Rrënjët e dekadencës në botën islame

Religjion

Rrënjët e dekadencës në botën islame

Nga: Merxhan Jakupi Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 14:07
Autori Merxhan Jakupi

Historiani, eksperti dhe njohësi i mirë i botës islame, Bernard Lewis, e cilëson si hipotezë dhe gabim se stagnimi, prapambeturia dhe dekadenca në botën islame është vetë islami, ku shumë shtete të Lindjes së Mesme dhe ato arabe janë katandisur në padije, injorancë dhe në regjime totalitare e autoritare. Bernand Lewis, shkruan në veprat e tij, se po ai islam ishte në mesjetë, kur Evropa ishte në errësirë, dekadencë, kurse në mesjetë islami arriti në piedestalin e dijes, shkencës dhe arsyes.

Kritiku dhe islamologu, Tilman Nagel, në shumë podiume, debate në mediat perëndimore ka potencuar se Bota islame ka nevojë për një Martin Luter. Po ashtu edhe krishterimi ishte katandisur nga dogmat, inkuzicioni, dekadenca dhe prapambeturia. Ky islamolog nuk e fajëson islamin për dekadencë, prapambeturi, por teza e tij kritike është se bota islame nuk pati fatin të kishte një Martin Luter, reformator. Fatkeqësia e botës islame ishte se në mes të shekullit 19 lindi fraksioni më konservator, puritan, arkaik - vehabizmi, e jo një fraksion reformues, modern, siç pati fat ta ketë krishterimi, një reformator si Martin Luteri. Është për t’u habitur, thotë ky islamolog, se reformat e para që bëri ky lider ishin mostër e islamit, sikur t’i kishte huazuar nga islami, pasi këto teza ishin të ngjashme me tezat islame.

Po ashtu, një ndër shkaqet e stagnimit dhe dekadencës së botës islame është te fraksionet, methhebet, shkollat juridike, të cilat nuk kanë bërë reforma. Disa fraksione dhe sekte nuk kanë bërë reforma që nga mesjeta, kurse fraksioni vehabist është një ndër aktorët e dekadencës së botës islame.

Sipas disa liderëve të këtyre fraksioneve dhe shiizmave, çdo reformë paraqitet si anti-tezë, herezi, blasfemi, që bie ndesh me doktrinën islame, SHIRK-un ose KUFR-in.

Shteti utopist

Sipas studiuesit dhe njohësit të botës islame, Edward Sahid, çdo shfaqje e mendimeve filozofike, shkencore dhe kritike ishte në harmoni me tezat islame në periudhën e artë të botës islame, kurse tash çdo mendim kritik, filozofik dhe shkencor nga shumë liderë dhe klerikë është herezi, blasfemi. Më tej, ky studiues shkruan se Islami si fe nuk është ideologji, siç e paraqesin disa kritikë të feve monoteiste. “Gotes stat” ose shteti i krishterë, ai çifut dhe islam nuk ekziston. Legjislativi, ekzekutivi dhe juridiksioni në islam paraqesin rregullat e të jetuarit, moralin, etikën, kultivimin e vlerave dhe emancipimin sipas rregullave islame. Shumë rryma, sekte ekstremiste, puritane dhe arkaike, islamin e kanë brumosur me ideologji, siç ishin ISSIS-i, TALIBANËT, XHIHADISTËT dhe shumë grupime të tjera për ta shndërruar islamin në një shtet utopist. Shtetet islame ose shtetet e krishtere janë kundër parimeve, normave, lirive dhe vlerave demokratike.

Lëvizjet pragmatike dhe reformuese

Një ndër mendimtarët dhe reformatorët e botës islame të shekullit 19, kanë qenë Xhemaludin Al Avgani, Muhamed Abdul dhe Rashit Rida. Sipas këtyre dijetarëve dhe reformatorëve, Perandoria Osmane nuk e ndoqi vizionin, rrugën e paraardhësve të mesjetës, nuk i kushtoi rëndësi dijes, shkencës, por ajo ishte e fokusuar në ekspansionizëm, pushtime dhe vonë filloi të bëjë reforma dhe të ndjek Evropën.

Lëvizjet moderniste dhe pragmatike filluan edhe në shekullin 20. Një pjesë e klasës së mesme ishin shkolluar në Perëndim, sikundër edhe disa intelektualë, romancierë dhe kritikë të elitës politike, që ishin të mahnitur për zhvillimin, teknologjinë, demokracinë, standardin dhe begatinë e botës perëndimore. Këta intelektualë dhe liberalë përpiqeshin të mobilizonin shoqëritë, për të filluar reformat dhe për të bërë rikthimin te vlerat e epokës së artë islame, kur lulëzonte liria, dija dhe shkenca.

Në mesjetë, dijetarët, mistikët dhe shkencëtarët ishin të skalitur në shkencë, dije dhe në konfrontime të ideve e të kriticizmit. Ishte tradita e mendimit kritik. Një dijetar i Andaluzisë shkruante se edhe e drejta duhet të kritikohet. Fatkeqësisht, pas mesjetës, edhe perëndimi i epokës së artë islame, bëri që mendimi kritik të mbetet i kufizuar.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat