38 vjet meshtar

Religjion

38 vjet meshtar

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 17:47
Dom Pjeter Popaj

Këshilli i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, së bashku me mijëra besmitarë te vet,  pati të djelën në darkë nderin e veçantë që të organizojë një mbremje festive për famullitarin e meshtarin Dom Pjetër Popaj, duke i uruarë atij :"25 vjetorin e shugurimit prift, me dëshirat më të mira për shëndet e suksese në misionin e tij në shërbim të Zotit e anëtarëve të famullisë."

Dom Pjetër Popaj, për 25 vjet me radhë, duke qenë meshtar dhe në krye të famullisë së Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, ka dëshmuar se është një njeri i përkushtuar me zemër e shpirt në shërbim të Krishtit e të kombit.

Ai sot është një figurë e respektuar në komunitetin tonë, dhe në gjithë botën shqiptare për bashkëpunimin që ka pasur dhe ka me përfaqësues të të gjitha besimeve fetare dhe me të gjithë bashkatdhetarët, pa marrë parasysh besimin dhe vendin nga janë. Ne jemi shumë krenarë me veprimtarinë e Dom Pjetër Popajt dhe e urojmë nga zemra që të ketë shëndet gjithmonë në shërbim të fesë e kombit.

Në librimin tim, "Monsignor Dr. Zef Oroshi, Një jetë e shkrirë për fe e atdhe" kam shkruar 10 faqe për Dom Pjetër Popaj. Dhe si një urim të bukur i ri sjell  me rastin e 25 vjetorit të meshtarisë.

Dom Pjetër Ndoc Popaj, lindi në Shën Gjergj, më 10 qershor 1958, në një nga qendrat e hershme të krishtërimit ndër shqiptarë. Kisha katolike në vendlindjen e tij daton në shek. XIV. Ajo i është përkushtuar Shën Gjergjit dhe bën pjesë në Arqipeshkvinë Metropolitane të Tivarit, ku, i pari i saj ishte Primat i Serbisë.

Më kujtohet si tani babai i Dom Pjetrit, një burrë i hijshëm nga pamja, elegant nga veshja dhe i mprehtë nga fjala. Një ditë, në oborrin e Kishës, më tha: “Është komunitet i madh e Dom Pjetri është i ri nga mosha, për t’i përballuar gjithë këtyre.” “Z.Ndoc,- i thashë,- Dom Pjetri, është shumë i përgatitur për të përballuar punë edhe shumë më të mëdhaja.” Ai më shihte në sy dhe dëgjonte me shumë kujdes. Mbas një pauze të vogël, shtoi: “Zoti të bekoftë! Me burra të ndershëm arrihet gjithçka.”

Më kujtohet, kur në Kishën tonë ishte i pranishëm ish-Ambasadori në Selinë e O.K.B.-së z.Pëllumb Kulla, së bashku me bashkëshorten e tij dhe të tjerë që e shoqëronin. Porsa Dom Pjetri mbaroi meshën, aktorja e njohur zonja Xhulieta Kulla, tha këto fjalë: “Dom Pjetër, predikimi juaj më ka lënë shumë mbresa sot. Ju jeni më artist se artistët.”

Në vendlindje Pjetri i vogël mori mësimet fillestare, kurse vitet e fundit të shkollës fillore i përfundoi në Ulqin. Më 1972, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe familja e tij, nëna Lina e babai Ndoc, mori udhën e mërgimit për në Sh.B.A.

Për 12 muaj ata qënduan në Itali, për përgatitjen e dokumentave dhe në nëntor të vitit 1973, arritën në aeroportin J.F.K. Prindërit e regjistruan Pjetrin në “Joan of Ark” High School, në Manhattan e më pas në “Evander Childs” High School, në Bronx, New York. Tek i riu, zgjohet në brendësi të shpirtit thirrja e parë për t’iu përkushtuar Hyjit.

Vitet kaluan e ai përfundoi studimet e larta në “Cathedral Preparatory Seminar”, në Manhattan. Por etja për dije filozofike do të bënte që ai të rregjistrohej në “Cathedral College of the Immaculate Conception” në Douglastown, Yonkers, NY, ndërsa studimet  teologjike t’i përfundonte me sukses “St Joseph’s Seminary”, në Dunwoodie , New York, në vitin 1985. I shuguruar si djakon, për 6 muaj shërbeu në Kishën “Saint Lucy’t”, në Bronx.

Një muaj më pas, më 16 nëntor 1985, në Katedralën e Saint Patrick-ut, në Manhattan, NY, nga Shkëlqësia e Tij John Cardinal O’Connor, Arqipeshkëv Metropolit i New York-ut, u  shugurua prifti i parë shqiptar në Amerikë, duke veshur petkat e meshtarit. Ky gëzim i përbashkët, u festua më 24 nëntor 1985, në “Imperial Manor”, në Paramus, New Jersey nga bashkatdhetarët e meshtarët: Imzot Dr.Johseph J.Oroshi, bashkëvendasi Dom Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolit i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Shkëlqësia e Tij, Imzot Rrok Mirdita), Monsinjor John Doherty, Vicar Episcopal, Father Hebert D’Argenio, nga Këshilli i Kishës, ku,  kryetar darke ishte Tonin Mirakaj. Ishte kjo ditë, kur Dom Pjetër Popaj celebroi meshën e parë në Kishën Shqiptare në Bronx, ku, morën pjesë 1014 persona.

Më 17 maj, Cardinali i New York-ut, Eminenca e Tij Jonhn Connor, njoftoi emrimin e Dom Pjetër Popajt si ndihmësadministrator në Kishën “Saint Lucy’s”, Bronx, NY. Më 1 qershor 1989, prifti i ri celebroi meshën e parë si ndihmësfamullitar në Kishën Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Prej vitesh peligrinët shqiptarë shkojnë të organizuar në grupe në vendet e shenjta, për të cilat, është shkruar në faqet e këtij libri. Dom Pjetër Popaj, ka organizuar tubime shkencore e kulturore në nderim të klerikëve katolikë dhe personaliteteve të ndryshme të kulturës shqiptare.

I tillë është seminari shkencor, mbajtur më 7 tetor të vitit 1989, në përkujtim të  300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit (1625-1689) dhe rëndësisë së veprës së tij “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore mundi et ejus evangelica veritate italice et epirotice contexta et in duas partes divisa a Petro Bogdani… Patavii MDCLXXXV.” (Çeta e Profetënve), në Fordham University Campus Center, New York, në të cilën morën pjesë kumtuesit: Prof.Arshi Pipa (University of Minnesota), Atë Daniel Gjeçaj O.F.M. (Romë, Itali), Prof.Dr.Ibrahim Rugova (Instituti Albanologjik, Prishtinë Kosovë), Prof.Engjëll Sedaj (Prishtinë, Kosovë) dhe u lexua kumtesa e Prof.Martin Camajt (Universiteti i Munyh-it, Gjermani).

Më 24 maj 1999, Dom Pjetër Popaj, ishte në krye të një grupi besimtarësh shqiptaro-amerikanë, që shkuan në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në përkushtimin (konsekrimin) e Shenjtores “Zoja e Këshillit të Mirë”, që në Shqipëri njihet si “Zoja e Shkodrës”. Ceremonia e rastit u drejtua nga Eminenca e Tij, Kardinal Joseph Tomko, Drejtor i Zyrës “Propaganda Fide”, pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan, i shoqëruar nga Shkëlqësia e Tij, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Durrës-Tiranë dhe President i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Giovanni Bulatis, meshtarë të tjerë të ardhur nga Italia, Kroacia, Kosova, si dhe një numër murgeshash të udhërave të ndryshëm, që shërbenin në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Shqipërisë, Prof.Dr.Rexhep Meidani, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, shkrimtari Pjetër Arbnori (1935-2006) e përfaqësues të pushtetit lokal të qytetit.

Më 8 qershor 2002, në mjediset komode të Qendrës “Nënë Tereza” në Hartsdale,

New York, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, u organizua Simpoziumi me temë: “Kisha në komunitetin shqiptar”. Në këtë tubim të rëndësishëm kulturoro-historik ishin të pranishëm përfaqësues të klerit katolik shqiptar, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Arqipeshkëvisë Metropolitane Tiranë-Durrës dhe z/President i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, famullitari organizues dhe mikpritës, i përndershmi Dom Pjetër Popaj, Dom Nikolin Përgjini, studiues, intelektualë, besimtarë etj. Organizatorë të simpoziumit ishin: “The Internacional Club Illiriada” dhe Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”. 

Dom Pjetri, është organizatori i përvitshëm i darkës madhështore të Kishës “Zoja e Shkodrës”, për të përkujtuar Zojën e Shkodrës si pajtore, një nënë mbrojtëse e kujdesshme për bijtë e vet arbërorë, të famullisë në Hartsdale, New York.

Më 10 prill 2005, Qendra Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, nën drejtimin e Dom Pjetër Popajt, bëri përkujtimin e 80-vjetorit të vdekjes së liberatorit të madh Luigj Gurakuqi (1879-1925) dhe 30-vjetorin e vdekjes së prozatorit modern, ish-Ministrit të Arsimit në Shqipëri, Prof.Ernest Koliqit.

Më 25 tetor 2005, në New York, u organizua tubimi shkencor në përkujtim të 600-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit. Në vitin 2006, me një darkë solemne, u festua 40-vjetori i daljes së numërit të parë të revistës “Jeta Katolike” (1966), që themeloi dhe drejtoi Monsinjor  Oroshi, ku, për rolin dhe rëndësinë e këtij buletini në komunitetin tonë në Amerikë, foli organizatori, i Përndershmi Dom Pjetër Popaj. Fjalimin kryesor e mbajti aktivisti i palodhur i Kishës, z.Tonin Mirakaj.

Prej 16 vitesh (1991) e në vijim Dom Pjetri, është organizatori i festivalit mbarëshqiptar në Lehman College (Bornx, NY), ku mblidhen grupe e këngëtarë shqiptarë nga shtetet e ndryshme të Amerikës, të cilët, sipas traditës, i përshëndet meshtari mikpritës.

Edhe pse pjesën më të madhe të jetës së tij Dom Pjetri e ka kaluar në Amerikë, ai ka dashuri të pakufi për vendin e tij të lindjes, të cilën e viziton shpesh me mall e nostalgji.

Kleriku shqiptar, thotë: “Duke vizituar shpesh vendlindjen, mësojmë më tepër për vetën tonë”. Aty kujton fëmijërinë dhe truallin, ku, ka lindur ai, familja dhe stërgjyshërit e tij brez pas brezi, duke i quajtur ato ditë në Ulqin, si kujtimet më të bukura të jetës së tij. Ja një pasazh mbresëlënës i përjetimit të klerikut tonë, botuar në revistën kulturore:  “Jeta Katolike”, në New York:

“Pas 34 vitëve në mërgim, shkova për të vizituar vendlindjen. Edhe më parë kam patur raste të rëndësishme për të shkuar në trojet e mia. Ishte bërë një kohë tepër e gjatë. Bekimi i Kishës së Shën Markut, në Shtoj të Ulqinit, ishte rast gëzimi i dyfishtë për Shtojin e New York-un…

Një përjetim të shkëlqyer ndjeva gjatë vizitës pranë kishave të Shasit. Themelet e muret e rrënuara të kishave të hershme më lanë të habitur. U mahnita shumë me Kishën e vogël të Shën Marisë, në një shkëmb rrëzë malit të Ambullit. Prej liqenit të Shasit, është një e përpjetë e vështirë, me shkëmbinj të mprehtë e të dendur, me shkurre e therra. Kur gjindesh në fund të malit, thua kur do të ngjitem atje. Jo vetëm që ngjitesh mirë, por as nuk ndjen lodhje. Kur kthehesh poshtë, të duket se të ka pushuar trupi…

Me dëshirën e zjarrtë për të njohur sa më shumë vendlindjen time, kam dalë për të parë ato male të larta, që ruajnë në zemra histori të lavdishme të malësorëve trima.

…Kudo që shkova kam gjetur mikpritjen e bujarinë tradicionale të shqiptarit…Për një kohë të shkurtër kam bërë shumë vizita e takime të rëndësishme e sidomos vizita në vendlindje, që zënë një vend të posaçëm.

…Vizita në vendlindje është e nevojshme për ne. Prej aty vjen identiteti ynë, gjuha, feja, kultura, etnosi, tradita. Aty është burimi i jetës tonë. Vendlindja, duhet trajtuar si një vend i shenjtë. Zoti e ka zgjedh për ne, me lind aty. Kjo është sipas planit të Tij.

Duke u moshuar e kujtojmë vendlindjen më shpesh. Shprehja popullore na tregon se fruti i pjekur, kur këputet nga dega, bjen te rrënja. Pjekuria jonë matet me ndërgjegjësimin tonë. Pyetja kryesore për çdo njerin është: Kush jemi ne? Padyshim, se përgjigja nuk mund të jepet pa pyetjen tjetër: Nga jemi ne? Të meditojmë rreth të kaluarën tonë, fëmijërisë tonë, tokës së të parëve tanë. Duke vizituar shpesh vendlindjen, mësojmë më tepër për veten tonë…”(1)

Sot, Kisha jonë “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York, nën drejtimin e tij dhe Dom Nikolin Pergjinit, po përballet me aktivitete të larmishme fetare e kombëtare, me ngjarje të rëndësishme. Me këtë veprim për fe e atdhe, po vijohet me një dinamizm të shkëlqyer rruga e themeluesit të Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, Imzot Dr.Zef Oroshit.

Po kështu, Dom Pjetri, do të shkruajë mbresat e udhëtimit për vizitën e fundit, që pati në fshatin Shën Koll në Ulqin.(2)

Meshtarin tonë Dom Pjetër Popaj, kisha fatin e mirë ta njoh për kualitetin e tij fetar dhe atdhetar, kur kryesoja shoqatën “Rozafat”, gjatë viteve 1997-1998. Ishte shumë i përpiktë në pjesëmarrje, kur bëheshin provat e përditshme, për përgatitjen e festivaleve, që organizonte Shoqata Kulturore  Artistike “Rozafat”.

Tek ai më binte në sy fakti, se gjithnjë e merrte fjalën i fundit e dëgjonte me shumë vemendje diskutimet e të gjithëve. Ai ishte shumë i kthjellët dhe i saktë, duke bindur pjesëmarrësit me mendimet e tij racionale, shumë të efektshme për mbarëvajtjen e festivaleve.

Toleranca dhe kultura e zgjedhur e fjalës spikasin në veçanti, duke qenë i gatshëm për nisma të reja. Ai e priti me shumë kënaqësi e gatishmëri propozimin tim, se kishim rënë dakord me grupin e mësimdhënësve pranë Shoqatës, për organzimin e një festivali tradicional të rinjsh plot talent, në çdo stinë të pranverës, duke e pagëzuar me emrin: “Festivali i talenteve të reja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat