“Vuajtja e bashkëndarë me vuajtjen e Krishtit dhe Marinë, është dhuratë e mrekullueshme, më e bukura: dhuratë dhe vërtetim dashurie, sepse duke na dhënë të Birin e vet, Ati ka dëshmuar se e do botën. Kjo tregon se ishte një dhuratë, dhurata më e madhe e dashurisë, sepse vuajtja e tij ishte shlyerje e mëkateve.” (Nëna Tereze)
E tërë jeta botore e Jezusit, edhe mrekullitë, nuk janë asgjë tjetër përpos hyrje dhe përgatitje për vdekjen dhe ngjalljen e tij. Ai, mbi vete i mori mëkatet e botës. Mu për këtë arsye, Shën Gjoni thotë: Ja Qengji i Hyjit...
Në shenjën e parë të mundimit, mendojmë të djersiturit e Jezu Krishtit në gjak në kopshtin e Gjetsemanit.
Ishte urata dramatike dhe “lufta” mes Jezusit dhe Atit qiellor, deri në djersitje në gjak, ku Ai është i vetmuar dhe përfaqëson botën e së keqes dhe mëkatit. Ai, lufton në brendi, në një çast tejet të vështirë dhe vendimtar. Me djersitje në gjak, Jezusi e vërteton përkatësinë ndaj Atit, pranimin dhe zbatimin e vullnetit të tij për shëlbimin e botës. Jezusi kërkon solidaritet dhe përkrahje prej nxënësve, mirëpo ata flenë, nuk janë me Të.
“Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” (Mt 26, 41)
Ati kërkon prej Jezusit dëgjesën - edhe gjakun e tij - flijimin më të lartë, dhe kjo ishte vërtetimi i dashurisë dhe besnikërisë në planin e shëlbimit. Jezusi, mbeti besnik ndaj Atit deri në vdekje, edhe pse i lutej kështu: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullnesa jote!” (Mt 26, 42)
Në këto çaste nuk ishte e pranishme Virgjëra Mari, por një tjetër Mari. “”Iu afrua një grua me një enë alabastri plot parfum të shtrenjtë dhe ia zbrazi mbi krye.” (Mt 26, 7)
Porosia për ne: Jezusi është i vetmuar, djersitet në gjak, i drejtohet Atit, pastaj edhe miqve të vet – apostujve. Si reagojmë ne në çaste të vështira: kërkojmë para së gjithave Atin, vullnetin dhe planin e tij, pastaj të afërmin? Ne besojmë në vlerën absolute të vuajtjes dhe kryqit të Krishtit, por duhet ta pyesim vetveten nëse e pranojmë kryqin tonë si mjet dhe kusht të domosdoshëm për shëlbimin tonë. Po-ja jonë duhet çdo të ditë të shkruhet dhe vërtetohet me lot, vuajtje dhe dashuri, si shprehje e fesë tonë dhe rrugë e shëlbimit.
“Dhembja nuk është ndëshkim. Jezusi nuk ndëshkon kurrë. Dhembja është një shenjë – një shenjë që iu kemi afruar shumë Krishtit në kryq. Jezusi na qorton: rrini zgjuar dhe lutuni... Vetëm me vigjilencë dhe uratë mund të mbesim besnik Jezusit.”(Nëna Tereze)
Në shenjën e dytë të mundimit, mendojmë lidhjen dhe rrahjen e Jezusit në oborr të Pilatit.
Jezusi, para se të kryqëzohej, keqtrajtohet dhe mundohet në lloje të ndryshme. Juda e tradhton (krhs. Mt 26, 47-51); Pjetri e mohon (krhs. Mt 26, 69-75); apostujt tjerë e braktisin nga frika. Populli, nuk dëshiron ta pranojë një “Mesi” të tillë, dhe bërtasin me ngulm: “Të kryqëzohet!...Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!” (Mt 27, 22. 24)
Ishte ky fillimi i mundimeve, sprovave për mëkatet e njerëzimit. Sa shumë ka vuajtur edhe Virgjëra Mari në këto rrethana? Vetëm tash dhe kështu kishte filluar të kuptonte barrën e madhe të mëkatit, nëpërmjet vuajtjes dhe mundimeve të Birit të saj, Jezu Krishtit, “në të cilin kemi shpërblimin – faljen e mëkateve.” (Kol 1, 14)
“Ne të gjithë e braktisim Jezusin. Maria mbeti së bashku me Të. Maria nuk ndihej e përvujtëruar që Jezusin e rrahin, ia pështynin fytyrën, ishte si një i gërbulur, i padëshiruar, i dëbuar, i urrejtur prej të gjithëve. Ai ishte Jezusi, Biri i saj. Në këtë shfaqet dashuria e madhe e zemrës së nënës... Besnikëria dhe dashuria vërtetohet dhe përforcohet në vuajtje, si bëri Maria, Shën Gjoni dhe gratë e përshpirtshme.” (Nëna Tereze)
Në shenjën e tretë të mundimit, mendojmë kurorëzimin e Jezusit me ferra.
Vuajtja e Jezusit vazhdon, armiqtë e tij janë “krijues” për të keqe, shpikin mënyra të llojllojshme për ta munduar edhe më tepër.
“Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij krejt kohortën. E zhveshën dhe ia qitën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye, ndërsa në dorën e djathtë ia dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunjë para tij për ta venë në lojë e i thoshin: “Të falemi, mbreti i Judenjve!”., e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë. Pasi e vunë në lojë, ia hoqëm mantelin e kuq, e veshën me petka të tija dhe e çuan për ta kryqëzuar.” (Mt 27, 27-31)
Jezusi, siç thotë Isaia, është Njeriu i dhembjes. Këtu dhe kështu ndriçon hyjnia e Tij, sepse me shumë dinjitet, qetësi, dashuri, e plotëson vullneti e Atit, për shëlbimin e mbarë njerëzimit. Jezusi edhe në këto çaste thotë kështu: “Mirë thua! – i përgjigji Jezusi – Unë jam mbret! E unë leva dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time”. (Gjn 18, 37)
Mbretëria e Jezusit është krejtësisht e ndryshme prej mbretërive tokësore, në shërbim, në vuajtje, në faljen e mëkateve, në dashuri edhe për armiq...
Pas rrahjes, kurorëzimit me ferra, Pilati ia paraqet popullit me këto fjalë: “Qe, Njeriu!” (Gjn 19, 5)
Për ne kjo domethënë: Ja Zoti i cili është bërë Njeri, për dashuri të madhe që ka për të gjithë ne, për shëlbimin dhe lirinë tonë, për amshimin e lumtur!
Edhe Virgjëra Mari e barti kurorën me ferra në zemrën e saj amtare, si Nëna e dhembjes.
Ta pyesim vetveten: si sillemi ne në vështirësi dhe në dhembje? Dhimbja, vuajtja a na bashkon edhe ne me Krishtin, Marinë, me Kishën, me të afërmin, apo ndoshta na largon prej tyre?
“Ta fillojmë edhe ne “Udhën e kryqit” me guxim dhe me gëzim, sepse nëpërmjet Kungimit të Shenjt, Jezusi është me ne. E kemi Jezusin, Bukën e jetës, që na jep fuqi.” (Nëna Tereze)
Në shenjën e katër mendojmë ngjitjen e Jezusit me kryq në krah në mal të Kalvarit.
Jezusi për ne lindi prej Virgjërës Mari, për ne barti kryqin, vdiq dhe qe varrosur. Ai na ka pajtuar me Atin dhe me njëri-tjetrin dhe na ka shëlbuar nëpërmjet kryqit, apo siç themi në Besojmë: për ne dhe për shëlbimin tonë.
Disa flijohet për atdhe, heronjtë; disa për idetë dhe idealet e tyre, Sokrati e shumë të tjerë; disa për familje, për bashkësi; por askush për armiq, siç bëri Jezusi. (krhs. Rom , 5, 7)
Ky është Jezusi, i dërguari i Atit, për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ai i paraqitet Atit, na mbron dhe shëlbon me Gjakun e tij të paçmueshëm.
Jezusi e barti kryqin, simbolin e së keqes, barrën e mëkatit dhe pabesnikërisë. Kryqi është i madh dhe tejet i rëndë, por dashuri e Krishtit është edhe më e fortë!
Ndonjë herë edhe ne kryqi na duket i rëndë, i papranueshëm, por gjithmonë duhet të kujtojmë Krishtin dhe kryqin e tij, si mjet shëlbimi, lirie dhe amshimi. Mos të harrojmë: edhe Jezusi është rrëzuar nën barrën e kryqit tri herë, por nuk është dorëzuar, por e ka bart deri në fund. Pa Krishtin kryqi është i rëndë, i pakuptimtë, rrënues, ndërsa me Krishtin është dhe mbetet mjet për ta dëshmuar fenë dhe dashurinë tonë ndaj Tij.
Virgjëra Mari, hap pas hapi, së bashku me gratë e përshpirtshme, përcjellë Jezusin në udhëtimin drejt Kalvarit, dhe pas s’kishte mundësi ta ndihmonte, ajo nuk ankohet, nuk kundërshton ndaj Atit dhe armiqve të Krishtit, por vuan në heshtje dhe në dashuri. Ajo pëson dhe ofron tërë jetën e saj, si Nëna e dhembjes, së bashku me të Birin, Jezusin, duke besuar dhe pritur...
“Jezusi na thotë kështu: Nëse dëshiron të jeni nxënësit e mi, merreni kryqin tim dhe ejani pas meje. Para se ta marrim kryqin e tij, Ai e dinte se ne kemi nevojë për Të, se nuk do të ishim të aftë për të ecur pas Tij, për t’i përballuar kryqet tona... Ai vazhdon të vuajë në vëllezër dhe motra tona në dhembje, duke jetuar dhe përjetuar, përsëritur vuajtjen e Tij ndër ne.” (Nëna Tereze)
Në të pestën shenjë të mundimit mendojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit në kryq.
Ky është misteri i madh i fesë tonë, Biri i Zotit është i kryqëzuar në mes të dy hajnave (krhs. Gjn 19, 18-20), në dhembje të mëdha rri i varur në kryq. Çdo gjë duke se ka gabuar dhe dështuar, përfunduar në mënyrën më të keqe. “Humbësi” i madh duket Jezusi, tash i braktisur nga të gjithë, edhe prej Atit të amshuar, sepse Ai ishte identifikuar dhe njësuar me mëkatet e botës. “Çdo gjë është plotësuar” klith Jezusi prej kryqit (krhs. Gjn 19, 30), siç të donte t’i thotë Atit, në Shpirtin Shenjt: Ati im, dërgimin që ma ke besuar, unë e plotësove me besnikëri dhe dashuri. Tash, nëpërmjet vdekjes time, të gjitha po i lë në dorën tënde, veten dhe mbarë botën!.
Nga ky flijim dhe dhurim lindi Kisha, ndërmjetësuese mes Zotit dhe njeriut, nga zemra e shporuar, nga e cila “menjëherë rrodhi gjak e ujë” (Gjn 19, 34), domethënë pagëzimi dhe Eukaristia.
Virgjëra Mari rrinte nën kryq për të marrë pjesë plotësisht në këtë vepër. Jezusi, duke e parë atë, tha: “Grua, qe, yt bir!”. Mandej i tha nxënësit: “Qe, nëna jote!” Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.” (Gjn 19, 26-27)
Kështu Zoja Mari bëhet edhe Nëna jonë. Udha e kryqit të Krishtit është udha jonë, shëlbimi ynë. Si duket jeta i ka dy fytyra apo faqe: dashurinë dhe dhembjen. Mu për këtë mund të themi që dhembja është vërtetimi i fesë dhe dashurisë, pa të cilat shumëçka, ndoshta edhe gjithçka, edhe vetë jeta e njeriut do të dukej dhe do të ishte pa kuptim dhe qëllim.
“Te këmbët e kryqit Mari është bërë Nëna jonë, se Jezusi, para se të vdiste, tha se e jepte Nënën e tij Shën Gjonit dhe Shën Gjonin Marisë. Shi në këtë çast ne bëhemi bijtë e saj... Në mundimin dhe vdekje Krishti pati çaste të vështira dhe mbeti i vetmuar, pastaj i pyeti nxënësit: Si nuk keni mund të jeni me mua për një orë? E dimë se pati nevojë për të qenë ngushëlluar. Ishte i braktisur prej të gjithëve: mos të jesh i dashur nga askush, mos të jesh askush, sepse të gjitha ia kemi dhuruar Jezusit.... Duke medituar mundimin dhe vdekjen e Jezusin në kryq, duhet të mësojmë të vuajmë, sepse vetëflijimi është i domosdoshëm...Jezusi na ka mësuar si të falim për dashuri, si të harrojmë për përvujtëri... Vuajtja, dhembja, përvujtërimi...janë puthjet e Jezusit, shenjë që Jezusi na do dhe na fton në bashkëpunim për shëlbimin e botës.” (Nëna Tereze)
Prishtinë, 15 shkurt 2023 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJI