Heshtja dhe vetmia e Jezusit dikur dhe sot

Religjion

Heshtja dhe vetmia e Jezusit dikur dhe sot

Nga: Don Lush Gjergji Më: 20 mars 2024 Në ora: 17:46
Autori Don Lush Gjergji

Shën Nëna Tereze thoshte: “Hapi i parë drejt shenjtërisë është dëshira për shenjtëri, për t’i përngjarë Jezusit në gjithçka, sidomos në vuajtje dhe në dashuri”.

Ajo  ka theksuar rastet e veçanta të heshtjes dhe vetmisë së Jezu Krishtit në histori dhe sot:

1.     Vetmia dhe djersitja e Tij në gjak në Kopshin e Gjetsemanit, ndërsa nxënësit e tij flejnë  (khs. Mt 26 , 35– 45; Mk 14, 32 – 42; Lk 22, 39 -45).

Lutja në Gjetseman dhe vetmia e Jezusit

(Mk 14, 32‑42; Lk 22, 39‑46)

“Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha:

“Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem.”

 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej.

 E u tha:

“Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!”

 Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”

Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:

“Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme?  Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”

Prapë shkoi të dytën herë e u lut:

“Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!”

 U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. 

 I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë.

 Atëherë u kthye te nxënësit e u tha:

“Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. 

 Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!”

Ungjilltari Marku thekson se Jezusin “filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngusht e u tha:

“Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar.”

(Mk 14, 33 -  35).

Ungjilltari Luka thekson një moment dhe qasje tjetër tejet të rëndësishme:

“Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. Djerësa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.”

(Lk 22, 43 – 44).

Kontrasti është ky: Jezusi djerësitet, lutet, është ngushtë, ka frikë dhe tronditje, si thonë shumë biblicistë sidomos  për mëkate tona, ndërsa apostujt, edhe më të zgjedhurit, si Pjetri dhe dy bijtë e Zebedeut, ishin të zgjedhur për të ndarë me ta këto çaste tejet të vështira dhe vendimtare, por pa ndonjë sukses, sintoni dhe harmoni.

Kjo histori përsëritet gati gjithnjë, pasi edhe ne merremi më shumë vetveten, me thashetheme, ndërsa më pak me fatin e njeriut, të tjerëve, duke qenë të verbër dhe pa ndjenja për njëri – tjetrin, me këtë edhe për vetë Zotin.

Qortimi i Jezusit: rrini zgjuar... dhe shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë vlen për të gjithë ne. A bashkëndajmë ne jetën, veçanërisht brengat, shqetësimet, sprovat, kryet me njëri – tjetrin, nëpërmjet Jezusit me Zotin dhe të afërmin?

2.     Kryqëzimi dhe vdekja e Jezusit në kryq (khs. Mt 27, 32- 44; Mk 15, 21 – 32; Lk 23, 26 – 43; Gjn  19, 17 – 27);

Jezusin e kryqëzojnë: etja e tij për ne dhe dhurimi i Marisë për Gjonin – çdo njeri

(Mk 15, 21‑32; Lk 23, 26‑43; Gjn 19, 17‑27)

“E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij.

Kur arritën në vendin e quajtur Golgotë ‑ d.m.th. Vendi i Kafkës ‑ i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë.

Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë mes tyre petkat e tij.  

Pastaj ndenjën dhe e ruanin.  Mbi kokë ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: “Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.”  

Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me kokë në shpoti  dhe thoshin: “Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!”  

Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin:

 “Të tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“

 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të...

“Aty ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë që prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. 

Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut.” (Mt 27, 32 – 44; 55 – 56).

Kjo vetmi shprehet edhe me klithjen e Jezusit nga kryqi: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” (Mk 15, 35).

Në këtë agoni, vetmi dhe heshtje, Jezusi nuk mendon për vetveten, por për miqtë e tij, pra, për ne.

Mu për këtë Ai më të dashurën, Nënën Mari, nëpërmjet Gjonit, na i dhuron neve, Kishës, të krishterëve, mbarë njerëzimit.

Konstatimi i dytë ishte etja e tij fizike, trupore, sepse tashmë ishte i molisur, dërmuar, rrahur dhe në fund të jetës.

Shën Nëna jonë Tereze, moton e Jezusit: Kam etje, e ka marrë si motiv bazë për çdo kapelë, ku përpos Eukaristisë, është kryqi dhe mbishkrimi: Kam etje, që ajo e shpjegon se etja e tij është për Dashuri, për ne, për kthimin, shpërblimin dhe shëlbimin – shenjtërimin tonë.

Ja përshkrimi i Gjonit:

“Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 

 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:

“Grua, ja, yt bir!”

 Pastaj i tha nxënësit:

“Ja, nëna jote!”

Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

Vdekja e Jezusit

(Mt 27, 45‑56; Mk 15, 33‑41; Lk 23, 44‑49)

Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha: “Kam etje!”

Aty ishte një enë plot me uthull.

Në majë të kallamit të hisopit vunë një sungjer plot me uthull e ia afruan te goja. 

Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha:

“Gjithçka u krye!”

Uli kokën e dha shpirt.” (Gjn 19, 25 – 30)

Sa sot ne e ndajmë agoninë, djerësitjen në gjak, vetminë, ankthin, frikën, luftën, vetminë, braktisjen, harresën me njerëz që vuajnë në trup apo në shpirt?

Shën Nëna Tereze, si Nëna e jetës dhe dashurisë, ishte e pranishme ku që jeta ishte e kërcënuar dhe rrezikuar, me parimin e saj tashmë të njohur, të dëshmuar dhe zbatuar:

“Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne.”

Qielli – Ati hesht, toka e sfidon dhe përqesh Jezusin në kryq. Ai edhe në këto rrethana mendon dhe vepron për ne, na dhuron Virgjërën Mari, Nënën e tij të dashur, për Nënën tonë.

E ne, kur jemi në halle, derte, vuajtje, çka mendojmë, flasim dhe dhurojmë? Nëna Tereze thotë: “Jepe pjesën më të mirë të vetvetes”, domethënë zemrën, brendinë, dashurinë

3.    Vetmia dhe heshtja e tij mijëvjeçare në  Eukaristi, sipas mësimit dhe parimit të saj themelor:

“Nuk mjafton ta njohim, pranojmë dhe marrim vetëm Jezusin në Eukaristi, nëse nuk e njohim, duam., pranojmë dhe shërbejmë atë edhe në trajtën e Njeriut vëlla apo motër.”

Gjithë kjo ndërlidhet me identifikimin e Jezu Krishtit me çdo njeri, jo vetëm të krishterë, besimtar apo fetar, duke na mësuar dhe udhëzuar kështu:

“Isha i uritur.... e ju... a me keni njohur...”

 

Gjyqi i fundit i mbarë botës:

 

“E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 

 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve.

 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 

 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët,  i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 

Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 

 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 

 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 

 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 

 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 

 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.”

 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” (Mt 25, 31 – 46)

    Nderimi, meditimi, adhurimi, mesha kungimi, jeta shpirtërore me Zotin, nëse nuk na aftëson, frymëzon dhe motivon për të afërmin, pra, për çdo njeri, është nderim vetëm ritual, liturgjik, sakramental, por nuk ka lidhje dhe ndikim në jetën tonë të përditshme.

Shën Nëna Tereze këtë tri “momente” të heshtjes dhe të vetmisë së Jezusit, i përmbledh në këtë thënie burimore dhe shumë domethënëse: “Unë jam personi më e lumtur në botë, sepse 24 orë në ditë jetoj me Jezusin dhe për Jezusin, me njeriun dhe për njeriun.”

comment1 koment
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat