Edhe 150 mijë euro do t`i kushtojë Komunës së Prizrenit rinovimi i Shtëpisë së Kulturës në Hoçë të Qytetit, që u ndërtua para më shumë se 10 vjetësh. Ajo nuk u funksionalizua fare, ndërsa u demolua nga njerëz të pandërgjegjshëm.
Shtëpia e kulturës në fshatin Hoçë të Qytetit u ndërtua disa vite më parë. Por, ky objekt nuk u furnizua asnjëherë me inventar e madje së fundi edhe u demolua.
"Nuk është funksionalizuar shkaku i disa përgatitjeve teknike, kemi pas disa karrige të amfiteatrit gjë që ata u vonuan dhe mbetën atëherë e sot pa u qit, kështu mbet jashtë përdorimit, derisa filluan dëmtimet edhe nga njerëzit e pandërgjegjshëm që nuk e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj shtëpie të kulturës", thotë Rashit Bytyqi, përfaqësues i Heqës së Qytetit.
Por, pas mbi 10 vitesh, Komuna e Prizrenit ka nisur sërish rinovimin e saj, e banorët e kanë mirëpritur funksionalizimin e saj me qëllim të rikthimit të aktiviteteve kulturore e artistike.
"Njerëzit e pandërgjegjshëm e kanë dëmtua, tash besoj që do të jetë shumë më mirë edhe do ta kontrollojmë pak më tepër edhe ne fshatarët. Ne këtë shtëpi kulture e kemi prit shumë kohë, na ka vyt shumë, ç'do koncert, ç'do manifestim është mbajt në shkollë", thotë banori Selajdin Shala
Vox- Rashit Bytyqi - Përfaqësues i fshatit Hoqë e qytetit
"Ne e kemi pas këtu shoqërinë kulturore artistike "Muharrem Bekteshi, i cili ka funksioni që në vitin 1945, këtu të ne folklori është burimor, mendojmë që do ta aktivizojmë përsëri këtë shoqëri kulturore, mendojmë që edhe shkolla për disa nevoja të veta ta përdorë", thotë Rashit Bytyqi, përfaqësues i fshatit Hoqë e Qytetit.
Qendra kulturore në Hoçë të Qytetit pritet të jetë gati në fillim të vitit 2025, ndërsa Drejtoria e Kulturës ka ndarë 150 mijë euro për përfundimin e këtij projekti.
Vox- Adem Morina- Drejtori për kulturë rini dhe sport - Prizren
"Janë marrë ekspertët të cilët kanë bërë një vlerësim se sa kosto duhet për ta funksionalizuar këtë qendër kulturore dhe në bazë përllogaritjeve që kanë bërë ekspertët, kemi hap tenderin, janë shkua ofertat, dhe kompania në fjalë ka konkurrua me çmimin që u ofrua në këtë rast dhe drejtoria ka ndarë diku rreth 150 mijë euro për ta përmbyllur si investim të përgjithshëm", thotë Adem Morina, drejtori për kulturë rini dhe sport në Prizren.
Ndërtimi i kësaj shtëpie para më shumë se 10 vitesh i kishte kushtuar buxhetit të komunës asokohe mbi 400 mijë euro, ndërsa në asnjë kohë nuk u hapën dyert në shërbim të qytetarëve.