Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara ka takuar përfaqësuesit e “Handikosit” në Prizren.
Gjatë takimit të zhvilluar në ndërtesën komunale, Totaj ka përmendur angazhimin e qeverisë komunale për të krijuar mundësi më të mira për integrimin dhe mbështetjen e PAK-ve në të gjitha fushat e jetës.
Sipas njoftimit të Komunës, Totaj ka vlerësuar se Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë, por edhe për t’i identifikuar hapat që duhen ndërmarrë për të siguruar një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
“Rëndësia e përmirësimit të kushteve të jetesës dhe mundësive për personat me aftësi të kufizuara është e madhe dhe ndër prioritetet tona”, ka thënë Totaj.