Etërit misionarët e dashurisë – dega meshtarake aktive

Religjion

Etërit misionarët e dashurisë – dega meshtarake aktive

Nga: Dom Lush Gjergji Më: 30 korrik 2023 Në ora: 23:32
Foto ilustrim

Sivjet festojmë një përvjetor të rëndësishëm për jetën dhe veprën e Shën Nënës Tereze, pra, edhe për ne, si pasardhës shpirtëror të Nënës dhe Shenjtëreshës tonë, për Kishën Katolike në Popullin Shqiptar, si dhe për mbarë Popullin tonë.

Siç dihet tashmë Nëna jonë Tereze ka themeluar shumë degë femërore dhe mashkullore, gjithnjë me titullin Misionaret apo Misionarët e Dashurisë, mbi të gjitha:

Misionaret e Dashurisë, rend apo kongregatë, Nëna Tereze do të thoshte, bashkësia e motrave, që i ka themeluar ajo qysh në vitin 1950. Këto murgesha ndahet pastaj në dy drejtime: - aktive, në vitin 1950; - kontemplative, në vitin 1976.

Pse dy degë apo drejtime?

Sepse vetë Nëna Tereze, së pari jetën dhe veprimtarinë e saj e ka definuar kështu: gjithnjë aktive, pra në kërkim të Jezusit në të varfër ndër më të varfër, në të gërbulure, në ata që janë në buzë të vdekjes, pra, me ata dhe për ata që askush nuk i do “përpos Zotit dhe neve”, pohonte ajo.

Për të jetuar dhe vepruar kështu, na nevojitet ndihma dhe përkrahja e Zotit, pra, urata, meditimi, adhurimi, me një fjalë jeta shpirtërore. Motrat Misionaret e Dashurisë veprojnë gjithnjë dhe gjithkund ku ka njerëz të sëmurë, të braktisur, të kërcënuar dhe rrezikuar, kurse të enjten i kushtohen tërësisht jetës shpirtërore, “mbushin akumulatorin” për shërbim me dashuri dhe për dashuri.

Ato tash në botë janë më 6 mijë në shumë vende dhe shtete të botës, ndër ne janë në Shkup (1980) dhe në Pejë (1982).

Motrat Misionaret e Dashurisë, dega kontemplative, gjithnjë janë të përkushtuar jetës shpirtërore, të mbyllura, ndërsa të enjten, dalin për t’i ndihmuar dhe zëvendësuar Motrat Misionaret e Dashurisë. Siç shihet dhe hetohet ato përplotësohen, janë mozaiku i Zotit në Kishë dhe në botë.

Vëllezërit Misionaret e Dashurisë, dega aktive, që Nëna Tereze e ka themeluar qysh në vitin 1963, pra, para 60 viteve, dhe që është temë e trajtimit tonë.

(Letra origjinale e Nënës Tereze në gjuhën shqipe, 12 maj 1963).[1]

Vëllezërit Misionaret e Dashurisë, dega kontemplative, themeluar në vitin 1979.

Etërit Misionarët e Dashurisë, të themeluar në vitin 1984.

Përpos këtyre degëve rregulltarë, sipas frymëzimit të Nënës Tereze janë themeluar edhe tri lëvizje apo shoqata laike – shekullare:

“Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”, që në shpirtin dhe frymën e saj të jetojnë dhe të veprojnë kudo në botë, pa dallim apo përjashtim feje dhe kombi. Nga kjo përvojë, jetë dhe dëshmi më vonë kanë lindur edhe dy drejtime shekullare apo laike në botë:

Laikët misionarë të dashurisë, si të kushtuar, po ashtu edhe të martuar.

Lëvizja meshtarak Corpus Domini – Korpi i Krishtit, e themeluar në vitin 1991

Kjo është një paraqitje panoramike e themelimeve të Nënës Tereze. Gjitha këto themelime, në kohë të ndryshme, si dhe me përkushtime specifike, kanë një qëllim dhe dëshirë të përbashkët: që të jenë afër dhe bashkë me të varfër ndër më të varfër, duke njohur, zbuluar, shërbyer dhe dashur Jezu Krishtin në çdo trajtë apo qenie të tyre.

Duke u nisur nga klithja e Jezusit nga kryqi: “Kam etje”, Nëna Tereze vendosi ta braktiste Kongregatën e “Motrave të Loretos”, ku ishte formuar, kishte jetuar dhe vepruar për 18 vite, dhe ky ishte tejet e lumtur.

Nga dëshmia e saj mësojmë: “Isha shumë e lumtur me jetën rregulltarë si Motër e Loretos. Për mua ishte më vështirë të ndahesha prej tyre, se prej familjes dhe Shkupit tim... Mirëpo ishte një urdhër hyjnor: “Ti duhet të dalësh prej Motrave të Loretos për t’i shërbyer të varfrit ndër më të varfër...”

Sari, veshja rregulltarë, ishte veshje tipike e grave të Bengalisë, me dallim që e kishin kryqin në cep të krahut, ndërsa në mbulesë të kresë apo “shlajer” katër vija të kaltërta që simbolizojnë katër kushtet rregulltarë: varfërinë, dëgjesës, pastërtinë dhe shërbimin falas për të varfër ndër më të varfër.

Sot motrat apo vëllezërit e Nënës Tereze janë të pranishëm në pesë kontinente dhe përpos të varfërve, të braktisurve, të gërbulurve, merren edhe me alkoolistë, të droguare, të sëmurë nga Aidis apo sida, nga malaria, për të moshuar dhe fëmijë bonjakë.

Vëllezërit Misionarët e Dashurisë

Në vitin 1963, pra, para 60 viteve, Nëna Tereze së pari i mblodhi dhe i zgjodhi 3 të rinj, duke i edukuar dhe frymëzuar me motive ungjillore dhe më 25 mars 1963, ditën e Lajmërimit të Zojës apo Zoja Nunciatë, edhe zyrtarisht themeloi Vëllezërit Misionarët e Dashurisë..

Në fillimi ishin nën udhëheqjen dhe frymëzimin e drejtpërdrejt të Nënës Tereze, kurse si udhëheqës shpirtëror e kishin meshtarin Travers Ball (1928 – 2000), jezuit nga Australia, i cili gjatë vitit të tretë të studimeve teologjike (1965) kishte vendosur që jetën e tija t’ia kushtonte të varfërve ndër më të varfër. Pasi e kishte marrë lejen prej eprorit gjeneral të jezuitëve të atëhershëm, atë Pedro Arrupe (1907 – 1991), atë Travers Ball, ishte larguar nga Kongregata e Jezuitëve, kishte marrë një emër të ri rregulltar, vëllai Andrew, dhe qysh në vitin 1966 kishte formuar bashkësinë e parë rregulltarë. Titulli i tij zyrtar ishte karizmatik dhe domethënës: “Shërbëtori i Përgjithshëm” duke i udhëhequr dhe edukuar në frymëzimin e Shën Nënës Tereze si dhe të Ungjillit.

Mu për këtë vëllai Andrew konsiderohet si “bashkëthemelues” i Vëllezërve Misionarëve të Dashurisë.

Ky rregull, kongregatë kishte marrë edhe aprovimin zyrtar ipeshkvor në vitin 1967. Gjatë kësaj periudhe të gjatë kohës shumëvjeçare kishte pasur disa ndërrime dhe ndryshime, por gjithnjë sipas frymëzimit ungjillor dhe asaj të Nënës Tereze. Më 12 qershor 2003 Kongregata për Kler me “Decretum laudis” e kishte pranuar dhe njohur si Kongregatë me të drejta papnore.

Në vitin 2016 Vëllezërit Misionarët e Dashurisë ishin 420, të shpërndarë në 69 bashkësi dhe në 21 shtet në botë.

Shtëpia Amë apo Gjenerale është në Kalkutë, në Indi.

Kjo është historia dhe mrekullia e Zotit nëpërmjet Shën Nënës Tereze, vëllait Andrew dhe Vëllezërve Misionarëve të Dashurisë.

Disa të dhëna:

Motrat “Misionaret e Dashurisë” janë mbi 6 mijë në më se 130 shtete dhe me 730 shtëpi apo kuvende.

Deri tash kanë pasur këto Eprore Gjenerale:

Shën Nëna Tereze (1950 – 1997).

Nëna Nirmale Joshi (1997 – 2009).

Nëna Mery Prema Pierick (2009 – 2022).

Nëna Joseph Michael (2022 - ).

Tri data të rëndësishme në jetën e Shën Terezes:

“Kthimi në Shtëpinë e Atit” – kalimi në amshim: 5 shtator 1997; lumturimi: 19 tetor 2003; shenjtërimi: 4 shtator 2016.

“Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” :

Këtë degë të motrave Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative e ka themeluar në New York Nëna Tereze së bashku me motrën Nirmala Joshi në vitin 1976 me këtë qëllim: “ për t’i përkrahur motrat dhe të varfrit , sidomos varfërinë shpirtërore, me qendër Eukaristinë”.

Nëna Tereze e quante këtë veprimtari në heshtje, uratë, meditim dhe adhurim, si “apostolati i rrugës dhe buzëqeshjes”. Për Jezusin eukaristik ajo thoshte: “ Të dua, je i im!” dhe vazhdonte: “Shpirti kontemplativ jeton 24 orë në ditë me Jezusin dhe për Jezusin!”.

“Vëllezërit Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” – e ka themeluar Nëna Tereze së bashku me atë Sebastian Vazhakala me 19 mars 1979, me seli qendrore në Romë, si institut dioqezan i Romës (8 dhjetor 1993).

Ata, si dhe të gjitha institucionet e themeluar prej Shën Nënës Tereze, varen vetëm prej Provanisë hyjnore dhe bamirësisë.

Qëllim kryesor është ky: “ta shuajmë urinë e Jezusit për njerëzit, për shpirtra, për shëlbim”,

Atë Sebastian Vazhakala takimin e parë me Nënën Tereze i ka pasur në vitin 1966 në Ranchi, Indi, si student i filozofisë dhe prej atëherë nuk është ndarë më kurrë prej saj. Ai ndër të tjera thotë: “Ne bëjmë punën që e kërkon Jezusi... Puna jonë, pra, është vetë Jezusi, shenjtërimi ynë”.

Vëllezëri e Dashurisë, dega konemplative, selinë qendrore e kanë në Romë, epror gjeneral është atë Sebastian Vazhakala dhe janë të pranishëm përpos Romës, Italisë, edhe në Shqipëri, në Indi dhe në Gana.

Sot “Misionaret e Dashurisë” në Itali janë në 18 shtëpia apo kuvende, në Romë me 5 bashkësi.

Prania e tyre më e madhe është në Indi, me 24 shtëpia apo kuvende dhe mbi pesmijë motra.

OKB-ja dhe Nëna Tereze

Peres De Cuelar, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së organizoi një takim – pritje në Selinë e OKB-se, më 26 tetor 1985, ku ndër të tjera tha kështu: “Ja gruaja më e fortë e botës. Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqja në botë...”.

OKB-ja ka caktuar 5 shtatorin si Dita ndërkombëtare e bamirësisë në botë qysh në vitin 2012 (dokumentit 67/105), për të nderuar “kthim e saj në Shtëpinë e Atit” – kalimin në amshim, si frymëzim të pashtershëm për bamirësi dhe edukim.

Po ashtu OKB-ja ka botuar më 27 gusht 2021 pullën postale me portalin e Shën Nënës Tereze dhe me mbishkrimin: “Punë të vogla me dashuri të madhe”.

Porositë bazë të Shën Nënës Tereze:

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

“Të varfrit na japin shumë më tepër se sa u japim ne atyre.”

“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

“Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.”

“Çfarë mund të bëni për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit – ata në shtëpi.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.”

“Kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit, prandaj s’kemi paqe. “

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.

“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.

“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

“Një fëmijë mund të ngjizet në zemrën tënde, pa lindur nga kraharori yt”.

“Preke të gërbulurin me zemrën tënde”.

“Dashuria nuk bënë mrekulli, ajo është mrekulli”.

Prishtinë – Dugujevë, 30 korrik 2023 Don Lush GJERGJI

[1] Këtë letër ma ka dhënë i ndjeri Prof. Dr. Engjëll Sedaj, atëherë student në Zagreb. Aso kohen në fakultetin filozofik-teologjik të Zagrebit ishte një numër i mirë i studentëve tanë që përgatiteshin për meshtari. Përpos Engjëll Sedaj, në studime ishin edhe: Mark Sopi, m vonë ipeshkvi ynë, Damjan Kurti, Pjetër Mjeda, Nikola Duçkiq...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat