Rrëshajët – lindja e kishës

Religjion

Rrëshajët – lindja e kishës

Nga: Dom Lush Gjergji Më: 19 korrik 2023 Në ora: 11:20
Autori Dom Lush Gjergji

“Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.” (Vap 2, 2-4)

“Ndërsa përgatitemi për ardhjen e Shpirtit Shenjt, lutëm për ju, që Shpirti Shenjt të mund t’iu mbushë me fuqinë e tij, me hire dhe pastërti, që të mund ta shihni fytyrën e Zotit në çdo njërin ndër ju, si dhe në të varfrit që i shërbeni.” (Nëna Tereze)

Apostujt, në krye me Shën Pjetrin, së bashku me Virgjërën Mari, ishin të bashkuar në Jerusalem, në uratë e në pritje të ardhjes së Shpirtit Shenjt, sipas premtimit të Jezusit. Tashmë janë të bindur në ngjalljen e Krishtit, sepse kishin pasur përvoja të ndryshme të drejtpërdrejta me Të. (khs. Mt 28, 1-10; Mk 16, 1-8; Lk 24, 1-49; Gjn 20, 1-10)

Jezusi u kishte thënë që mos ta lëshonin Jerusalemin deri te ardhja e Shpirtit Shenjt, dhe apostujt nuk kanë pritur në mënyrë pasive këtë ngjarje, por janë përgatitur kështu: “Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në uratë me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.” (Vap 1, 14)

Për festën e Rrëshajeve shumë njerëz kishin ardhur në Jerusalem nga viset e ndryshme të diasporës hebreje nëpër botë. Vinin për t’u mbledhur në Tempull, të përbashkët për ta dëshmuar fenë e përbashkët me shtegtim në Qytetin e Shenjt. Kjo festë lidhej me falënderim për dhurata e pranuara prej Zotit, sidomos për frytet e tokës (khs. Dal 23, 16; 34, 2), si dhe e përkujtonin besëlidhjen e Sinait dhe historinë e Popullit të Zgjedhur.

Mrekullia e zbritjes së Shpirtit Shenjt ishte e paralajmëruar nga shenjat e jashtme: shungullima e erës, për ta paraqitur jetën e re, fuqinë dhe mundësinë që u jepet apostujve; gjuhët e zjarrta paraqesin se tashmë ka ardhur koha e të folurit e ri: flaka shërben për të shkatërruar dhe pastruar të vjetrën atë të vjetër, fuqinë e së keqes, mëkatit; gjuhët e ndryshme, vërtetojnë dhe përforcojnë plotësisht lindjen e bashkësisë së re, të Popullit të ri të Zotit, Kishës, e cila, i përqafon të gjitha gjuhët, kulturat, traditat, racat njerëzore. Bashkimi i Kishës nuk është vepër njerëzore, por hyjnore; Shpirti Shenjt është bashkimi në dallime, ne fe dhe në dashuri.

Befasia është e qartë: “Të gjithë kishin mbetur të habitur e, të marrë mendsh, pyesnin njëri-tjetrin: “Çfarë do të jetë kjo punë?” (Vap 2, 12)

Shën Pjetri ngritët në këmbë, dhe në emër të Zotit tonë të ngjallur – Jezu Krishtit, të apostujve, shpjegon ngjarjen që kishte ndodhur kështu: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes më dëgjoni fjalët e mia! Këta njerëz nuk janë të dehur, siç po mendoni ju – ju po shihni se është ora tre e mëngjesit – por po shkon në vend fjala që parafoni Joeli profet: “Në ditën e fundit – thotë Hyji: do ta ndikoj shpirtin tim në çdo njeri dhe bijtë tuaj do të profetizojnë, djelmoshat tuaj do të shohin vegime, e plotë tuaj do të ëndërrojnë.” (Vap 2, 14-17)

Pastaj haptas dhe qartas vazhdoi: “Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusin Nazarenas – njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërishme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini – me anë të tij i bëri ndër ju, këtë, të radhitur sipas vullnetit të caktuar dhe para pamjes së Hyjit – ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet.” (Vap 2, 22-24)

Kjo dëshmi e ndritshme, guximtare, botore, kishte zgjuar edhe më tepër befasi dhe mahnitje në popull, pendim për kryqëzimin e Jezusit, por edhe gëzim dhe kënaqësi për ngjalljen e Tij. Atëherë populli kërkonte prej Shën Pjetrit dhe apostujve çka do të duhej të bëhej për ta përmirësuar mëkatin e dëbimit dhe të urrejtjes ndaj Jezusit, vrasjes në kryq.

Shën Pjetri tha: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt. Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.” (Vap 2, 38-39)

Nga përgjigja e Shën Pjetrit duhet të nënvizojmë nevojën për kthim, pendimin dhe pendesën, që të mund të përmirësojnë mëkatin e bërë, apo siç thotë ai “që t’ju falen mëkatet.”

Kthimi nuk domethënë vetëm pranimi i mëkateve tona, por edhe më shumë, njohja, pranimi, besimi në mëshirën e paskajshme të Zotit, në falje dhe dashurinë e Tij për të gjithë ne.

Kthimi i popullit të Izraelit, është në njohjen dhe pranimin se Jezu Krisht, është Mesia dhe Shëlbuesi i botës, kusht ky qenësor për t’u pagëzuar, apo siç thotë Shën Pjetri “për marrjen e Shpirtit Shenjt”.

Këtu zbulojmë edhe një herë që Shpirti Shenjt nuk qe dërguar vetëm mbi apostuj, por mbi të gjithë ata që besojnë në Jezu Krishtin. Këtë e thotë shumë qartë Jezusi: “Nuk jam unë ai që e dënoj, sepse nuk erdha të dënoj botën, por ta shpëtoj botën.” (Gjn 12, 47)

Shën Pali shkruan kështu: “Për të vërtetë, mua nuk më vjen turp prej Ungjillit, sepse Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e mandej për grekun. E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, sikurse është në Shkrimin shenjt: “I drejti do të jetojë prej feje.” (1 Rom 1, 16-17)

Dy shtyllat kryesore të fesë së krishterë dhe të Kishës së parë janë: ngjallja e Jezu Krishtit dhe ardhja e Shpirtit Shenjt, domethënë përvoja me Krishtin e ngjallur – peshkor, dhe përvoja e dhuratës së Shpirtit Shenjt, i cili, mundëson besimin, fenë, jetën e krishterë, me këtë shëlbimin, kuptohet, nëpërmjet Kishës dhe në Kishë, si “sakrament i bashkimit dhe shëlbimit.” (khs. LG 2; 1, 9, 48)

Nëna Tereze thotë: “Të kërkojmë prej Shpirtit Shenjt që ne mëkatarët të na bëjë pa mëkat...Ne, duhet ta dëshmojmë ndërrimin, kthimin me gëzim. Hareja është vërtet fryti i Shpirtit shenjt, shenjë që ai mbretëron në ne. Që gëzimi im të jetë me ju dhe të jetë i plotë” (krhs. Gjn 15, 11), Gëzimi ynë është fryti i bujarisë, mungesa e egoizmit, bashkimi i ngushtë me Zotin; pasi që Hyji na dhuron maksimumin, Shpirtin Shenjt, pasi që na ka dhuruar Jezusin, edhe ne jemi të ftuar që të dhurohemi lirisht Zotit dhe të afërmit me bujari dhe gëzim.”

Koncili i Dytë i Vatikanit na mëson: “Prandaj, sikurse Krishti qe dërguar prej Atit, ashtu edhe ai i ka dërguar apostujt, të mbushur me Shpirtin Shenjt. Ata, duke ua predikuar Ungjillin të gjithë njerëzve, nuk duhej të kufizoheshin vetëm duke kumtuar se Biri i Hyjit me vdekjen dhe ngjalljen e vet na ka liruar prej pushtetit të Djallit e prej vdekjes dhe na ka zhvendosur në mbretërinë e Atit, por duhej edhe të aktualizonin veprën e shpëtimit të cilën e kumtonin, nëpërmjet flisë dhe sakramenteve rreth të cilave sillet e gjithë jeta liturgjike.” (SC 6)

Në këtë dërgim, apostujt ishin të përforcuar ditën e Rrëshajëve , kur e pranuan Shpirtin Shenjt, të cilin Jezusi ua kishte premtuar: “Ju do ta merrni Shpirtin Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do t[ bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samaru, madje dhe gjer në skajin e botës” (Vap 1, 8). Pastaj, apostuj, duke predikuar kudo Ungjillin (krh. Mk 16, 20), të pranuar prej dëgjuesve, falë veprimit të Shpirtit Shenjt, mbledhin Kishën e gjithmbarshme që Zoti e ka themeluar mbi ta dhe ndërtuar mbi të lumin Pjetër, kreun e tyre, me vetë Jezu Krishtin si gur këndi.” (LG 19)

Rreth misionit të Shpirtit Shenjt Koncili i Dytë i Vatikanit thotë: “Në të vërtetë, që prej Rrëshajës filluan “veprat e apostujve”, në të njëjtën mënyrë sikurse për virtyt të Shpirtit Shenjt në Virgjërën e lume Mari u ngjiz Krishti, dhe përsëri prej zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Krishtin që lutej ky u nxit të fillonte më liri të plotë jetën e vet për botën, organizoi mbarështimin apostolik dhe premtoi dërgimin e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të dy të bashkëpunonin, gjithmonë e kudo, në realizimin e veprës së shpëtimit.” (AG 4)

“Në thelb Kisha është Jezusi, ndërsa ne jemi si pjesë e jashtme e saj. Jemi ne, burra dhe gra, pjesë përbërëse e saj, që kemi nevojë për para, për pronë, nuk është Jezusi që ka këto nevoja. Dashtë Zoti, me veprën Shpirtit Shenjt, që të jemi të hapur për rrugët që na çojnë përtej, për tejkalimin e vetvetes.” (Nëna Tereze)

Prishtinë, 19 korrik 2023 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat