Memorialët në Prizren, kërkohet përkujdesje institucionale

Prizreni

Memorialët në Prizren, kërkohet përkujdesje institucionale

Më: 8 mars 2025 Në ora: 21:57
Muzeu i dëshmorëve në Landovicë

Muzetë dhe memorialët kushtuar luftës së UÇK-së, në Komunën e Prizrenit, duket se nuk e kanë përkujdesjen e duhur. Për gjendjen e tyre kanë reaguar organizatat e dala nga lufta, ndërsa Drejtoria e Kulturës e fajëson operatorin ekonomik për papërgjegjësi në kontratën e marrë përmes ankesës nga OSHP.

Muzeu i dëshmorëve në Landovicë dhe memorialët e ngritura në komunën e Prizrenit nuk kanë përkujdesjen e duhur institucionale. Këtë ankesë e bëjnë organizatat e dala nga lufta.

"Ne gjithmonë duhet të intervenojmë ose të bëjmë kërkesa për X memoriale, të cilat dëmtohen vazhdimisht për arsye se, nuk kanë një mirëmbajtje të mirëfilltë, do me thënë, që përkujdesen vazhdimisht për ta. Unë po e ceki se edhe muzeu që është në kuadër të dëshmorëve që gjendet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, para dy viteve pësoi një avari dhe, deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë në atë aspekt, nuk është rregullua e as nuk është pasurua me eksponate të ndryshme që u takojnë UÇK-së", thotë Isa Berisha, kryetar i OVL-së në Prizren.

Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve thotë se në këtë gjendje që është muzeu, familjarët po kërkojnë ti heqin eksponatet e familjarëve të tyre.

"Na kemi bë mend kur është formua që kanë me u vendos aty edhe armët e ushtarëve, dëshmorëve,  si eksponate, por faktikisht aty në këtë gjendje edhe qeto rroba edhe këto eksponate, po kërkojnë me i heq", tha Xhevit Berisha, kryetar i familjeve të dëshmorëve në Prizren.

"Unë kisha bërë apel kush është përgjegjës, që mundet me ndikua në këto sende, le të merr masa, ose le ti heqin fotot edhe uniformat e le ta rrëzojnë këtë objekt", tha Halit Thaqi, roje i varrezave në Landovicë.

Me gjendjen aktuale pajtohet edhe drejtori i kulturës, Adem Morina.

“Fatkeqësisht nuk është në një gjendje të mirë, sidomos muzeu në Landovicë, mirëpo nuk është një problematikë që ka ndodh sot, por është e mëhershme, megjithatë në si drejtori para nja një vit e gjys e kemi marrë si kontratë, mirëmbajtjen e memorialëve, të gjitha lapidarëve, në nivel komune, por dua ta theksoj se operatori ekonomik që e ka fitu të drejtën për mirëmbajtjen e këtyre memorialëve, nuk ka qenë në gjendje ti rrijë punës karshi", thotë ai.

Morina shtonë se operatori është përzgjedhur nga OSHP pas ankesës, ndërsa po mendohet t’i ndërpritet kontrata.

"Ne jemi detyrua që herën e parë ti japim vërejtje, herën e dytë i kemi dhënë përsëri vërejtje, e herën e tretë vërejtja do të jetë për ndërprerjen e kontratës. Pse po e them këtë, sepse është çështje e ndjeshme, sidomos tek memorialët e dëshmorëve, sepse një operator ekonomik shkon për ta kry një shërbim dhe nuk e kryen, pastaj na qet në dilema jo vetëm neve por edhe familjarëve dhe krijohet mosbesimi ndaj institucioneve", thotë Morina.

Memorialët, shtatoret kushtuar luftës së UÇK-së në Prizren janë të vendosura pothuajse në çdo fshat e ku ka pasur fushëbetejë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat