Çfarë nënkupton poligamia sipas fesë islame, dhe pse është e lejuar martesa deri në 4 gra!

Religjion

Çfarë nënkupton poligamia sipas fesë islame, dhe pse është e lejuar martesa deri në 4 gra!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 25 janar 2024 Në ora: 20:27
Rexhep Elezaj

Diskutimet dhe debatet e shumta në Kosovës rreth poligamisë, sidomos asaj në Islam, janë sa naive, po aq tendencioze, sidomos akuzat e pabaza ndaj Islamit për shkak se e ka lejuar poligaminë, gjegjësisht martesën deri në 4 gra. Temë kjo e cila në opinionin shqiptar asnjëherë nuk është prezantuar në kuptimin e plotë të fjalës, për të cilën (poligaminë) shumë qartë flitet në Islam, ngase vazhdimisht kjo çështje është keqinterpretuar, ekzagjeruar dhe keqkuptuar, se gjoja Islami i paska shkelur të drejtat e gruas, duke pohuar kuturu se poligamia na qenka një marrëdhënie bashkëshortore që e diskriminon gruan.

Mirëpo, këtë çështje drejtësia islame e ka trajtuar krejtësisht ndryshe nga ajo që flitet në opinion, sepse bëhet fjalë për raste specifike tek një numër i vogël i meshkujve, qoftë për nga natyra e tyre fizike, qoftë ajo gjenetike, të cilët nuk mjaftohen vetëm me një grua në martesë, mbase për poligaminë Islami ka vendosur kushte mjaft rigoroze për ata burra të cilët vendosin të martohen me më shumë se një grua.

Po ashtu, nuk duhet harrur se kushti kryesor në Islam për të qenë e lejuar poligamia, është aftësia e burrit për ta bartur atë fizikisht dhe financiarisht mbi supet e tij, para së gjithash, respektimi i plotë i të drejtave të barabarta ndaj gruas, gjegjësisht ndaj dy ose më shumë grave të martuara, e që lidhur me këtë çështje, Zoti i Madhëruar në librin e tij të shenjtë, Kur’an, ka thënë qartë: “Dhe, nëse keni frikë se nuk do të jeni të drejtë (me gratë), atëherë martoni vetëm një” (Kap. “En-Nisa”, verst. 3).

Pra, poligamia në Islam nuk lejohet në asnjë mënyrë, poqe se gruas së parë i bëhet dëmtim psikologjik, shqetësim shpirtëror si dhe gjëra të tjera që mund t’i shkakton asaj martesa e dytë, e tretë ose e katërt e burrit (raste këto shumë të rralla tek shqiptarët). Pra, burri në Islam ka obligim të jetë i sjellshëm me gruan dhe gratë e tij, ai duhet që t’i bindë ato paraprakisht që të martohen me të, si dhe të jetë plotësisht i barabartë ndaj tyre në çdo aspekt, përfshirë në nivel të njëjtë edhe aspektin e marrëdhënieve intime (seksuale), sepse kjo barazi është pjesë e drejtësisë që ai e ka ndaj tyre, dhe nëse ai e braktis poligaminë për t'i ruajtur ndjenjat e gruas së parë, kjo sjellje i shpërblehet nga Zoti xh. sh.

Jeta e njeriut ka kosto të mëdha, prandaj ato quhen obligime, dhe gjëja më e mirë është shmangia nga gjërat e ndaluara dhe të këqija, pastaj xhelozia dhe vështirësitë që vijnë nga poligamia ndryshojnë nga një grua tek tjetra, sepse disa gra nuk e kanë problem poligaminë, dhe kjo gjë është e njohur qysh nga kohët e hershme. Kemi parë disa gra që i nxisin burrat e tyre që të martohen, disa gra kërkojnë që ai të gjejë edhe një grua tjetër, madje disa prej tyre e shohin këtë si të dobishme që ta ndihmojnë gruan e parë në punët e shtëpisë si dhe t’ia lehtësojë obligimet që ka ajo ndaj burrit. Kështu që martesa e burrit me një grua tjetër është më e mirë për gruan e parë, sesa divorci i saj.

Më poshtë po sjellim disa nga shkaqet, se pse Islami e ka lejuar poligaminë;

1.), sepse Islami e ka ndaluar rreptësisht “zinanë”, prostitucionin, për shkak të këqijave të shumta që ai i shkakton në shoqëri, ngase Islami e ka ndaluar rreptësisht tradhtinë bashkëshortore, duke i hapur një derë legjitime martesës së burrit deri në 4 gra, pikërisht për ta ruajtur nderin dhe dashurinë bashkëshortore në familje, ashtu siç ua rekomandoi njerëzve martesën dhe siç e lejoi poligaminë për shkaqe krejtësisht morale dhe sociale.

Në Islam ndalimi i poligamisë është një e padrejtë për burrat, ngase parandalimi i saj mund të çojë në tradhti bashkëshortore, pastaj numri i grave e kalon numrin e burrave në çdo kohë dhe çdo vend të botës, dhe kjo gjë është evidente, sidomos gjatë luftërave, madje kufizimi i martesës vetëm me një grua bën që një numër i madh i grave të mbeten të pamartuara, dhe kjo u shkakton atyre vuajtje, shqetësim dhe shpërqendrim moral, siç mund t'i detyroi ato që ta shesin nderin e tyre, të përhapin zina (prostitucion) si dhe të humbasin pasardhësit e tyre, fëmijët si gjëja më me vlerë në jetën e njeriut.

2.), martesa nuk është vetëm një kënaqësi fizike-epshore, ajo përfshinë dashurinë, akomodimin dhe gjithashtu bekimin e një fëmije, sepse fëmija në Islam nuk është sikur në sistemet tjera botërore, ku prindërit e kanë të drejtën legjitime dhe natyrore për rritjen dhe edukimin e tyre, meqë fëmijët janë bekim për prindërit dhe jo ngarkesë për ta, siç ndodhë në botën perëndimore. Pra, cila nga këto dy situata është më e mirë për një grua, të gëzojë respektin e një burri që e mbron dhe kujdeset për të, apo të jetoj e vetme dhe e keqtrajtuar në shoqëri..!?

3.), qëndrimi i Islamit ndaj gruas është tejet i drejtë dhe i balancuar, dhe atë me përpikëshmëri të madhe, ngase të gjitha gratë i trajton me të njëjtën drejtësi, dhe, posikur të zbatohej kjo e drejtë ndaj tyre kudo në botë, atëherë, cili është faji i femrave që nuk kanë burra, ose vetëm se dikujt prej tyre i ka vdekur burri kur ajo ishte e re që të mbetet e vejë, gra këto të cilat në Islam shikohen dhe trajtohen me dhembshuri, dhe të cilat nuk duhet të ngelin të pamartuara.

Cila zgjidhje është më mirë për një grua, të jetojë nën hijen e një burri që ka një grua tjetër, të jetojë e qetë dhe në paqe shpirtërore dhe fizike, që ta ketë dikë që kujdeset për të si dhe të ketë fëmijë, apo të mbetet tërë jetën e pamartuar..!?

Cila gjë është më e mirë për një shoqëri, që të ketë një numër sa më të madh të burrave të ndershëm, në mënyrë që shoqëria të kursehet nga pasojat e mashtrimit të tyre, apo një shoqëri të degjeneruar moralisht, ku fëmijët do lindin si jashtëmartesorë (kopilë) dhe për të cilët nuk kujdeset askush..!?

Cila është gjëja më mirë, që një burrë të ketë dy, tre apo katër gra, apo të kesh një grua me kunorë dhe 4-5 dashnore ilegale, duke e shkatërruar kështu familjen si embrion kryesor i një populli..!?

4.), poligamia nuk është obligim i detyrueshëm në Islam, prandaj 99% e familjeve myslimane në botë nuk kanë martesa poligamike, sepse atyre u mjafton një grua dhe nuk ndjejnë nevojë të kenë më shumë se një, përjashto këtu rastet shumë specifike dhe që kanë arsye të veçanta fizike-sociale.

5.), natyra e gruas ndryshon nga ajo e burrit, kur është fjala për gatishmërinë e saj për marrëdhënie intime, ajo nuk është e gatshme për marrëdhënie seksuale në çdo kohë, pasi gjatë ciklit menstrual ka një pengesë që mund të zgjasë deri në 14 ditë, ose dy javë për çdo muaj, dhe ku gjatë periudhës së paslindjes ajo e ka të ndaluar marrëdhënien me burrë për gati dyzet ditë, sepse marrëdhëniet gjatë këtyre dy periudhave janë të ndaluara me ligjin islam, për shkak të dëmeve të cilat dihen.

Ndërsa, në rast shtatzënie, gatishmëria e gruas për të kryer marrëdhënie me burrin mund të dobësohet dukshëm, dhe kështu me radhë, ndërsa sa i përket mashkullit gatishmëria e tij është e njëjtë gjatë gjithë muajit dhe vitit, dhe, nëse disa burra pengohen nga poligamia, kjo pengesë mund të çojë në sjellje të pamoralshme dhe të paligjshme.

6.), gruaja mund të jetë sterile dhe të mos lindë, që burri në këtë rast privohet nga e drejta e të pasurit fëmijë, kështu që në vend që ta divorcojë gruan, ai e mban atë dhe martohet me një grua tjetër që është pjellore.

7.), gruaja mund të sëmuret nga një sëmundje kronike, si paraliza dhe sëmundje tjera dhe e cila nuk mund t'i shërbejë burrit, e që në vend se ta divorcojë, ai e mban atë dhe martohet me një grua tjetër.

8.), sjellja e gruas mund të jetë e keqe, ajo mund të jetë e ashpër, me karakter të keq dhe të mos kujdeset për kryerjen e obligimeve që ka ndaj burrit, dhe në vend se ta divorcojë, burri e mban atë dhe martohet me një grua tjetër, duke treguar kujdes ndaj gruas së parë, me qëllim të vetëm për t’i ruajtur vlerat e familjes dhe të fëmijëve të tij.

9.), aftësia e një burri për të lindur është shumë më e madhe se ajo e një gruaje, një burrë mund të lindë deri pas të gjashtëdhjetave, e ndoshta edhe më shumë se kaq, meqë është aktiv dhe i aftë për të bërë fëmijë. Kurse, sa u përket femrave shkencërisht ato ndalojnë së linduri fëmijë që në moshën dyzetvjeçare, ose pak më gjatë se kaq. Pra, parandalimi i poligamisë e privon një komb që t’i sigurojë vetes pasardhësit e tij, sa më shumë, aq më mirë për një komb.

10.), në martesën me gruan e dytë ka lehtësim për të parën, gruas së parë i lehtësohet barra e martesës ndaj burrit. Prandaj, nëse disa gra të shëndosha plaken më herët dhe nuk mund t’i përmbushin obligimet ndaj burrave të tyre, ka të tilla që e këshillojnë burrin që të martohet me gra tjera.

11.), kërkimi i shpërblimit, kur një person martohet me një grua të varfër e cila nuk ka bukë dhe as kujdestar, kështu që ai martohet me të me qëllim që ta ruajë atë të dëlirë si dhe të kujdeset për të, duke marrë shpërblim nga Zoti.

12.), pra, ai që e lejoi poligaminë është Zoti i Madhëruar, sepse Ai i dinë më së miri interesat e njeriut në këtë jetë. Kështu që, urtësia e Islamit dhe gjithë-përfshirja e tij në lejimin e poligamisë, janë vendime të logjikshme dhe të pandryshuara, vetëm për ata njerëz të cilët i besojnë Krijuesit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat