Komuna e Prizrenit, përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të enjten, ka furnizuar 57 fermerë lokalë me nga një mëshqerrë. Sipas zyrtarëve komunalë ky projekt do të kontribuojë në rritjen e produktivitetit të fermave , duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë.
Nënkryetari Kujtim Gashi ka theksuar se Komuna e Prizrenit është e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë, respektivisht fuqizimin e blegtorisë.
“Komuna e Prizrenit po i kushton vëmendje të veçantë sektorit të bujqësisë, duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike për blegtorët, që ata të përmirësojnë produktivitetin dhe prodhimin e qumështit”, ka thënë Gashi.
Drejtori i Bujqësisë, Bexhat Bytyçi, ka bërë të ditur se përfituesit në kuadër të këtij projekti janë fermerë të përkushtuar në blegtori.
Sipas tij projekti ka një kosto prej mbi 140 mijë eurosh, me ç’rast Komuna ka kontribuar me 85 për qind të shumës, ndërsa fermerët kanë mbuluar pjesën e mbetur.
“Ne kemi siguruar lopë të cilësisë së lartë që do të ndihmojnë në rritjen e prodhimit dhe të ardhurave për fermerët. Ky është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e sektorit të blegtorisë”, ka deklaruar Bytyçi.
Fehim Krasniqi nga Nasheci, njëri prej blegtorëve përfitues ka vlerësuar se me projektet e tilla mbështetet zhvillimi i fermave lokale. Ngjashëm si ai, edhe Rrahman Dervishaj nga Billusha ka theksuar se edhe më parë janë mbështetur në këtë mënyrë nga Komuna e Prizrenit.