Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri i MZHR-së, Fikrim Damka përmes një deklarate publike ka mohuar kryerjen e ndonjë vepre penale në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt 2025. Madje tërë situatën e krijuar, që kishte rezultuar me ndalimin e tij dhe më pas me masën e arrestit shtëpiak, me pretendimet për sulm dhe kanosje, e ka quajtur një kurth të bazuar në fushatë shpifëse.
“Më 9 shkurt, në ditën e zgjedhjeve, ndaj meje dhe nipit tim është organizuar një kurth dhe është iniciuar një fushatë shpifëse përmes akuzave të pabazuara, duke u përpjekur të ndikojnë gabimisht në sistemin e drejtësisë. Për shkak të disa deklaratave që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, pavarësisht se nuk është kryer asnjë vepër penale, unë dhe nipi im u ndaluan nga Prokuroria për 42 orë dhe më pas, me vendim gjykate, u vumë në arrest shtëpiak për një muaj”, ka thënë ai
Damka ka shtuar se ashtu siç është deklaruar në Prokurori dhe në Gjykatë, në ngjarjen e pretenduar më 9 shkurt, as ai dhe as nipi i tij nuk kanë kryer asnjë sulm fizik apo kërcënim.
“Pamjet nga kamerat dhe dëshmitë e personave të pranishëm në vendngjarje gjithashtu e konfirmojnë këtë të vërtetë”, është shprehur Damka.
Ai ka shfaqur besimin se drejtësia do të vihet në vend dhe se gjykatat do ta zbardhin të vërtetën për këtë rast.
Ngjashëm si ai, edhe KDTP-ja përmes një deklarate, ka theksuar se kjo fushatë shpifëse nuk është vetëm një sulm ndaj Damkës dhe familjes së tij, por gjithashtu një sulm edhe ndaj komunitetit turk të Kosovës dhe vullnetit të tij, raporton Telegrafi.
Për më shumë është shprehur qëndrimi se ngrehja e akuzave të pabazuara ndaj një lideri politik nuk përkon me asnjë normë të moralit politik apo njerëzor.
Ndërkaq Damka ka pohuar se fushata të tilla nuk janë hasur në skenën politike të Kosovës.
“Skena politike e Kosovës nuk ka qenë dëshmitare e një fushate të tillë shpifëse deri më sot. Rivaliteti ka ekzistuar gjithmonë, por kurrë nuk janë shkelur kaq hapur normat e etikës dhe sjelljes politike. Për vite të tëra, kemi bashkëjetuar në skenën politike me individë me mendime dhe qëllime të ndryshme, por pika jonë e përbashkët ka qenë gjithmonë mbrojtja dhe përparimi i identitetit turk. Fatkeqësisht, ky kurth përfaqëson një nga goditjet më të rënda ndaj kësaj kauze të shenjtë dhe ndaj Partisë Demokratike Turke të Kosovës. Ajo që e bën situatën edhe më të dhimbshme është se kjo përpjekje është organizuar nga disa turq”, ka thënë kryetari i KDTP-së.
Tutje si ai edhe KDTP-ja kanë theksuar se nga fillimi i kësaj çështjeje, “kemi parë se disa media kanë shfrytëzuar këtë situatë për të përçarë komunitetin turk dhe për të krijuar tensione mes nesh” dhe se ky skenar nuk ka pasur sukses, pasi komuniteti turk, nuk ka rënë pre e kësaj fushate shpifëse, dhe përkundrazi, është bashkuar edhe më shumë, duke forcuar unitetin dhe solidaritetin e tij.
Në të njëjtën kohë është shprehur mirënjohja edhe për mesazhet e mbështetjes të marra nga Turqia, nga vendet e Ballkanit dhe nga të gjitha anët e Kosovës.
“Na gëzon fakti që ky proces nuk na ka dobësuar, por përkundrazi, na ka forcuar edhe më shumë. Identiteti institucional i partisë sonë është ruajtur dhe aktivitetet tona nuk janë ndërprerë. Edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim të njëjtë dhe i njoftojmë publikisht të gjithë për këtë”, thuhet në deklaratën e KDTP-së, duke shtuar se kjo parti me besimin se drejtësia do të triumfojë, do të vazhdojë punën me unitet dhe solidaritet.
Gjykata Themelore e Prizrenit, muajin e shkuar pat caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj kryetarit të KDTP-së dhe ministrit të MZHR-së, Fikrim Damka dhe nipit të tij, për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprat penale sulm dhe kanosje. Por kjo Gjykatë javën e shkuar e ka liruar Damkën dhe nipin e tij nga kjo masë.