Fjala dhe bekimi drejtuar, “Urbi et Orbi” --qytetit të Romës dhe Botës mbarë – është bekimi dhe rasti më solemn i Kishës Katolike dhe rezervohet për rastet më solemne të Kishës, siç janë Pashkët e Krishtlindjet. Bekimet “Urbi et Orbi”, drejtuar qytetit të Romës dhe Botës, jepen nga e ashtuquajtura “loggia” e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, normalisht në orën 12 të mesditës dhe transmetohen anë e mbanë botës nga enti evropian, European Broadcasting Union dhe nga lidhje të tjera transmetuese botërore. Predikimi dhe bekimi me këtë rast përfundon me përshëndetje dhe urim nga Papa, për festën e rastit, në shumë gjuhë të huaja, përfshir gjuhën shqipe.
Një lajm shumë i bukur ky! Këtë të djelë të Pashkëve (2023), krah për krah me Papa Françeskun në atë platformë për të bekuar “Urbi et Orbi” dhe për të përshëndetur Botën mbarë me rastin e kësaj feste të madhe për Kishën Katolike, do të jetë Kardinali shqiptar, Ernest Simoni, sipas një njoftimi nga Radio Vatikani shqip. Ky lajm më solli ndër mend kohën gjatë luftës së ftohtë kurnë raste të tilla edhe Zëri i Amerikës transmetonte pa vonesë përshëndetjet e Papës, drejtuar botës në gjuhë të ndryshme, përfshir edhe gjuhën shqipe.
Natyrisht se ky është një moment historik dhe i paharrueshëm për Kardinalin Ernest Simonin, personalisht, por edhe për Kishën e vuajtur Katolike shqiptare. Frank Shkreli: Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar | Gazeta Telegraf. E gjithë bota do mësojë se megjithë përpjekjet prej gjyësm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës, për ta zhdukur atë dhe klerikët e saj nga faqja e dheut, Kisha Katolike shqiptare qenka gjallë.
Reagimi i Kardinalit shqiptar për të qenë bashkë me papën në këtë moment ishte, kuptueshëm, tepër emocionues dhe i papritshëm. “Emocion i jashtëzakonshëm me marrë lajmin e shoqnimit të Atit Shêjt në bekimin “Urbi et Orbi”, si kardinal daikon”, është shprehur Kardinal Simoni për Radio Vatikanin – “lêne ma me kremtue të dielen e Pashkëve në atë balkon, nga i cili, gjatë historisë së Kishës, shumë Papë i kanë drejtue lutje dhe bekime botës mbarë”, ka thenë ai.
Është ky një moment vërtetë i rëndësishëm në jetën e Ernest Simonit, Kardinalit të moshuar 94-vjeçar nga Shqipëria, përfaqsues i Kishës së martizuar Katolike Shqiptare, i cili është emëruar kardinal nga Papa për dëshminë e tij dhe besnikërinë e tij ndaj fesë së tij gjatë 28-viteve burgim e punë të detyruar, “besnik i patrembur”, siç e ka quajtur atë Papa Françesku, duke filluar nga viti 1961 e deri në vitin 1991.
“E kush do ta besonte, kur diktatura korrte e grinte kryekreje meshtarët, se njëri prej tyre do të ngjitej një ditë të lumnueshme Pashkësh, aty ku ngjiten përfaqësusit më në zë të krishterimit? "Armiku i popullit" i akuzuar se kishte kremtuar Meshë për pushimin e pasosur të Presidentit katolik John Fitzgerald Kennedy, i vrarë në Dallas në vitin '63…”, thuhet në lajmin e botuar për këtë ngjarje nga Radio Vatikani dhe citon një deklaratë të Kardinal Ernest Simonit mbi përvojn e tij në burgjet e Enver Hoxhës:
"Kur isha në burg” – kujton ai – “e zbardhte agimi, nuk e dijshim a do ta shihshim ma diellin në perëndim mbas ditës të kalueme me tortura, ngacmime, dhunë dhe marrje në pyetje, ku na kërkohej të trathtojshim deri dhe përmbajtjen e rrëfimeve. Gjatë ndalimit në kampet e punës, në minierat ku nxirrnim bakër dhe pirit, po të kishte ra një gur në tunele, të gjithë do të fluturojshim në Parriz, njeni-mbas-tjetrit, tue pasë parasysh kushtet e pasigurta në të cilat kemi punue, pa asnjë siguri apo mbrojtje”.
Kjo, ishte jeta e kardinalit! Megjithatë, kurrë nuk e humbi shpresën: "Nuk do ta kisha besue kurrë se mbas aq shumë goditjesh, dhimbjesh mizore të shkaktueme prej zinxhirëve që m'i shtërngonin tmerrësisht kyçet, mbasi më kishin heqë lirinë e, mbi të gjitha, pa mujtë me ushtrue shërbimin e priftit për t'i shërbye njerëzve dhe për të shpallë Lajmin e Madh të Shëlbimit, do të jetojshe tashti ditë kaq të bukura, të pasuna me dhanti shpirtnore në shërbim të besimtarëve, për shpëtimin e shpirtënve. Nuk e kisha mendue kurrë se do të merrja Mitrën e kardinalit, dhuratë e madhe e papritun, dhuratë, që nuk do ta heq kurrë ma. Nuk më mbetë tjetër, veçse me e falënderue me gjithë zemër Papën Françesku; të lutemi për Atin e Shenjtë, që Zoti t'i japë forcë dhe shëndet në shërbesën e tij universale, si pasardhës i Shën Pjetrit", ka përfunduar Kardinal Ernest Simoni reagimin e tij ndaj nderit që i ka bërë Papa Françesku këtij prelati të lartë të Kishës Katolike Shqiptare, duke e ftuar t’i bashkohet atij me rastin e festës së Pashkëve për të uruar, bekuar dhe për të përshëndetur mbarë botën me këtë rast.
Jetë të gjatë edhe Kardinalit Ernest Simoni, ashtuqë edhe ky të jetojë për të dëshmuar duke treguar krimet barbare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm kundër Kishës Katolike dhe klerit të saj, por kundër një Kombi të zënë rob për një gjysëm shekulli!
Paqë të gjithë shqiptarëve me Zotin dhe me njëri tjetrin!
Frank Shkreli