Kurti: Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO

Prizreni

Kurti: Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 11:17
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitojnë tri shtëpi tradicionale në Prizren, të cilat janë restauruar rishtazi

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë vizituar dje tri shtëpi tradicionale në Prizren, të cilat janë restauruar rishtazi.

Shefi i qeverisë tha se familjet Kirajtani, Vetimi e Munik, i falënderuan për përkushtimin ndaj mbrojtjes së vlerave dhe kur në të kaluarën ka munguar mbështetja shtetërore.

“Gjatë mandatit tonë, buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore”, u shpreh tutje Kurti.

Ai përmes një postimi në Facebook, theksoi se me punën që po bëjnë, Qendrën Historike të Prizrenit, sipas tij po e bëjnë gati për ta nominuar në Listën Botërore të UNESCO-s.

“Qeveria jonë ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale. Pothuaj nuk ka komunë ku nuk kemi restauruar këto më shumë se tre vjet e gjysmë të drejtimit tonë. E puna vazhdon, në dhjetëra monumente, gjithandej vendit. Duke i ruajtur dëshmitë e së kaluarës, ne fuqizojmë identitetin kulturor dhe potencialin ekonomik të vendbanimeve tona”, u shpreh kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat