Kthimi i Shën Palit dhe kthimi ynë

Religjion

Kthimi i Shën Palit dhe kthimi ynë

Nga: Don Lush Gjergji Më: 24 janar 2024 Në ora: 11:12
Autori Don Lush Gjergji

Gjatë një udhëtimi për t’i kapur të krishterët në Damask, iu dëftua Jezusi i ringjallur dhe e ftoi për një mision apo dërgim të ri. Kjo sipas të gjitha gjasave ndodhi diku rreth vitit 36 pas Krishtit. Nga ky takim hiri – kairos- me Jezusin e ngjallur, ndodhi edhe ndërrimi i tij rrënjësor dhe jetësor, lindi misioni i tij apostolik (krh. 1 Kor 9, 1; Ef 4, 11-13/. Çfarë ndryshimi! Përndjekësi i dikurshëm bëhet dëshmitari i Jezu Krishtit, apostulli i popujve!

Rreth kthimit të tij ka shumë interpretime dhe shpjegime. Disa flasin për vegim, të tjerët për përjetim mistik e personal, të cilit Jezusi i ngjallur iu zbuluar në thellësi dhe menjëherë ia dhuroi tërësinë e misterit.

Shën Pali për jetën e tij të re, pas kthimit dhe pagëzimit shkruan: “Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej së vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 3-4).

Ja edhe disa analogji mes vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit dhe kthimit, pagëzimit dhe thirrjes së re të Shën Palit, prandaj edhe thirrjes dhe dërgimit tonë:

Jezusi ishte tri ditë në varr para se të ngjallej (krh. Mt 28, 1-15; Mk 16, 1-8; Lk 24, 1-12; Gjn 20, 1-10).

Sauli – Pali tri ditë nuk ngrëni asgjë para se të pagëzohej (krh. Vap 9, 8-9).

Jezusi pas ngjalljes tërhiqet në shkretëtirë, si edhe Shën Pali afro dhjetë vite ishte në heshtje, në vetmi, në lutje, në përgatitje...

Në kthimin e Shën Palit kemi ngjarjen e jashtme të pashkruar në (Vap 9, 1-18; 22, 6-16; 26, 12-18), por, edhe përjetimin e brendshëm (krh. Gal 1, 13-24; sidomos Fil 3, 13-21).

Kush dhe çfarë ishte Sauli para takimit me Jezusin e ngjallur?. Ja përshkrimi i tij, pikënisja apo “lënda e parë”, ende e papërpunuar: “Megjithatë, unë do të mund të shpresoja edhe në trup, sepse, në mendoftë ndokush se ka arsye të shpresojë në trup – unë edhe më tepër! I rrethprerë të tetën ditë, izraelit me kombësi, nga fisi i Benjaminit, hebre prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise; për kah zelli, salvues i Kishës e, për sa i përket drejtësisë – asaj të Ligjit – patëmetë” (Fil 3, 4-6).

Kulmi apo arritja e Shën Palit ishte kjo: “Por të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. Madje, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të” (Fil 3, 7-9).

Ja shpjegimi i Shën Palit: “Jo sikurse t’ia kisha arritur, as, sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit (Jezus)” (Fil 3, 12).

Lajmërimi, dëftimi, takimi, përvoja e Saulit me Jezu Krishtin e ngjallur gjatë udhëtimit për Damask ka motivet themelore biblike:

kaçuba e ndezur para Moisut dhe drita që Saulit ia mori pamjen e syve (krh. Dal 3, 1-2; Vap 9, 3);

zërin dhe thirrja me emër e Hyji drejtuar Moisiut dhe emërtimi personal i Jezusit drejtuar Saulit (krh. Dal 3, 3-6; Vap 9, 4);

paraqitja dhe zbulimi i Emrit të Hyjit para Moisiut dhe Saulit (krh. Dal 3, 13-15; Vap 9, 5);

zbulimi i dërgimit të ri dhe kërkesat para Moisiut dhe Saulit (krh. Dal 3, 16-20; Vap. 9, 5).

Kjo përvojë mistike, unike dhe shumë personale, si duket te Sauli ishte përsëritur edhe në dy raste, në ekstazën që e pati në Tempull (krh. Vap 22, 17-21); dhe në një lloj “grabitjeje” apo shtegtimi në qiell (krh. 2 Kor 12, 1-4).

Këto përvoja Sauli i mbron me shumë bindje dhe vendosmëri. “A nuk jam apostull? Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë? Po a nuk jeni ju vepra ime në Zotin?” (1 Kor 9, 1).

“Më në fund m’u dëftua edhe mua – deshtakut” (1 Kor 15, 8).

“Pali – apostull, jo prej njerëzve as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit dhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve” (Gal 1, 1).

“Ungjilli që ju kam predikuar nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti” (Gal 1, 17).

Shën Pali misionin apostolik, dërgimin e ri nga vetë Jezusi i ngjallur, bartjen e përvojës së fesë nuk e bënte vetëm personalisht, por, me shumë bashkëpunëtorë, ndër të cilët dalloheshin: Barnaba, Marku, Sila, Timoteu, Titi, Luka e shumë të tjerë.

Mënyra ishte kjo: e shpallte Jezu Krishtin e ngjallur nëpër qendra dhe vendbanime të rëndësishme në formën e predikimit, bisedimit, diskutimit, trajtimit filozofik dhe fetar, duke iu përshtatur publikut dhe rrethanave shoqërore të pjesëmarrësve.

“Profesioni” i Shën Palit ishte “mjeshtër tendash” (krh. Vap 11, 3), punëtor i madh dhe i palodhshëm me duar, aq sa shkruante vetëm me shkronja të mëdha, sepse kishte punuar tepër (krh. Gal 6, 11).

Nga këto elemente që i përmendem mund të përfundojmë se takimi, afrimi dhe bashkimi i Shën Palit me Jezusin e ngjallur në rrugën e Damaskut, ishte:

Një vegim : “Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë?” (1 Kor 9, 1);

Një ndriçim: “Sepse, Hyji që tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, Ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit” (2 Kor 4, 6);

Një zbulim dhe thirrje: “Përse, kur Atij që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë” (Gal 1, 15-16).

Një dërgimi tashmë i qartë. Jezusi i tha Ananisë: “Çohu, i tha Zoti – dhe shko në rrugën që quhet “E drejtë” e në shtëpinë e Judës lype njeriun prej Tarsit që quhet Saul... sepse ai është vegla që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit” (Vap 9, 11. 15).

Një dëshmi para të gjithë njerëzve. Zoti nëpërmjet Ananisë, pasi ia ktheu pamjen e syve, ndër të tjera i tha: “Hyji i etërve tanë caktoi ta njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin e ta dëgjosh zërin prej gojës së tij, sepse do të jesh dëshmitari i tij para të gjithë njerëzve për të gjithë ato që ke parë e dëgjuar” (Vap 22, 14-15).

Në një vend tjetër, Zoti i tha Palit kështu: “ Shko, unë po të dërgoj larg, në mes të paganëve!” (Vap 22, 21).

Ftesa dhe dërgesa e Shën Palit, janë të pandashme, sikurse edhe për çdo të krishterë, të jetuarit e të vepruarit, dëshmia e krishterë është e domosdoshme për atë që beson dhe jeton me Jezu Krishtin.

Kthimi, sipas Shën Palit është së pari ndërmarrje dhe nisje e Zotit, takimi me Jezusin e ringjallur (krh. Vap 9, 1-18). Ai, jo vetëm që nuk e kërkonte Jezusin, por e kundërshtonte, dhe me lejen e eprorëve kërkonte burgimin dhe asgjësimin e të krishterëve (krh. Vap 9, 1-2).

Shën Pali vepronte sipas bindjes, të vërtetës që e kishte njohur, dhe mendonte se duhej të vepronte kundër Jezu Krishtit dhe Kishës së tij, e cila nuk i përmbahej më traditës së etërve dhe e prishte Ligjin e Moisiut. Ai, pra, ishte në mbrojtjen e së vërtetës hebreje, e jo si Herodi, për vetveten dhe interesat vetanake, dhe këtë e bënte me plot bindje, flijim dhe përkushtim.

Mu për këtë Zoti i zbulohet dhe dhurohet nëpërmjet Jezusit të ringjallur, sepse Shën Pali ishte i drejtë, me bindje personale dhe fetare të bashkësisë hebreje dhe me qëllim të mirë, me gatishmëri edhe për vetëflijim dhe luftim (krh. Jak 1, 7-8; Vap 9, 6).

Drita, zëri, vegimi e rrëzuan për toke, ia thyen dhe rrënuan bindjen dhe të vërtetën e mëparshme, krenarinë dhe bindjen, se duhej ta luftonte Krishtin dhe Kishën, me ndërhyrjen e Zotit në jetën e tij. Këtu shihet dhe kuptohet mirë se si drita dhe e vërteta njerëzore, jeta pa hirin e Zotit, është kufizim, terr, robëri, gabim, dështim, edhe pse njeriu shpeshherë këtë nuk e heton, nuk e pranon, bile, ndoshta e mendon të kundërtën.

E vërteta i zbulohet dhe dhurohet Shën Palit nëpërmjet Jezu Kriushtit të ringjallur, por vetëm si fillim, proces të kthimit të plotë kah Zoti. Ajo në vazhdimësi do t’i zbulohet dhe dhurohet tërësisht dhe në mënyrë shkallore vetëm nëpërmjet Kishës, bashkësisë së krishterë, ku atë do ta “përpunonte” hiri i Hyjit.

Në pyetjen e tij: “Kush je ti, Zotëri?”, Jezusi do t’i përgjigjet shumë qartas: “Unë jam Jezusin që ti e salvon!” (Vap 9, 5-6), duke u identifikuar me Kishë dhe me çdo të krishterë të përndjekur.

Kthimi, pra, nuk është një lidhje personale mes Zotit dhe njeriut, por me ndërmjetësimin e Kishës, kjo nisje hyjnore e hirit përplotësohet, konkretizohet dhe zbatohet, gjithnjë nëpër Kishë, në Kishë dhe për Kishën, bashkësinë e krishterë, si vazhdimësi e veprës së Jezusit, asaj të shëlbimit.

Shën Pali e pranon dorën, udhëheqjen e të tjerëve, sepse vetvetiu nuk mundet më, nuk di, nuk sheh, nuk ka aftësi, është i verbët (krh. Vap 22, 10-11), parakusht themelor për fillimin e kthimit, por e pranon edhe Ananinë si përfaqësuesin e Zotit dhe të Kishës.

Ai vetëm nëpërmjet Ananisë, Kishës, do ta ketë pamjen, dritën e syve, pagëzimin, shartimin në Krishtin dhe në Kishën e tij.

Më vonë Shpirti Shenjt do ta caktonte Shën Palin për një mision të ri, pas nënshtrimit dhe bashkëpunimit me Kishë. “M’i ndani Barnabën e Saulin të kryejnë veprimtarinë për të cilën i kam caktuar”. Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i lejuan të shkojnë” (Vap 13, 2-3).

Kalimi prej territ në dritën e ngjalljes së Jezu Krishtit bëhet nëpërmjet Kishës, Ananisë, Barnabës... Anania dinte vetëm për të keqen që Sauli ia kishte shkaktuar Kishës (krh. Vap 9, 13), ndërsa Zoti ia zbuloi atij misionin e ri që e kishte caktuar për Shën Palin (krh. Vap 9, 15).

Këtë risi do ta thotë Shën Pali me shpalljen e “krijesës së re” (2 Kor 5, 17). Kthimi doemos domethënë vuajtje, si parakusht për pjesëmarrje në misterin e ngjalljes (krh. Vap 9, 16).

Nga ky përshkrim mund t’i nxjerrim tre elemente thelbore të kthimit të krishterë: dëgjimin e Fjalës së Zotit nëpërmjet Kishës, Biblës, ndërgjegjes; pranimin e Fjalës së Zotit – Jezu Krishtit, dhe jetësimin konkret nëpërmjet jetës sakramentale, duke filluar prej pagëzimit.

Takimi dhe përvoja e Shën Palit me Jerzusin e ngjallur është diçka tejet personale, por jo edhe personaliste, për t’u ruajtur dhe mbajtur vetëm për vete, por, për t’u dëshmuar dhe dhuruar të gjithëve, ashtu si ndodhi me Moisiun (krh. Dal 3, 20), me profetët (krh. Jer 1, 4-19).

Shën Pali e kuptoi dhe e pranoi këtë dërgim dhe mision me plot përgjegjësi. “Sepse, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1 Kor 9, 16).

Posa ishte pagëzuar dhe përforcuar fizikisht dhe shpirtërisht ai “menjëherë filloi të predikojë në sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit” (Vap 9, 20).

Pas Damaskut ai thotë “shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask” /Gal 1, 17/, pastaj “E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem për t’u njoftuar me Kefën e ndeja te ai pesëmbëdhjetë ditë” (Gal 1, 18).

Veprimtaria e tij misionare njëvjeçare me Barnabën ishte në Antioki, qytet i njohur dhe i madh në atë kohë, ku kishin kthye në krishterim shumë njerëz (krh. Vap 11, 19-24).

“Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën të “të krishterë” (Vap 11, 26).

Nga kjo përvojë, dritë, zë, thirrje, dërgim dhe siguri Shën Pali u bë tërësisht njeri i ri dhe pati një veprim-dërgim krejt tjetër, shpalljen e Jezu Krishtit të ngjallur mbarë botës. Vetëdija dhe përvoja e fesë se Jezu Krishti ishte e gjallë dhe veprues në Kishë, si dhe nëpërmjet tij, ai e shprehte gjithnjë dhe në trajta të ndryshme (krh. 1 Kor 15, 8-10; Gal 1, 11 - ).

Risia absolute për Shën Palin ishte dhe mbeti Jezusi i ngjallur dhe jeta-veprimi i tij nëpërmjet Krishtit dhe Kishës, bashkësisë së krishterë.

Për të, ngjallja e Jezu Krishtit, është ngjarja kryesore e mbarë historisë, sepse në Të plotësohen Ligji dhe profetët, dhe nga Ai vjen shëlbimi për të gjithë.

“Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë!” (Fil 1, 21; krh. Fil 3, 7-9).

Nëpërmjet këtij kthimi dhe takimi me Jezusin e ngjallur, Shën Pali po ashtu aftësohet që të takohet edhe me Kishën e Krishtit nëpërmjet Ananisë (krh. Vap 9, 4-18; 22, 8-16; 26, 14-18).

Elementet e përbashkëta të kësaj përvoje janë: aty iu ka zbuluar dhe dhuruar Biri i Hyjit, Jezusi (krh. Gal 1, 16), gjë kjo që pati si pasojë ndriçimin hyjnor (2 Kor 4, 6) dhe me këtë Jezusi atë e bëri për vete (Fil 3, 12). Nga kjo përvojë dhe takim, është e tërë jeta dhe veprimtaria e tij e mëvonshme, nga kjo dritë e brendshme.

Këtu theksohet edhe për ne roli i Kishës nëpërmjet të cilës Zoti na flet, na ndihmon, me hirin e tij nëpërmjet jetës sakramentale, na udhëheq në jetë dhe në veprimtari, na mundëson shëlbimin - amshimin.

Metanoja apo kthimi i Shën Palit ishte gjithëpërfshirës, në mendime, qëndrime, sjellje, zemër, në jetën e tij në tërësi, ashtu si e kërkonte Jezusi (krh. Mk 1, 15; Lk 3, 4-6). Për të kthimi nuk domethënë ecje mbrapa, kthim në traditën e etërve, por ecje përpara, me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, me Jezusin e ngjallur dhe Kishën, bashkësinë e krishterë. Mu për këtë “kthimi i Shën Palit ishte besim dhe bashkëpunim” thotë Shën Tomë Akvini.

Shën Pali është pa dyshim “përpunuesi” më i mirë i mistereve të krishtera, veçmas lindjes, mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, si mundësi dhe burim shëlbimi për mbarë njerëzimin.

Ai me të drejtë është Apostulli “ynë”, ungjillëzuesi i Ilirëve, i mbarë botës së atëhershme pagane, shembull, paradigmë, dëshmi mbi të gjitha pajtori i kthimeve tona në vazhdimësi!

Prishtinë, 25 janar 2024                                                                            Don Lush GJERGJI

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat