Avokati dhe analisti politik Spartak Ngjela ka reaguar në lidhje me vdekjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, duke ngritur pyetjen nëse Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të çlirohet nga tentativat për ta “greqizuar” atë.
Në një postim në Facebook, Ngjela thekson se tashmë vendimi për të ardhmen e kishës i takon peshkopëve shqiptarë dhe sugjeron që të rivendoset busti i Fan Stilian Nolit, i cili është themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
“A e dinë krerët e sotëm të Kishës Ortodokse të Shqipërisë që Fan Noli është themeluesi i kishës autoqefale në Shqipëri?”, shkruan Ngjela, duke apeluar për rikthimin e figurave historike shqiptare në qendër të kishës.
Ai e quan historinë e ndërhyrjeve greke ndaj Kishës Ortodokse si një përpjekje të vazhdueshme, e cila, sipas tij, nuk ka arritur të ndryshojë thelbin e autoqefalisë së saj.
“Tani është koha që gjithçka të vendoset në vendin e vet të shqiptarizës, duke filluar që nga figura e ndritur e Fan Nolit.”
Deklarata e Ngjelës ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke hapur një debat mbi rolin e Kishës Ortodokse në identitetin kombëtar shqiptar dhe ndikimin që ajo ka pasur gjatë dekadave të fundit.