Ringjallja e religjioneve në Ballkan

Religjion

Ringjallja e religjioneve në Ballkan

Nga: Merxhan Jakupi Më: 23 prill 2023 Në ora: 23:05
Autori Merxhan Jakupi

Sipas disa studiuesve, konvertimet fetare si fenomene në Perëndim, paraqesin krizë identiteti. Individët që konvertohen kalojnë një krizë të jetës që është tepër e zbraztë, e izoluar, asociale, me neuroza dhe shqetësime të tjera. Këta individë, sipas sociologëve dhe psikologëve, pas konvertimit kalojnë në një komunitet tjetër. Atëherë gjejnë qetësi, paqe dhe fillojnë një jetë të re. Disa sondazhe thonë se popujt e Lindjes janë më socialë, jetojnë në familje patriarkale, kolektive. Tek ata më koherente është gjendja shpirtërore, ku ka më pak divorce, sëmundje psikike dhe vetëvrasje.

Një gazete kroate, pas pandemisë me virusin “Korona”, shkruante se një pjesë e popullatës në Kroaci dhe në disa shtete të tjera të Evropës Lindore, njerëzit i janë kthyer religjionit. Po ashtu, tek popujt ortodoksë dhe myslimanë, pas shembjes së komunizmit, u ndje një zbrazëti ideologjike, ndaj dhe filloi një rilindje fetare. Në Rumani, Bullgari, Serbi, Bosnjë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë, kishat, xhamitë dhe shumë kulte fetare kanë mbirë si kërpudha. Paradoksi dhe ironia qëndron në atë se këto objekte të kultit janë duke u zbrazur. Migrimi masiv i ballkanasve në shtetet perëndimore, ka bërë që komunitetet të blejnë objekte të përshtatshme dhe i shndërrojnë në objekte kulti, si në trekëndëshin Zvicër, Gjermani, Austri, në pjesën Lindore të Zvicër, në kantonet Sant-Gallen dhe Turgao, ku në dekadën e fundit janë ndërtuar 5 xhami të komunitetit shqiptar mysliman.

Shumica e popujve perëndimorë janë sekularë dhe feja e tyre është zbehur dhe ka mbetur në margjina. Krishterizmi mbetet si kulturë dhe identitet. Komunitetet fetare dhe sekulare në shtetet perëndimore jetojnë në paqe, tolerancë dhe harmoni. Pas të drejtave dhe lirive individuale janë të drejtat fetare, të garantuara me kushtetutë, pa marrë parasysh racën, fenë dhe gjuhën.

Në Zvicër, në ceremoninë e hapjes së tunelit më të gjatë në botë, morën pjesë klerikë të tri feve, një rabin, një i krishterë dhe një imam shqiptar, i quajtur Bekim Alimi. Ky imam, më se tre dekada ushtron detyrën në xhaminë e Wilit, që u ndërtua para pesë vjetësh. Imami rrëfen për tolerancën, respektin e qytetarëve zviceranë ndaj komuniteteve fetare dhe myslimane. Ka takime të shpeshta, debate me krerët fetarë të krishterë dhe të konfesioneve të tjera, vizita të shpeshta të më shumë personave. Xhamia e Wilit vitin e kaluar për festën e Bajramit në sheshin e qytetit organizoi për gjithë qytetarët dhe kalimtarët e rastit, ushqim tradicional dhe ëmbëlsira tradicionale shqiptare.

Gjatë këtij Ramazani që sapo përfundoi, Kryesia e Xhamisë dhe Imami organizuan një kuiz për të rinjtë dhe disa aktivitete të tjera. Imami Alim Bekimi rrëfen se tek komuniteti shqiptar mysliman dhe komunitetet e tjera, pa marrë parasysh se çfarë religjioni i takojnë, si në Zvicër dhe shtetet e tjera perëndimore, kanë një kohezion social dhe shpirtëror. Këto komunitete nëpër kultet e shenjta kryejnë ritualet, adhurojnë Krijuesin dhe fisnikërojnë shpirtrat. Po ashtu, imam Alimi potencon se mërgimtarët shqiptarë, pos shkollave shqipe në Zvicër, kanë edhe mësim-besim fetar, si premisë për edukimin dhe ruajtjen e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore e kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat