Lëvizja Vetëvendosje në Prizren akuzon qeverinë komunale për kurdisje të tenderëve

Prizreni

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren akuzon qeverinë komunale për kurdisje të tenderëve

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 12:34
Karanfil Haxhillari

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka akuzuar qeverinë komunale për keqpërdorimin e fondeve publike përmes kurdisjes së tenderëve.

Sipas shefit të grupit të këshilltarëve të LVV-së në Kuvendin e Prizrenit, Karanfil Haxhillari si shembuj ilustrues lidhur me këto dyshime janë përzgjedhur tenderët për dy projekte kapitale, ku ka dallime në çmimet e produkteve të njëjta.

Në tenderin e shtratit të Lumbardhit, kontrata është nënshkruar me operatorin ekonomik me 4 mars 2024 me vlerë prej 2 milionë e 200 mijë euro. Vet titulli i tenderit tregon mjaft, pra fillon nga Ura afër Kampusit universitar dhe thotë në vazhdim të rrjedhës, pra deri ku e sa metra del ku të del fitimi”, ka thënë Haxhillari.

Ai ka shtuar se kontrata për ndërtimin e katër parqeve është nënshkruar me 4 tetor 2023, me vlerë prej afër 300 mijë eurove.

Në tender gjendet edhe rregullimi i Parkut te Çerdhja ‘Yllka’, por ama ajo pronë tashmë i është ndarë një organizate joqeveritare për të ndërtuar objektin për kuzhinë të ushqimit falas. Shtrohet pyetja, parat e paguara për park ku shkuan? Shtoja këtu që vetëm dizajnimi i këtyre parqeve Komunës së Prizrenit i ka kushtuar 23 mijë e 500 euro”, ka deklaruar Haxhillari.

Tutje ka theksuar se krahasimi i paramasave tek tenderi për ndërtimin e shtratit të Lumbardhit dhe ai për ndërtimin e katër parqeve në qytetin e Prizrenit vënë në pah dallimet e mëdha në çmime për produktet e njëjta.

Një ulëse në tenderin për ndërtimin e 4 parqeve kushton 250 euro, kurse në tenderin tjetër të shtratit të Lumbardhit e njëjta ulëse kap vlerën 500 euro. Ulësja tjetër në tenderin e parë është 550 euro, kurse në tenderin tjetër e njëjta kushton 1 mijë e 700 euro.  Parkingu për biçikleta te tenderi për ndërtimin e 4 parqeve kushton 400 euro, kurse e njëjta te tenderi tjetër kushton 1 mijë e 200 euro. Koshi për mbeturina te tenderi i parë kushton 150 euro, kurse te e dyta, koshi i njëjtë është 350 euro. Pra materialet e njëjta, çmimet e ndryshme. Tenderët e një qeverie, por me dallime drastike”, ka thënë Haxhillari.

Ai ka shprehur qëndrimin se këto raste duhet të hetohen nga Prokuroria e Shtetit, lidhur me “dyshime të bazuara për korrupsion dhe keqpërdorim”.

Haxhillari ka pohuar se ka edhe tenderë tjerë me kritere diskriminuese dhe ku punët nuk janë kryer me cilësi të duhur.

Komuna e Prizrenit deri më tani nuk ka reaguar në lidhje me këto pretendime të opozitës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat