Me fuqinë e shpirtit shenjt

Religjion

Me fuqinë e shpirtit shenjt

Nga: Dom Lush Gjergji Më: 12 korrik 2023 Në ora: 12:35
Autori Dom Lush Gjergji

“Por ju do ta merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” (Vap 1, 8)

“Nëse duam ta fitojmë botën, nuk do të mund të bëjmë këtë me bomba, ma armë tjera të shkatërrimit. E fitojmë botën me dashurinë tonë. Ta ndërlidhim jetën tonë me hallka të një zinxhiri të flijimit dhe të dashurisë dhe atëherë do të jetë e mundshme ta fitojmë botën.” (Nëna Tereze)

Krishti i ngjallur ishte për apostuj dhe Kishën e parë, bashkësinë e të krishterëve, burim i pashtershëm gëzimi, sigurie, risie, fuqie, jete, shkaku kryesor e bashkimit me Zotin dhe me të afërmin. Për ta kremtuar ngjalljen e Tij, ata bashkoheshin shpesh në uratë të përbashkëta, kremtoni Eukaristinë. Dita e diel ishte fillimi i javës, festimi i shpërblimit, çlirimit nga e keqja, mëkati. Kështu bashkësia rritej në fe dhe në dashuri, në bashkim me Zotin dhe me njëri-tjetrin.

Kjo metodologji edhe sot është e vlefshme, nevojshme për bashkësinë e krishterë. Pa praninë e Krishtit të ngjallur, pa lutje dhe Eukaristi, nuk ka sa bashkësi, nuk ka Kishë.

Jezusi kishte kërkuar haptazi prej apostujve që ta dëshmonin para botës, dhe që të mund ta bënin këtë, u kishte premtuar Shpirtin Shenjt. Apostujt, ende nuk kishin kuptuar mirë gjithçka çka u kishte thënë Jezusi: vetëm pas ngjalljes, ata mendonin se kishte ardhur koha e përshtatshme për ta ndërtuar mbretërinë e Izraelit. Pas kaq shumë frike, mërze, vuajtje, pasigurie, dëshpërimi, ia lindja e diellit të shpresës, ngjallja e Krishtit dhe prania e Tij në mesin e tyre.

Për këtë arsye apostujt e pyetën Jezusin: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet.” (Vap 1, 6-7)

Veprat e Apostujve, janë dëshmi autentike e jetës, fesë, dëshmisë, dashurisë së Kishës së parë, që na paraqet bashkësinë e të pagëzuarve në Jerusalem, predikimin e Pjetrit, veprën e Palit në mesin e paganëve. Disa studiues të Biblës thonë që Veprat e Apostujve janë “Ungjilli i Shpirtit Shenjt”, sepse paraqesin veprën e tij, Kishën e cila e vazhdon veprën e shëlbimit.

Shpirti Shenjt është protagonisti i vërtetë i kësaj historie, kaq të bukur dhe të mrekullueshme dhe dëshmon bashkëpunimin e frytshëm të njeriut me Zotin. Jezusi, pasi që ishte dëftuar në forma dhe trajta të ndryshme së është ngjallur, u tha apostujve: “u urdhëroi të mos lëshojnë Jerusalemin, por ta presim Premtimin e Atit.” (Vap 1, 4)

Jezusi kishte thënë qysh më herët kështu: “Dola prej Atit dhe erdha në botë, prapë po e lë botën e po kthehem tek Ati.” (Gjn 16, 28)

Misioni parësor i apostujve, sipas dërgimit të Jezusit, ishte përgatitja për ardhjen e Shpirtit Shenjt, pagëzimi i ri, pastaj vepra e dëshmimit mbi jetën dhe veprën e Krishtit.

Fryti i Shpirtit Shenjt ishte dashuria ngrohëse ndaj Zotit dhe të afërmit, sepse në bashkësi “ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë...Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush që kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë shtonte bashkësisë sish që shëlbohen.” (Vap 2, 43. 44-47)

Nga ky përshkrim mund të theksojmë disa çështje të rëndësishme dhe aktuale:

Kujdesi për predikim dhe përvetësim të mësimit të apostujve, Fjalës së Zotit, mbi të gjitha për mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Tij, veprën e shëlbimit. Edhe ne duhet të kemi një kujdes të veçantë për Biblën, Fjalën e Zotit, pa të cilën nuk ka edukim dhe pjekuri në fe. (khs. DV 21)

“Leximi shpirtërore, sidomos Bibla, është një ndër ushtrimet dhe detyrat shpirtërore më të çmuara për ne, aq sa askush nuk mund ta lë padore. Jezusi na flet sot nëpërmjet Ungjillit, meditimit, adhurimit, uratës. Kjo nuk është vetëm fjalë e shkruar, treguar, por është Fjala e Jetës; Fjala e Zotit bëhet trup gjatë meditimit ditës në meditim, në Kungimin shenjt, në soditje, në adhurim, në heshtje. Duke u ushqye çdo ditë me Shkrim Shenjt, në veçanti me Besëlidhjen e Re, rritemi në njohuri dhe në dashuri të Jezusit... Fjala e Zotit, që është në ju, ju ua dhuroni të tjerëve.” (Nëna Tereze)

Nuk mungonin në mbledhjet e përbashkëta, në thyerje të bukës dhe në uratë. Mbledhjet vëllazërore ishin të llojeve të ndryshme, me apostuj, me nxënësit e Jezusit, me dëshmitarë të drejtpërdrejt. Rëndësi thelbore kishte Eukaristia, që asokohe quhej “thyerja e bukës” dhe urata. Ja shtyllat e bashkësisë së krishterë: Jezusi në Eukaristi dhe urata. (khs. LG 3)

“Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.” (1 Kor 10, 17; 12, 27)

Edhe ne sot mblidhemi në takime të ndryshme, aktivitete ditore, javore, mbi të gjitha të dielave, për kremtim të meshës, misterit të shëlbimit, për ta shpallur vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, për t’u ushqyer me praninë dhe dashurinë e Tij, për t’u lutur së bashku,

“Dashuria ime e madhe është Jezusi në Eukaristi, Kungimi i shenjt. Aty unë e takoj, e pranoj, e dua, pastaj e rizbuloj dhe shërbej në të varfër ndër më të varfër. Pa Kungimin e përditshëm jeta ime do të ishte e zbrazët, e padobishme... Vetëm me uratë të vazhdueshme dhe me Kungim jemi në gjendje të jetojmë për Jezusin, me Jezusin, me të varfrit tanë, për të varfrit tanë dhe për nevojtarë.” (Nëna Tereze)

Kishin çdo gjë të përbashkët, dhe mu për këtë nuk kishte as të varfër as të pasur, por të gjithë ishin të njëjtë, vëllezër dhe motra. Sot, porosia e tillë na duket vetëm një tregim i bukur, një histori ideale...

Bota e sotme në shumë mënyra është bërë e padrejtë: pak të pasur, shumë të varfër, pak të privilegjuar, shumë të diskriminuar, pak të lirë, shumë të robëruar... Nëse Jezu Krishti është gjithmonë aktual, nëse Ungjilli është Fjala e Jetës për të gjithë, atëherë porosia ungjillore do të duhej të ishte e vlefshme edhe sot, për kohën tonë.

Kisha, që të mund të përmirësoi dhe ndërmjetësoi në këto padrejtësi, qysh nga koha apostolike, ka pasur kujdes të veçantë për të varfër, të sëmurë, të anësuar, shkelur, për ata që janë të kërcënuar. Kisha, edhe sot e vazhdon këtë drejtim, me veprimtari të ndryshme, sidomos nëpërmjet Caritasit.

Sot, bota ka nevojë për dëshminë tonë në lëmin e jetës shoqërore, ku dashuria dhe solidariteti mund të gjen rrugë të reja të realizimit.

“Kisha e shenjtë, qysh prej fillimeve të veta, duke bashkuar “agape-në” me darkën eukaristike, shfaqej krejt e bashkuar në lidhjen e dashurisë rreth Krishtit, po ashtu në çdo kohë, njihet nga kjo shenjë dalluese e dashurisë dhe, ndërsa gëzohet për nismat e të tjerëve, pohon se veprat e dashurisë janë detyrë dhe e drejtë e saj e patjetërsueshme. Për këtë arsye mëshira ndaj të varfërve dhe të sëmurëve me të ashtuquajturat vepra bamirësie dhe të ndihmës së ndërsjellë, të adresuara për të lehtësuar nevojat njerëzore të çdo lloji, nderohen nga Kisha në mënyrë të veçantë.” (AA 8)

Bashkësia rritej gjithnjë e më shumë me anëtarë të rinj. Kjo rritje, nuk ishte vetëm numerike, por edhe cilësore, në fe e në dashuri. Rritja e Kishës vazhdon edhe sot me fuqinë e Shpirtit Shenjt. (khs. Vap 1, 8)

Prishtinë, 12 korrik 2023 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat