Papa Françesku (2013 -) - Jeta

Religjion

Papa Françesku (2013 -) - Jeta

Nga: Don Lush Gjergji Më: 12 shtator 2023 Në ora: 16:24
Autori Don Lush Gjergji

Jorge Mario BERGOGLIO ka lindur në Buenos Aires më 17 dhjetor 1937 nga prindërit Mario dhe Regina Maria Sivori – Bergoglio. Në moshën 21 vjeçare është përcaktuar për jetën meshtarake. Më 11 mars 1958 filloi novinciatin në Shoqërinë e Jezusit – jezuitët. Shugurohet meshtar më 13 dhjetor 1969. Gjatë viteve 1973-1980 ishte provincial i jezuitëve në Argjentinë. Në vitin 1992 papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv ndihmës të Buonos Airesit, ndërsa në vitin 1998 edhe ordinar të kësaj arqjipeshkvie dhe primas i Argjentinës. Më 21 shkurt 2001 papa Gjon Pali II e emëroi kardinal. Gjatë viteve 2005-2011 ishte kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Argjentinës.

Më 13 mars 2013 qe zgjedhur Papa, i pari jezuit dhe i pari latino-amerikan, që mori emrin Françesku, duke nderuar dhe dashur t’i përngjajë Shën Françeskut të Asizit në thjeshtësi, varfëri dhe në përvujtëri.

Lidhja shpirtërore dhe bashkëpunimi me Papën në dorëheqje Benedikti XVI ishte e shkëlqyeshme: janë takuar së pari në Castelgandolfo më 23 mars 2013, pastaj në Vatikan më 2 maj 2013,  prapë në Vatikan më 5 korrik 2013 si dhe për festat e Kërshëndellave të vitit 2013...

Në çdo takim, bisedim, uratë, përqafim kanë dëshmuar miqësinë dhe vëllazërinë, nderimin dhe përkrahjen e madhe për njëri-tjetrin, mbi të gjitha për Kishën Katolike në mbarë botën.

Shembulli i tërheqjes së Papës Benedikti XVI si dhe përkrahja dhe bashkëpunimi me Papën e ri Françeskun, janë një ngjarje epokale, historike, por edhe më shumë ungjillore dhe prekëse.

Papa Françesku ka thënë për Papën Benedikti XVI: “Është si babai im, e po të kisha ndonjë vështirësi, diçka që s’kam kuptuar, mund të shkoj tek ai”.

Letra Enciklike

DRITA E FESË (Lumen Fidei) (2013)

Nën kujdesin e Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, 2013, fq. 120

“Kush beson sheh”  është motoja domethënëse dhe kuptimplote e kësaj enciklike.

“Drita e Fesë” është enciklika e parë e Papës Françesku, apo si thotë ai e shkruar “me katër duar” duke menduar në punën, shkrimin dhe përpilimin e paraardhësit të tij, Papës  Benedikti XVI. Kjo edhe është veçoria e parë e kësaj enciklike, e nisur nga një Papë, Benedikti XVI, e përfunduar dhe e shpallur nga një Papë tjetër, Françesku.. Një bashkëpunim dhe dëshmi e jashtëzakonshme e fesë dhe shërbimit apostolik.

Veçoria e dytë e enciklikës Drita e Fesë është dualizmi DRITA-FEJA, si sinonime dhe përplotësime, pra, pjesë përbërëse dhe të pandashme që formojnë një tërësi të veçantë. Feja ka nevojë për Dritë – Jezu Krishtin (khs. Gjn 12, 42), dhe Drita ka nevojë për Fe – dëgjim, pranim, zbatim dhe dëshmi.

Enciklika Drita e Fesë ka gjithsejtë katër kapituj dhe 60 numra dhe shqyrton fenë në kontekste të ndryshme jetësore. Papa Françesku pas analizës së kërkimit historik të Dritës, si dhe të kultit ndaj Diellit – Sol invinctus – e paraqet Jezu Krishtin si Diellin, Dritën, të Vërtetën dhe Jetën: “Unë – drita - erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në terr” (Gjn 12, 46).

Disa, si për shembull Nitçe, thonë se feja  pengon kërkimin dhe ecjen e njeriut kah liria e plotë. Mirëpo nuk është ashtu, sepse arsyeja, njohuria ka shumë kufizime dhe pengesa, sa që “nuk arrin ta ndriçojë aq sa duhet të ardhmen” (LF 3). Mu për këtë kemi nevojë për Dritën e fesë, sepse vetëm ajo është e “aftë të ndriçojë krejt ekzistencën e njeriut” (LF 4). Feja e përdor dhe tejkalon arsyen dhe është një takim dhe jetë me Zotin, i cili neve na zbulohet dhe dhurohet në trajta të ndryshme, sidomos në Jezu Krishtin, në Kishë, në sakramente, në përvojën e përditshme të fesë (Khs. LF 6).

Rrugëtimi i fesë dëshmohet së pari në Abrahamin “atin tonë të fesë” (LF 8). Hyji atij ju dëftua, i foli, e thirri dhe shi për këtë elementi i parë i fesë, siç shkruan Papa Françesku, “është e lidhur me dëgjimin. Abrahami nuk e sheh Hyjin, por dëgjon zërin e tij. Në këtë mënyrë feja e merr një karakter personal” (LF 8). Hyji person,  thërret njeriun person, për “një kontakt me njeriun dhe të bëjë me të një besëlidhje” (LF 8).  Ftesa e Hyjit ishte thirrje dhe premtim. Thirrje për dalje, fillim të ri të jetës, premtim – pasardhësit e tij do të jenë një popull i madh.

Sipas Shën Augustinit kishte dy dimensione: nga ana njerëzore, e besimtarit, i beson premtimeve të Hyjit, ndërsa nga ana hyjnore, ishte zbatimi apo realizimi i premtimeve (Khs. LF 9-10). Me fe Abrahami e përballoi edhe sprovën më të rëndë të fesë, flijimin e birit, Izakut (khs. LF 11).

Populli i Izraelit gjatë udhëtimit në shkretëtirë bie në tundimin e idhujtarisë, ku rol ndërmjetësues mes Zotit dhe popullit kishte Moisiu (khs. LF 13-14). Në Jezu Krishtin plotësohen të gjitha premtimet e Besëlidhjes së Vjetër. “ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh”   (1 Gjn  4, 16; Khs. LF 15). Këtë dashuri ai e shprehu sidomos nëpërmjet vdekjes dhe ngjalljes për ne dhe për shëlbimin tonë (khs. LF 16-18).

Feja, si jetë me Zotin dhe me të afërmin, ndërron gjithçka dhe vetëm “me hir, në saje të fesë, jemi shëlbuar. Dhe kjo s’vjen prej nesh, por është dhuratë e Hyjit” (Ef 2,8 në LF 19). Feja ka tri elemente boshte, zemrën, shpalljen dhe dëshminë. “Duhet të besohet në zemër... duhet ta dëshmosh fenë me gojë” (Rom 10, 10), si duhet t’u dhurohet edhe të tjerëve, që është misioni dhe dërgimi i çdo të krishteri.

Feja, sipas Papës Françesku, përfshin njeriun në tërësi, si person, familje dhe shoqëri, por edhe në aspekte tjera, kulturën, ekonominë, politikën, artin, shkencën, pra, qenien njerëzore, dhe atë e ndriçon dhe e ndërlidh me dy shtylla të rëndësishme, me të Vërtetën dhe me Dashurinë, të cilat pa fe shpesh mungojnë ose janë të ndara dhe nuk përputhën njëra me tjetrën, ose njeriu nuk i përfill ato.

Sipas Papës Françesku bota e sotme ka dy  karakteristika: teknologjinë, e cila mbështetet vetëm në të vërtetën që funksionon, prodhon, vepron, dhe anën subjektive, ku është e vërtetë çka unë pranoj, besoj, pëlqej, përdoroj.

Këtë tematikë Papa Françesku e trajton edhe në Porosinë e Paqes për Ditën Botërore të Paqes, ku ndër të tjera thotë: “realizimi i nevojshëm i politikës dhe ekonomisë nuk mund të kthehet në një teknicizëm pa idealet, që shpërfill përmasën trashendente të njeriut. Kur mungon kjo hapje ndaj Hyjit, çdo veprimtari njerëzore bëhet më e varfër dhe personat kthehen në objekte të shfrytëzimit... Atëherë çdo veprimtari duhet të shënohet nga një qëndrim shërbimi ndaj personave, sidomos ndaj atyre që janë më larg dhe më të panjohur. Shërbimi është shpirti i atij vëllazërimi që ndërton paqen” (Mesazhi i Shenjtërisë së tij Françesku për kremtimin e Ditës XLVII Botërore të Paqes, Argjipeshkvia Metropolitian Shkodër-Pult, 2013, f. 23-25).

Fatbardhësisht e vërteta e fesë së krishterë  është shumë më  e madhe. “Hyji është Dashuri” – që i bashkon të gjitha elementet e brendshme të njeriut, atë i harmonizon, dhe si e tillë na aftëson për afrim, bashkim dhe jetë me Zotin dhe me të afërmin. Mu për këtë mund të themi që feja është fryt i dashurisë (Lexo: LF kreu I, kap. 1-22). Ajo na ndihmon që të kuptojmë më shumë dhe më thellë. Detyra e çdo të krishteri është jetësimi, shpallja dhe  dëshmimi i saj edhe të tjerëve, të gjithëve (Lexo: LF  24-49).

Papa Françesku e paraqet fenë si nevojën themelore të çdo njeriut, sepse vetëm ajo na ndihmon që të jemi vetvetja, ashtu siç na ka krijuar Zoti, ta ndërtojmë familjen dhe shoqërinë sipas planit të Hyjit  “në mënyrë që të ecin drejt një së ardhme shprese” (LF 51). Mu për këtë feja është në shërbim të së mirës së përbashkët, për të gjithë, sepse shumë çështje të hapura shoqërore s’mund të rregullohen dhe  zgjidhen vetëm nëpërmjet prizmës së dobive, përfitimeve, interesave dhe frikës.

Thelbi shoqëror i njeriut është komunikim dhe familja, ndërsa feja është një dritë për jetën shoqërore (khs. LF 54). Kjo domethënë kthimi në “rrënjët e vërteta të vëllazërisë” (LF 54).

Thënë shkurtimisht dhe qartë: pa fe s’ka as shpresë, si dhe pa fe dhe shpresë, nuk ka dashuri, është logjika e Papës Françskut. Feja fisnikëron, tejkalon dhe bujaron arsyen, mendjen, njohurinë, njeriun. Dashuria tejkalon edhe arsyen dhe e bënë të pavdekshme fenë, njeriun, dhe kështu na drejton ka e Vërteta dhe Jeta – Jezu Krishti.

Vuajtja me fe dhe dashuri është krejt ndryshe nga pësimi, dhembja, mërzia, lodhja, deri edhe dëshprimi. “për shumë burra e gra fetarë te vuajturit kanë qenë ndërmjetës drite. Për shembull për Shën Françskun e Asizit i gërbuluri, apo për të Lumen Nënë Terezë e Kalkutës të varfëritë e saj” (LF 57).

Modeli i përsosur i dritës së fesë, dashurisë është Virgjëra Mari, “dëshmitare e fesë” (LF 59).

Në përfundim të Vitit të Fesë 2012 – 2013,  Papa Françesku e begatoi Kishën, por edhe më gjerë, botën e sotme me enciklikën DRITA E FESË duke dhënë disa elemente frymëzuese për ne të krishterët, për çdo besimtar, si dhe për ata që janë të hapur dhe në kërkim të Zotit, jetës fetare.

Do të ishte mirë enciklika Drita e Fesë  e Papës Françesku të lexohet, krahasohet dhe interpretohet me Nxitoren Apostolike të tij “Evangelii Gaudium” – Gëzimi i Ungjillit, si dokument  për përfundimin e Vitit të Fesë, ku në mënyrë mjaft sistematike parashtrohet edhe Mësimi Shoqëror i Kishës Katolike, që sipas Papës Shën Gjon Pali II “është shpallja e Jezu Krishtit në rrethana kohore”.

 Papa Françesku shton dhe shkon përpara duke thënë se shpallja e Krishtit dhe Ungjillit duhet të jetë me gëzim, me përvujtëri, thjeshtësi, varfëri, si dhe me mëshirë, falje dhe dashuri,  apo “në stilin e Jezu Krishtit“, që janë “dimensionet shoqërore të Ungjillit të Jezu Krishtit “ (EG II, IV).

Në këtë Nxitore Apostolike janë këtë katër parime bazike shumë të bukura dhe me porosi jetësore për të gjithë, veçmas për ne të krishterët:

”Koha është më e lartë se hapësira”;

“Bashkimi mbizotëron ndarjen”;

“Realiteti është më i çmuar se ideja”;

“Tërësia është më e madhe se pjesa”.

Dua ta përfundoj këtë paraqitje panoramike të enciklikës së parë të Papës Françeskut “Drita e Fesë” me një figurë stilistike dhe simbolike. Më duket se Papa Françesku e ka hetuar mirë se bota e sotme është mjaft e mjegulluar, mos të them e verbëruar. Me këtë enciklikë ai na ofron dhe dhuron “syzat” për të parë, dalluar dhe kuptuar më shumë, më qartë, më thellë, më larg...

Varet prej nesh a do t’i pranojmë dhe përdorim këto “syza” – fenë, për jetën tonë personale, familjare dhe shoqërore, për të tashmen dhe për amshim. Nëse ne nuk i përdorim “syzat”, ose i mbyllim sytë para dritës, atëherë dihet se kush është fajtor për mos-pamje, errësirë dhe verbërinë tonë.

Prishtinë, 12 shtator 2023

Radio Maria – Kosovë 

Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat