Falënderimi i Papës për kardinalin Simoni, “martirin e gjallë” 95-vjeçar të diktaturës në Shqipëri

Religjion

Falënderimi i Papës për kardinalin Simoni, “martirin e gjallë” 95-vjeçar të diktaturës në Shqipëri

Nga: Beqir Sina Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 15:52
Françesku e përshëndeti në mënyrë të veçantë kardinalin Simoni

Kardinali, i cili vuajti burgimin, persekutimin dhe kërcënimet me vdekje për rreth 28 vjet gjatë regjimit komunist, ishte i pranishëm sot në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI. Françesku e përshëndeti "në mënyrë të veçantë" dhe e falënderoi, sepse edhe sot "ai vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u shkurajuar", njoftoi Radio Vatikani, raporton Bota sot.

Hera e parë që bota e pa Françeskun, Papën e zgjedhur prej një viti e gjysmë, të derdhte lot, ishte më 21 shtator 2014, kur në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, në Shqipëri, gjatë takimit me klerin në Kishën Katedrale të Shën Palit, në Tiranë, dëgjoi dëshminë e meshtarit dom Ernest Simoni Troshani. Ai prift i moshuar me zërin e mekët, ardhur nga dioqeza e Shkodër-Pultit, që pak ditë më vonë do të kishte mbushur 88 vjeç, kishte kaluar rreth 28 vjet burg, tortura, kërcënime me vdekje dhe punë të detyruar, gjatë persekutimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili e shpalli Shqipërinë "shtetin e parë ateist në botë".

Atë ditë, dom Ernesti dëshmoi para Papës për periudhën mizore që kaloi vendi i shqipeve, së bashku me murgeshën tjetër të mbijetuar, motër Marie Kaletën. Papa Françesku, pasi dëgjoi në heshtje dëshminë e tij, hoqi syzet për të fshirë sytë në lot dhe e përqafoi gjatë, duke e mbështetur ballin mbi atë të dom Ernestit. Dy vjet më vonë, në Koncistorin e 2016-ës, Papa e krijoi kardinal, në shenjë mirënjohjeje për këtë dëshmi "martirizimi".

Martirët e shumtë të sotëm

Paraditen e sotme, 14 shkurt, kardinali Simoni ishte i pranishëm në audiencën e përgjithshme, i ulur në karriget anash Papës, në podiumin e Sallës Pali VI, ku zakonisht qëndrojnë ipeshkvijtë dhe kardinajtë. Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, në kohën e përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë Bergoglio e ktheu vështrimin drejt tij, për ta përshëndetur “në mënyrë të veçantë” dhe për ta lëvduar para mijëra besimtarëve të pranishëm.

“Të gjithë ne – ngriti zërin Papa, duke e lënë mënjanë tekstin e shkruar – i kemi lexuar, i kemi dëgjuar historitë e martirëve të parë të Kishës, të shumë prej tyre. Edhe këtu, ku tani është Vatikani, dikur ishte varrezë. Shumë u ekzekutuan dhe u varrosën këtu. Kur bëhen gërmime, i gjejnë këto varre”.

“Por edhe sot ka shumë martirë në mbarë botën, shumë, ndoshta, më shumë se në zanafillë. Ka shumë të persekutuar për fenë”.

Kardinali Simoni ende punon për Kishën

Sot, vijoi Papa, “më lejoni të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë”, kardinalin Simoni. “Ai, si meshtar, përjetoi 28 vjet burg, në burgun komunist të Shqipërisë, ndoshta persekutimi më mizor, më mizor”, pohoi Françesku. Sot kardinali shqiptar “vazhdon të japë dëshmi. Dhe si ai, shumë e shumë e shumë të tjerë".

“Tani, është 95 vjeç e vazhdon të punojë për Kishën, pa u shkurajuar. I dashur vëlla, të falënderoj për dëshminë tënde. Faleminderit”.

Fjalët e Papës, gjatë kthimit nga Tirana

Fjalë prekëse ato të Papës në fund të audiencës, shoqëruar me një thirrje të re për të mos harruar, veçanërisht gjatë kësaj kohe Krezhmësh, "Ukrainën e martirizuar, Palestinën dhe Izraelin, që pësojnë kaq shumë", si edhe të vuajturit e tjerë të luftrave. Edhe gjatë kthimit nga Tirana, pas udhëtimit të tij në vitin 2014, Ati i Shenjtë u foli gazetarëve për historinë e kardinalit të mëvonshëm Simoni dhe për motër Kaletën. "Të dëgjosh një martir të flasë për martirizimin e tij është vërtet diçka e fuqishme – pati thënë Françesku. - Mendoj se të gjithë u prekëm nga këta dëshmitarë, që folën natyrshëm, me përvujtëri e, thuajse, dukej sikur po tregonin historitë e jetës së dikujt tjetër”.

Arrestimi, kërcënimet, persekutimi

Don Ernesti u arrestua natën e Krishtlindjes 1963, në fund të meshës në Barbullush. E akuzuan si "armik të popullit", edhe për shkak të meshës së kremtuar për shpirtin e presidentit amerikan Kennedy, i cili kishte vdekur një muaj më parë. Meshë që, siç tregonte ai vetë, e kremtoi “sipas udhëzimeve të Papës Pali VI për gjithë meshtarët e botës". Në qelinë, ku qëndroi për 18 vjet, i sollën një shok me detyrën për ta spiunuar dhe urdhëruan të tjerë të raportonin për "zemërimin e tij të parashikueshëm" kundër regjimit.

Por kishte pak gjëra për dom Ernestin, vetëm fjalë faljeje dhe lutjesh dilnin nga goja e meshtarit. "Jezusi na mësoi t'i duam armiqtë dhe t'i falim, duhet të punojmë për të mirën e njerëzve", vazhdonte të thoshte ai. Fillimisht, u dënua me vdekje, por më pas, dënimi iu ndryshua në punë të detyruar, që e bëri për 25 vite me radhë në tunelet e errëta të minierës së Spaçit dhe më pas, në kanalizimet e Shkodrës.

Meshët dhe rrëfimet fshehurazi në qeli

Gjatë periudhës së burgimit, dom Simoni kremtonte meshën në latinisht, rrëfente të burgosurit, që ia kërkonin atë sakrament, duke u bërë ati shpirtëror i disa prej tyre e duke u dhënë edhe Kungimin. Hosten e piqte në një furnelë të vogël, ndërsa vera ishte lëngu i disa kokrrave të rrushit. Gjithnjë, fshehurazi. Pasi u lirua, më 5 shtator 1990, ai i fali torturuesit e tij, duke kërkuar mëshirën e Atit Qiellor për ta. Më pas, nisi të shërbente nëpër fshatra, sidomos për faljen e gjaqeve. Shërbim, që nuk u ndërpre asnjëherë, as për shkak të moshës dhe as për krijimin e tij kardinal. Pikërisht për këtë nderim, që i bëri Papa, kardinali Simoni thotë gjithnjë se ai është homazh për të gjithë martirët dhe katolikët e përndjekur në Shqipëri. Ashtu siç ishte nderim i tillë edhe krijimi i kardinalit të parë shqiptar në histori, nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1994: Mikel Koliqi (1902-1997), bashkëqytetari i tij nga Shkodra, edhe ai, i burgosur gjatë në burgjet e regjimit, ku kaloi 31 vite të jetës së tij.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat