Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në përvjetorin e shtetësisë së Kosovës, lidershipi lokal bashkë me hisedarë tjerë kanë realizuar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
“Në kuadër të aktiviteteve për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari Shaqir Totaj, bashkë me zyrtarë komunalë, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë, ditën e filluan me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se dëshmorët janë nderuar për shkak të sakrificës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Gjatë ceremonisë përkujtimore, u vendosën kurora lulesh në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e shtetësinë e Kosovës, për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt e të zhvilluar. Lavdi dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të gjallë!”, përfundon njoftimi i Komunës së Prizrenit.