me qerre në skenë dhe me dy valle të burrave.