“Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi të pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.” (1 Kor 12, 13; khs LG 7)
“Bashkimi i Kishës dhe në Kishë nuk është artificial, uniformizëm, por jetë për të jetuar. Për këtë arsye nuk më intereson përpos një gjë e vetme: të gjithë ne duhet të jemi bashkëpunëtorë të Jezusit, sepse, të bashkuar me Të. Lehtë dhe natyrshëm do të jemi të bashkuar edhe me njëri-tjetrin.” (Nëna Tereze)
Kisha, e themeluar prej Jezu Krishtit, e përforcuar prej Shpirtit Shenjt, besnikërisht vazhdon veprën e shëlbimit në historinë e njerëzimit. Si e tillë, ajo është mjet, mundësi, sakrament shpërblimi dhe shëlbimi.
Në uratën Besoj, në shpallim edhe këtë të vërtetë: Besoj në një Kishë, shenjte, katolike dhe apostolike.” Besoj-ma ndërlidhet me veprën e shëlbimit: Krishti është ngjallur prej së vdekuri, prandaj bërthama e Besoj-mës është pa dyshim kritologjik, duke besuar dhe pranuar Krishtin për Shëlbues dhe Shpërblyes.
Shën Ambrozi thotë: “Kisha është shprehje e Atit, për Birin në Shpirtin Shenjt.”
Kisha, si sakrament shëlbimi, vazhdon veprën e Jezusit “në një mënyrë sakramenti, apo shenja apo mjeti i bashkimit intim me Hyjin dhe i njësisë së krejt gjinisë njerëzore”. (LG 1; krhs.GS 42) Jezusi është bashkimi më i madh, më intim me Zotin dhe me njeriun, sepse Ai është Zot i vërtetë dhe Njeri i vërtetë. Kisha është shenjë dhe mjet për këtë bashkim të dyfishtë, sakramenti i gjithmbarshëm i shëlbimit. (krhs. LG 48; AG 5)
Duke e theksuar këtë të vërtetë, Shën Papa Pali VI, thotë kështu: “Kisha është projekti i qartë i dashurisë së Zotit ndaj njeriut, sakrament i shëlbimit.”
Ajo qe paralajmëruar qysh në Besëlidhjen e Vjetër nëpërmjet Popullit të Izraelit, i cili, ka kaluar prej nomandizmit në diasporë në mesin e popujve tjerë, te mesianizmi, dhe së fundi në trajtën misionare për mbarë botën. Në këtë vështrim biblik, Kisha është parafytyruar në mënyrë të përsosur, është përgatitur, në një mënyrë, ka filluar para themelimit dhe dukjes historike, në jetën dhe në historinë e Popullit të zgjedhur.
Në Besëlidhjen e Re, Kisha lind si përvojë unike me Zotin dhe njeriun, në Jezu Krishtin dhe në bashkësinë e apostujve. Kështu Kisha shkëputet dhe tejkalon zanafillën hebraike, me shumë elemente burimore hyjnore. Kjo vetëdije e re e Popullit të ri të Zotit, shprehet edhe me koncepte të ndryshme, si për shembull: “Korpi i Krishtit”, “Hyji është me ne”, “njerëzimi i ri” prej hebrenjve dhe paganëve, të gjithë atyre që besojnë në Jezu Krishtin.
Shën Augustini e përcakton Kishën si “mjet të pajtimit me Zotin dhe me të afërmin.”
Shën Pali shkruan kështu: “Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk e kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm në Krishtin e, secili prej nesh gjymtyrë e njëri-tjetrit.” (Rom 12, 4-5)
Dhe shkruan kështu për Jezu Krishtin: “Ai është Kryet e Trupit – Kishës; Ai është Fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekur – që të jetë në gjithçka i Pari”. (Kol 1, 18)
KISHA ËSHTË NJË
Si është Zoti një në të Shenjtërueshmen Trini, sepse kështu e ka dashur dhe themeluar Jezu Krishti, në krye me apostullin Pjetër, pas tradhtisë së trefishtë, si dhe pendimit të trefishtë dhe të dashurisë (khs. Gjn 21, 15-17; Mt 28, 18).
Bashkësia e Kishës shprehet në tri mënyra:
Në mësim dhe në dëshmi të fesë: të gjithë besojnë në të njëjtën mënyrë në të vërtetat e zbuluara prej Jezu Krishtit, të bartura nëpërmjet apostujve, të mësuara dhe të caktuara nga Magjisteri – Mësuesia e Kishës dhe nga Tradita. Të gjithë ne jemi të ftuar të jetojmë sipas të Vërtetës së Ungjillit, dhe për ta dëshmuar Jezu Krishtin sot.
“Kisha është themeluar si një dhe e vetmja prej Krishtit Zot...(Parathënie)...e prodhon këtë bashkim të mrekullueshëm dhe i bashkon të gjithë kaq ngushtësisht në Krishtin, saqë përbën zanafillën e njësisë së Kishës.... nën veprimin e Shpirtit Shenjt, të rritet dhe të përsoset bashkësia e tij në njësi: në dëshminë e një feje të vetme, në kremtimin e përbashkët të kultit hyjnor dhe në harmoninë vëllazërore të familjes së Hyjit”. (UR 2)
Koncili Dytë i Vatikanit na mëson: “Kjo është e vetmja Kishë e Krishtit, që në Simbolin e fesë e dëshmojmë si një, të shenjtë, katolike dhe apostolike, dhe që Shpëtimtari ynë, pas ngjalljes së vet, ia dha ta kullotë Pjetri, duke ia besuar atij dhe apostujve të tjerë përhapjen e udhëheqjen e saj, dhe e themeloi përgjithmonë si shtyllë dhe mbështetje të së vërtetës.” (LG 8)
Njësia e Kishës katolike dëshmohet në kremtimet e përbashkëta liturgjike, të meshës së shenjtë dhe të sakramenteve tjera; sidomos në bashkësinë e dashurisë, si familje e re e Popullit të Zotit. (krhs. UR 2)
KISHA ËSHTË E SHENJTË
Shenjtëria e Kishës vjen nga themeluesi i saj, Jezu Krishti, i cili ka vdekur dhe është ngjallur për të na liruar nga e keqja.
Krishti na fton: “Jini, pra, të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”(Mt 5, 48)
“Kisha, në të cilën të gjithë jemi të thirrur në Jezu Krishtin dhe në të cilën, nëpërmjet hirit të Hyjit, fitojmë shenjtërinë, do ta ketë plotësinë e vet veçse në lavdinë qiellore, kur do të vijë koha në të cilën të gjitha gjërat do të përtërihen (khs. Zb 3, 21) dhe së bashku me gjininë njerëzore edhe gjithësia, e cila arrin qëllimin e vet, do të gjejë në Krishtin përsosmërinë e vet përfundimtare.” (LG 48; UR 4)
Shën Pali shkruan kështu: “E mandej, përmbi të gjitha vishuni me dashurinë” Ajo mban së bashku të gjitha virtytet.” (Kol 3, 14)
Përsosmëria apo shenjtëria është një ndër veçoritë e Kishës gjatë shekujve, e deri me sot. Nëpërmjet shenjtërve, Zoti ndriçon, vepron, është i pranishëm, tregon praninë e tij ndër ne, na shënon rrugën për ta ndjekur. Vëllezërit tanë apo motrat tona, kështu janë shembull, ndihmë dhe frymëzim edhe për ne.
Një shenjtëri shumë të veçantë kishte Virgjëra Mari, Mbretëresha e engjëjve dhe shenjtërve.
“Të gjithë ne e kemi vetëm një Atë, Atin qiellor, dhe vetëm një nënë, të Lumen Virgjërën Mari. Rregulltaret janë zemra e Kishës Nënë...Burimi i vetëm i bashkimit dhe shenjtërisë është Jezusi në Eukaristi...Duke u ushqyer nga i njëjti Trup dhe Gjak, edhe ne do të bëhemi një Trup i vetëm, me Jezusin dhe për Jezusin, me dashurinë e Tij të madhe...
Shenjtëria nuk është një privilegj për pakicë, por një detyrë për çdo të krishterë, për mua, si dhe për ty. Puna jonë është një mjet tejet i mirë për shenjtërimin tonë... Me shenjtëri do të jeni të aftë të duani dhe të shërbeni tjerët në qytetin tim dhe tuaj të Shkupit” tha Nëna Tereze në Shkup më 28 mars 1978.
Pastaj vijon kështu: “Ja shenjtëria në përditshmëri: jeta në paqe dhe në dashuri me Zotin dhe me të afërmin, ndihma gjithë atyre që kanë nevojë për fjalë tona, për buzëqeshje, për zemrën tonë. Të jemi gjithnjë të gatshëm për flijim, shërbim, dashuri, ia shenjtëria shumë e zgjeshtë, thellë dhe vërtetë. Vetëm shenjtëria mund të na aftësojë për flijim të përsosur, për dhurim të plotë. Kush është një shenjt? Një shpirt i vendosur, një shpirt që shërben me të gjitha fuqitë që ka. Shën Pali nuk donte të thoshte diçka tjetër, kur pohonte: “Gjithçka mundëm me fuqinë e Atij që me jep fuqi.” (Nëna Tereze)