Komuna e Prizrenit dhe policia rajonale kanë lansuar projektin për monitorim 24 orëve të lëvizjeve në qytetin e Prizrenit. Kamerat e sigurisë në fillim janë vendosur në zonën historike, ndërsa në të ardhmen ato do të vendosen në çdo pikë kyçe të qytetit dhe në fshatra.
Pamjet në qendër të qytetit të Prizrenit, mund të shihet në çdo kohë nga monitoruesit e policisë rajonale, falë vendosjes së kamerave të sigurisë. Prizrenasit thonë se në këtë mënyrë, qytetarët, vizitorët, turistët e huaj dhe bizneset, ndihen më të sigurt.
"Tash është një standard i ri që është bërë ç'do kund jo vetëm në Shatërvan, por edhe në vende të tjera, për shkak se edhe lëvizjet janë të mëdha, është një siguri ndoshta më e madhe edhe psikike", thotë qytetari Fadil Braha.
Qytetari Zyhdi Bajraktari thotë se jo vetëm Shatërvani, por edhe gjithë qyteti për sigurinë e popullit, duhet të jetë nën kamera.
“Ç'do ditë po ndodhin ngjarje të pakënaqura, kështu që edhe shteti edhe policia nuk po ju bjen dot në gjurmë, a kështu me kamera, gjithçka e ka në dorë situatën", tha ai.
"Shatërevani duhet me qenë 100% edhe pak është, me qenë nën vëzhgin 24 orë, arsyet janë të shumta, arsyet janë të shumta, njëherë mas pari prej hajnive, ngatrresave", tha Halit Shatri.
Ky projekt i përbashkët i Komunës së Prizrenit dhe policisë, ka për qëllim mbajtjen nën kontroll të qetësisë publike në çdo kohë.
"Ky monitorim na ndihmon në parandalimin e veprave penale, për shkak se , policët nga këtu mund të shohin shumë lëvizje të qytetarëve dhe lëvizje të dyshimta, dhe munden me kohë me ndërhy patrullat policore. Kjo na ndihmon përveq në parandalim edhe në zbulimin e veprave penale, pasi të njëjtat video incizime gjatë 24 orëve nëpër pika mund ti përdorim si dëshmi apo provë", tha Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë rajonale në Prizren.
Përveç Policisë së Kosovës, askush tjetër nuk mund të ketë qasje në videot e këtyre kamerave, kjo për shkak të ruajtjes së privatësisë qytetare.
"Në bazë të rekomandimeve nga Agjensia Kosovare e ruajtjes së privatësisë, është rekomanduar që monitgorimi 24 orë në vendet publike ta bëjë vetëm policia, edhe pse investimi dhe mirmbajtja është bërë nga komuna, monitorët janë në stacionin e policisë, video inçizimet nuk mund të dalin vetëm me urdhër të gjyklatës", tha Bytyqi.
Kamera të tilla do të vendosen edhe në pika të tjera kyçe të Prizrenit, përfshirë edhe hyrjen dhe daljen e fshatrave të komunës së Prizrenit.