Don Pal Tunaj MARTIRËT: Ekumenizmi i Gjakut

Religjion

Don Pal Tunaj MARTIRËT: Ekumenizmi i Gjakut

Nga: Don Lush Gjergji Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 13:05
Autori Don Lush Gjergji

Ekumenizmi është lëvizje kishtare dhe shpirtërore për takim, afrim dhe bashkim të plotë të krishterëve të ndarë, aty – këtu edhe të përçarë, gjithnjë në Jezu Krishtin, “të një bashkësie të vërtetë dhe të thellë, edhe pse ende jo i kompletuar” [1]

Ky ekumenizëm, që mbështet në përvojën e përbashkët të fesë dhe të dashurisë, pra, të martirizimit në periudha të ndryshme historike, mund të jetë frymëzim në kërkimin e përbashkët të rrënjëve tona, si dhe të shprehet me  “forma shpirtërore e lutjes së përbashkët, përkujtimi dhe ekumenizmi i martirëve.” [2]

Don Pal Tunaj në këtë studim thekson shumë mirë ekumenizmin e gjakut të martirëve, si dëshmi dhe trashëgimi të çmueshme të krishterë, duke mos harruar as Kishën e heshtjes apo të katakombeve moderne, sidomos në Popullin tonë ilir, arbër dhe shqiptar gjatë shekujve. [3]

Papa Shën Gjon Pali II thotë: “Ekumenizmi i shenjtërve dhe martirëve është ndoshta më bindësi Communio sanctorum flet më fort se faktorët e ndarjes.” [4]

Papa Françsku thekson: “Uniteti i krishterë, jemi të bindur, nuk do të jetë realitet i diskutimeve të rafinuara teorike... Ne kemi nevojë të takohemi me njëri tjetrin, të takohemi dhe të përballohemi me njëri – tjetrin nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, i cili harmonizon diversitetin dhe tejkalon konfliktet, pajton diversitetin.” [5]

Pastrimi i kujtimit ose largimi i paragjykimeve, është bërë sidomos gjatë Jubileut, 2000 vjetorit të krishterimit, me pranimin e fakteve, por edhe mëkateve apo lëshimeve, duke theksuar se pa kthim kah Zoti nuk as kthimi kah i afërmi, ekumenizëm vërtet shpirtëror dhe kulturor, gjithnjë në stilin e Papës Shë Pali VI dhe Patrikut ekumenik ortodoks Atenagora I me prejardhje shqiptare.

Ata të ndriçuar dhe të udhëhequr prej Shpirtit Shenjt, kanë pasur tri takime vërtet historike: në Jerusalem (1964), Romë (1967) dhe Kostantinopojë (1967), me heqjen e mallkimit të ndërsjellë, ndërsa Atenagora  me largpamësi, fe, do të them edhe me profetizëm, e ka quajtur Papën Pali VI, Pali II, pas apostullit të botës, Shën Palit, si dhe kreun e të krishterëve.  [6]

Një hov të tillë  për ne e ka dhënë vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipëri (25 prill 1993), duke theksuar që martirizimi më së miri na afron dhe bashkon me Zotin dhe njëri – tjetrin. [7]

Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar e ka një mundësi, rast, që nëpërmjet dëshmisë së martirëve, në Krishtin e përndjekur dhe të lënduar, të vrarë, të ngjallur, ta gjejmë edhe ne fuqinë e faljes dhe të pajtimit në ecjen e përbashkët drejt amshimit të lumtur. [8]

Prishtinë, 22 shkurt 2024                                                              Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat