Komuna e Prizrenit përcakton kufijtë e hapësirave publike për bizneset në Qendrën Historike

Prizreni

Komuna e Prizrenit përcakton kufijtë e hapësirave publike për bizneset në Qendrën Historike

Më: 21 mars 2025 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë nisur veprimet për përcaktimin e hapësirave publike që mund të shfrytëzohen nga operatorët ekonomikë në Qendrën Historike të qytetit.

Sipas tyre pas punimeve për rehabilitimin e rivitalizimin e infrastrukturës në zonën historike në radhë është edhe përcaktimi i kufijve të hapësirave publike që mund të shfrytëzohen nga bizneset e gastronomisë.

Drejtori i Inspektorateve, Islam Ukimeri ka pohuar se këto veprime janë të domosdoshme për të vënë rregull në zonën historike të qytetit, përkatësisht për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve e vizitorëve.

“Në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren jemi dakorduar që të bëhet shënjëzimi dhe të përcaktohen kufijtë e hapësirave publike që mund të shfrytëzohen nga operatorët ekonomikë, për të cilën pjesë edhe paguajnë taksa”, ka thënë Ukimeri.

Gjithashtu i ka bërë thirrje të gjithë operatorëve që shfrytëzojnë hapësirën e përcaktuar publike ti respektojnë kufijtë e përcaktuara.

Komuna e Prizrenit rishtazi ka bërë investim të konsiderueshëm në sheshin e Shadërvanit. Si Drejtori e Inspektorateve obligohemi që ta monitorojmë gjatë gjithë kohëës këtë zonë lidhur me respektimin e pjesëve të përcaktuara ashtu që mos të keqpërdoret përkatësisht mos të zihet hapësira publike dhe të respektohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe turistëve”, është shprehur ai.

Ndërkaq përfaqësuesi nga komuniteti i gastronomëve, Ilir Shala, ka pohuar se përcaktimi i këtyre kufijve vjen si rrjedhojë e konsultimit paraprak të hisedarëve, me qëllim të krijimit të një pamjeje më të mirë në qendrën e qytetit.

“Rregullat për një vijëzim i kemi dakorduar gjatë punës në Planin për pamjen e Shadërvanit.  Besojmë se një gjë e tillë do të ofrojë një përjetim më të mirë të Qendrës Historike të Prizrenit dhe neve si biznese do të na kthehet për të mirë”, ka thënë Shala.

Komuna e Prizrenit ka investuar mjete të konsiderueshme në rehabilitimin e rivitalizimin e infrastrukturës në Sheshin Shadërvan dhe në rrugën “Shuaip Spahiu”. Punimet në këtë aspekt në qendër të qytetit ende po vijojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat