Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka ndërmarrë aksion për lirimin e hapësirave publike nga barrierat e vendosura pa leje, që kanë penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ky aksion, sipas autoriteteve komunale, synon të sigurojë trotuare dhe rrugë të kalueshme për qytetarët, duke eliminuar pengesat e paautorizuara.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektorët komunalë kanë vepruar në disa rrugë kryesore të qytetit.
“Aksioni përfshiu rrugët: “Ersan Mazreku”, “Edit Durham”, “Rrustë Kabashi”, “Muhaxherëve”, “Zahir Pajaziti”, “Rifat Krasniqi”, “Fehmi Lladrovci”, etj., me qëllim përmirësimin e kushteve të lëvizjes për qytetarët”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Gjatë këtij aksioni janë larguar pengesa të llojeve të ndryshme, për të krijuar kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve.
Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se aksione të tilla do të ketë në vazhdimësi.