Komuna dhe afaristët e Dragashit kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike

Prizreni

Komuna dhe afaristët e Dragashit kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 08:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfaqësuesit e qeverisë komunale të Dragashit dhe të Shoqatës së Afaristëve “Sharri” kanë bërë thirrje për përmirësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike në Komunën e Dragashit.

Kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini ka takuar Shoqatën e Afaristëve “Sharri” me qëllim të adresimit të problemeve të vazhdueshme të furnizimit me energji elektrike në këtë komunë.

Në njoftimin e përbashkët thuhet se tashmë ka një kohë të gjatë që situata e furnizimit me energji elektrike në tërë territorin e kësaj komune është e paqëndrueshme.

Ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me energji elektrike po krijojnë pasoja të shumta, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike për bizneset lokale, si dhe dëme të ndryshme në amvisëri. Ndonëse në territorin e Komunës së Dragashit operojnë hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike më shumë sesa që konsumojnë qytetarët e Komunës sonë, ajo prapë po neglizhohet nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët e bizneset po ballafaqohen çdo ditë me mungesë të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit dhe Shoqatës së Afaristëve “Sharri”.

Komuna dhe afaristët kanë kërkuar nga institucionet kompetente të KEDS-it dhe KOSTT-it që të ndërmarrin hapa  konkretë dhe të menjëhershëm  për përmirësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike në Komunën e Dragashit.

“Komuna e Dragashit dhe Shoqata e Afaristëve “Sharri” janë të gatshme për t’u takuar me institucionet përgjegjëse, për t’i adresuar problemet dhe shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve lokale, në mënyrë që situata me energji elektrike në Komunën tonë të normalizohet sa më shpejt. Mbesim me shpresë se kërkesa jonë si përfaqësues të qytetarëve dhe bizneseve lokale të merret me urgjencë dhe të trajtohet me prioritet”, përfundon njoftimi i përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat