Një vit pas inicimit të procedurës së prokurimit për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën me operatorin fitues.
Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, organet komunale kanë konfirmuar se ky aktivitet i prokurimit është iniciuar me 15 dhjetor 2023,
Në tenderin e shpallur me 15 dhjetor 2023 thuhej se “do të rregullohet komplet strehimorja, duke përfshirë punimet statike, elektrike dhe të gjitha pozicionet e parapara deri në finalizim të objektit”, dhe se vlera e parashikuar e kontratës ësht 342 mijë euro, me kohëzgjatjen e paraparë me 300 ditë pune.
Data e hapjes së tenderëve ka qenë 10 janar 2024.
Ndërkaq njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar me 10 dhjetor 2024.
Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës theksohet se numri i tenderëve të pranuar ka qenë gjithsejtë pesë dhe se vetëm njëri prej tyre ka qenë i përgjegjshëm. Kësisoj fitues është shpallur “Alboss” ShPK me ofertën në vlerë prej mbi 274 mijë eurove.
Arsyeja për këtë zgjatje ka qenë kontestimi i vendimmarrjes së Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga operatorët ankues.
Në vendimin e datës 23 tetor 2024 të OSHP-së thuhet se ankesa e një operatori është hedhur si e palejuar, pasi është vlerësuar se ky operator ankues nuk ka arritur të dëshmojë se ka statusin e palës së interesuar sipas dispozitave ligjore.
Në të njëjtën kohë është sqaruar se Komuna e Prizrenit këtë aktivitet të prokurimit, duke u bazuar në ankesat tjera si dhe në vendimet e OSHP-së, dy herë e pat kthyer në rivlerësim. Megjithkëtë afër një vit që prej inicimit të prokurimit, organet komunale kanë arritur që ta nënshkruajnë kontratën për realizimin e këtij projekti.