Sot festohet Fitër Bajrami, kuptimi i kësaj feste

Religjion

Sot festohet Fitër Bajrami, kuptimi i kësaj feste

Më: 21 prill 2023 Në ora: 06:57
Foto ilustrim

Besimtarët e fesë islame po festojnë sot Fitër Bajramin, pas përfundimit të Muajit të Ramazanit.

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Kjo festë ka edhe përmbajtjen e saj, gëzimin, harenë, në çka tregon edhe shembulli i Ebu Bekrit r.a., i cili me një ditë bajrami e vizitoi të bijën e tij, Aishen r. anha, në shtëpinë e Muhammedit a. s.

Aty takoi dy shërbëtore që këndonin në shenjë feste. Ebu Bekri r. a., i prekur nga kjo gjendje, si baba, e qortoi Aishen r. anha, duke bërtitur: “Vallë, kënga në shtëpinë e Pejgamberit të Zotit?! Pejgamberi i Zotit, i kthyer me shpinë nga ana tjetër, u kthye dhe tha: “O Ebu Bekër, lëri! Çdo popull i ka festat e veta, kurse kjo është festa (bajrami) jonë”. (Buhariu dhe Muslimi, në: Muhammed Abdullah Draz, Agjërimi i Ramazanit, Prishtinë, 1987).

Në arabisht quhet ‘Id, që do të thotë kthim, sepse gjerat kthehen në gjendjen e mëhershme, normale, siç është ngrënia gjatë ditës etj.

Festën e Bajramit të Ramazanit do ta shënojnë të gjithë besimtarët, e sidomos ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre shpirtëror e fizik.

Baza sheriatike e faljes së namazit të Bajramit është në suren El-Kevther, ajeti 2: “Prandaj falu për Zotin tënd dhe pre kurban!”, dhe në suren El-A’la ajeti 14-15: “Shpëtimin do të arrijë ai që pastrohet (nga të këqijat) dhe që e përmend emrin e Zotit të vet dhe falet!” Komentuesit e Kur’anit mendojnë se fjalët falu (fe sal-li –) dhe falet (fe sal-) janë në lidhje me faljen e namazit të bajramit.

Prej kur daton Bajrami?

Bajrami i parë i Muhammedit a. s. ka qenë në vitin e dytë hixhri, në çka tregon hadithi në të cilin Enesi transmeton se “Pejgamberi i Allahut erdhi në Medinë, kurse banorët e saj kishin dy festa nga koha e injorancës, gjatë së cilave ditë ata argëtoheshin. Pejgamberi a. s. i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?’, kurse ata u përgjigjen: ‘Dy ditë në të cilat ditë jemi argëtuar gjatë kohës së injorancës.” Në këtë Pejgamberi i Zotit tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato festa me dy festa më të mira: atë të Kurbanit dhe të Ramazanit.’” (Ebu Davudi, hadithi është sahih.)

Besimtarët myslimanë, përkatësisht shënojnë edhe disa data të tjera, si: Bedrin, Çlirimin e Mekës, Kadrin, Mi’raxhin, Mevludin etj. Në këto ditë agjërohet, lexohet Kur’an, bëhet namaz nafile e veprime tjera të pëlqyera. Disa grupe minore thonë se këto nuk janë festa dhe se janë haram (bid’ate) të festohen. Përgjigjja është se këto data nuk janë detyrime fetare, por data që muslimanët i kujtojnë për të mirë dhe në këtë emër këndojnë Kur’an, agjërojnë, bëjnë ibadete të ndryshme, ndajnë sadakë, jo si festa por si ditë që duhet ta mbajnë gjallë kujtesën e myslimanëve. Me këtë veprim ata nuk kryejnë asnjë shkelje të dispozitave, përkundrazi, shtojnë intensitetin e ibadeteve dhe zbusin zemrat para egoizmit.

Pastrimi i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, oborrit dhe rrugës

Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë individuale, kolektive, por edhe pastërtisë shpirtërore, ekologjike etj., nisur nga kjo, dikur por edhe sot është detyrë parësore e familjeve myslimane pastrimi i shtëpisë, i dekorit shtëpiak etj. Pastrohet edhe oborri i shtëpisë, stërpiket me ujë rruga dhe hiqen mbeturinat si kurrë më parë. Ditët e fundit para Bajramit tërë familja janë në shërbim të pastrimit të shtëpisë, brenda dhe jashtë, që ditët e Bajramit të duken sa më të këndshme.

Pastrimi i besimtarëve para namazit të Bajramit

Para se të nisen në xhami për namaz të Bajramit, besimtarët pastrohen. Këtë e kanë praktikuar as’habët më të mëdhenj: Ibn Umeri r.a., Aliu r.a., Hasan Basriu e të tjerë nga dy brezat e parë. Koha e pastrimit duhet të jetë sa më afër Bajramit, por për shkak të rrethanave të ndryshuara, largësisë së xhamive e tjera, pastrimi mund të bëhet kurdo qoftë para Bajramit.

Veshmbathja e mirë

Gjatë Bajramit myslimanët duhet të vishen mirë, me rrobat më të mira që kanë. Edhe Muhammedi a.s., edhe Omeri r.a. edhe as’habë të tjerë janë veshur bukur. Veshmbathja nuk vlen vetëm për ata që shkojnë në xhami por për të gjithë. Edhe ambienti në shtëpi, oborr e rrugë duhet të dallohet nga ditët tjera, si shenjë e Bajramit dhe edukatës myslimane. Zbukurimi nuk nënkupton veshjen ekstravagante, parfumosjet e pavend, zbulimin e trupit etj.

Ngrënia diçka para Bajramit të Ramazanit

Dijetarët myslimanë pajtohen se myslimanët para se të shkojnë në namaz të Bajramit duhet të hanë diçka. Ishte praktikë e Muhammedit a.s. t’i hajë disa kokrra hurme, zakonisht tek, para namazit. Kjo është shenjë që po përfundon agjërimi. E kundërta veprohet gjatë bajramit të Kurbanit. Në atë rast, nuk hamë asgjë derisa kthehemi prej namazit të Bajramit.

Shpërndarja e sadakat’ul-fitrit (dhe zekatit) për Fitër Bajram

Koha e fundit për ta dhënë sadakt’ul-fitritn në institucionet e Bashkësisë Islame është namazi i Bajramit. Në rrethanat e atëhershme, Muhammedi a.s. ka urdhëruar që sadaka të ndahet para namazit. Për shkak të rrethanave të tjera të banimit, të urbanizimit të qyteteve etj., kohëve të fundit sadakat’ul-fitri organizohet ndryshe, tubohet më herët nga institucioni i Bashkësisë Islame, me triska, sipas kategorive të ndryshme, që i përgjigjet standardit të besimtarëve. Këto mjete duhet të shpërndahen institucionalisht në pajtim me ajetin kur’anor Et-Tewbe, 60, ose disa prej pikave të ajetit:

“Zeqati u takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, edhe atyre që e tubojnë, edhe atyre zemrat e të cilëve duhet përfituar, edhe për lirimin e robërve, dhe të ngarkuarve me borxhe, edhe për hir të rrugës së Allahu, edhe udhëtarëve – mysafirë, si obligim nga All-llahu. Kurse All-llahu i di të tëra dhe është i urtë.” (Et-Tewbe, 60).

comment1 koment
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat