Në rrjetin elektrik në Vlashnjë të Prizrenit nuk është investuar me dekada. Gjendja është rënduar edhe më shumë në ditët e fundit, pasi disa shtylla janë rrëzuar e telat kanë prekur tokën në pronat e banorëve të këtij fshati.
Banorët e këtij fshati ndihen të rrezikuar si për vete, ashtu edhe për kafshët që shfrytëzojnë kullotat.
“Unë shkoj në orën 5 në punë, në shkollë, ku e di unë ku shkeli për shembull. Ka kaluar një fëmijë i yni dhe në moment u rrëzua një shtyllë, por për fat të mirë nuk ka pas diçka të keqe. Edhe këta që janë krejt të shkulëm janë, vetëm jemi duke i mbajt me kablla”, tha Adnan Skeraj, banor i Vlashnjes.
“Rrjeti elektrik është shumë i rrezikshëm në pjesën tonë, pak më lart dy- tri shtylla kanë ra në tokë, kabllot janë në tokë. Jemi shumë të keqtrajtuar me rrymë, për ç’do mëngjes, hajdeni kur të doni në orën 6 për çdo mëngjes kemi ndalje të rrymës, jo një ditë por çdo ditë”, tha banori tjetër i kësaj lagjeje, Pelivan Hoxha.
Të rrezikuar nga shtyllat elektrike dhe telat e rrymës ndihen edhe udhëtarët që e shfrytëzojnë këtë aks rrugor.
“Problemi është se dikush ja gjun fajin komunës e dikush atyre të KEDS-it, sepse ato thonë se duhet me shku në procedura, me bë kërkesa për shtyllat e KEK-ut për intervenim, si ne që jemi mësuar me ja gjujt fajin njëri – tjetrit”, tha Arjanit Kastrati udhëtar.
Përfaqësuesi i fshatit Petrit Hoxha, thotë se ka kërkuar ndihmë nga Kuvendi Komunal, por që ky problem nuk është kompetencë e komunës. Hoxha thotë se janë të njoftuar rreth një projekti të KEDS-it i cili do të duhej të niste në pranverë.
“Edhe unë si kryetar i bashkësisë lokale nuk e di se pse nuk ka filluar ende rregullimi i këtyre shtyllave, të cilat rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve, sepse këta tela janë rreth tokës dhe pronarët e tyre nuk kanë mundësi që të kenë qasje në tokat e tyre shkaku i kabllove elektrike”, tha ai.
Lulzim Krasniqi, zëdhënës i kompanisë ka theksuar për RTK-në: “Ekipet e KEDS-it do të dalin në vend për të verifikuar gjendjen e tyre dhe, nëse këto janë asete të KEDS-it, si dhe varësisht nga nevoja, edhe do të veprohet. Në rast të këtillë, KEDS-i do të përkujdeset për mirëmbajtjen e këtij rrjeti deri në miratimin e një plani investiv për këtë zonë”.